FIER - Agur Vrenozi dha jetën në përpjekje për të mbrojtur biznesin e të afërmit të tij në qytetin e Fierit, i cili ra pre e një grabitje të armatosur.

Grabitësit, duke tentuar të dalin nga dera e exchange e cila u mbyll me guxim nga ish-shefi i policisë pyjore Agur Vrenozi, 53-vjeç, e qëlluan me një plumb kallashnikovi në kokë. Ai humbi jetën një ditë më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë. 

Tre ditë pas kësaj ngjarje të rëndë, Report Tv mbërriti në shtëpinë e heroit Agur Vrenozi. Vajza e tij, Denisa Vrenozi u shpreh për mikrofonin e Report Tv se babai i saj tentoi të bllokojë grabitësit brenda në Exchange, duke vendosur një karrige ndërmjet dyerve, por askush nga njerëzit aty pranë nuk i ka ardhur në ndihmë.

I vetëm përballë tre personave të armatosur me një armë zjarri kallashnikov, ai mori një plumb në kokë, ndërsa pak sekonda më herët ata kishin qëlluar edhe pronarin e pikës së këmbimit valutor, Gëzim Hoxha, 64-vjeç. "Nuk mund ta besoja, goditja ishte në kokë dhe shpresat ishin të pakta për të jetuar. Babi ka ndërhyrë në momentin kur kanë marrë lekët, është përpjekur të mbyllë dyert, ka kërkuar policë rreth e qark, por nuk ka gjetur ndihmë".

Denisa rrëfen se babai i saj ishte njeri human dhe veprimi i fundit, i cili i mori edhe jetën, e tregon mësë miri se ai jepte jetën për të tjerët. "Veprimi i babait tim tregon se çfarë njeriu ishte. Nuk gjej fjalë të përshkruaj dhimbjen tonë. Babai sakrifikonte gjithçka për ne e të tjerët. Babai ndoqi instiktin e tij, se mendoi gjatë", shprehet Denisa Vrenozi. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Pendesa e shprehur nga autorët nuk vlen, thotë ajo, pasi ata vranë me gjakftohtësi, ndërsa shpreh besim, si një studente e Fakultetit të Drejtësisë, se autorët do marrin ndëshkimin e merituar. "Nuk mund të shfaqin pendesë ata që e vranë me gjakftohtësi. Besoj drejtësia do japë dënimin e merituar për autorët. Unë studioj për drejtësi dhe ajo që kërkoj është të zbatohet ligji, vetëm kaq".

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com