Të rejat shqiptare kanë një mundësi të jashtëzakonshme t'i afrohen shkencës dhe teknologjisë përmes këndeve amerikane në mbarë vendin. Mësuesit, mjetet dhe sfidat që realizohen në këto hapsira tashmë prej shumë vitesh janë një shanc që nuk duhet humbur.
11 shkurti shënoi Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë. Dita u përqëndrua në rëndësinë që kanë shkenca dhe barazia gjinore në arritjen e synimeve për zhvillimin ndërkombëtar. Për të ndihmuar gratë dhe vajzat të kenë qasje të plotë dhe të barabartë në shkencë, Këndet Amerikane kanë mbështetur nisma që promovojnë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave nëpërmjet burimeve dhe programeve të tyre. Për shumë vite, vajzat e Klubit Technovation të Këndit Amerikan të Tiranës kanë punuar në ekipe për të ndërtuar aplikacione që trajtojnë problemet reale në komunitete dhe ofrojnë zgjidhje të prekshme për to. Këto ekipe kanë përfaqësuar Shqipërinë në konkurse botërore dhe kanë fituar çmime dhe renditje të rëndësishme. Grupi i vajzave të vitit të kaluar arriti në gjysmëfinalen e konkursit Technovation me aplikacionin e tyre MOSquito. Ne mirëpresim të festojmë arritjet e ardhshme madhështore në shkencë nga vajzat shqiptare!