Vaksinimi në tetor ra me 40%

Vaksinimi në tetor ra me 40%

Në Shqipëri, procesi i vaksinimit të popullsisë shënoi një rënie të ndjeshme gjatë muajit tetor me gati 40 përqind, krahasuar me dy muajt e mëparshëm. Megjithatë autoritetet thonë se aktualisht ka një ritëm të qëndrueshëm. Sasitë më të mëdha në dispozicion dhe përmirësimi i infrastrukturës për shpërndarjen e tyre, shihen si një mundësi për të ecur më shpejt. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi sot se Shqipëria do të ndjekë objektivin e OBSH-së, për mbulesë vaksinale të 70 % të popullatës, deri në mesin e vitit 2022.

Gjatë muajve të verës, fushata e vaksinimit eci me ritme të larta, me një mesatare ditore prej 7500 dozash, në korrik, duke u rritur më pas në afro 8900 doza në gusht e në shtator. Por në muajin tetor, u rregjistrua një tkurrje e ndjeshme. Të dhënat zyrtare tregojnë se muajin e kaluar shifrat ranë me gati 40 përqind, duke zbritur në një mesatare ditore prej pak më shumë se 5400 vaksinime.

Aktualisht, rezulton se mbi 47 përqind e popullatës mbi 18 vjeç ka marrë të paktën një dozë të vaksinës anti covid, ndërsa 41.3 përqind i ka marrë të dyja dozat.

Grupmosha mbi 60 vjeç është ajo më mirë e vaksinuar, edhe sepse ishte në kategoritë me përparësi për vaksinim. "Të paktën sipas një vlerësimi të bërë javën e kaluar, kanë qenë 70 përqind e tyre me dozë të parë dhe 65 me dozë të dytë. Kjo është një shifër shumë e rëndësishme se mosha 60+lus nuk e neglizhon dozën e dytë, respektojnë kohën dhe paraqiten për vaksinimi menjëherë sapo arrin momenti i vaksinimit”, shpjegon Përgjegjësja e programit kombëtar të vaksinimit Erida Nelaj.

Por si është situata me grupmoshat e tjera? “Edhe moshat 50-60 janë goxha mirë të vaksinuar, sepse ka dhe të sëmurë kronikë aty që kanë kërkuar vaksinimin menjëherë sapo u ul fasha moshore. Në moshat e reja, kemi po ashtu vaksinime. Kemi tani, studentët, grupmosha 18-24 vjeç, po pëson një rritje në vaksinim. Dhe është shumë e rëndësishme, se janë studentë që do futen në auditore me 80 vetë e do duhet të mbrojnë, profesorët, shokët e tyre por dhe kur kthehen në fundjava, familjarët e tyre”, shprehet zonja Nelaj.

Ashtu si dhe në vende të ndryshme të botës, teoritë konspirative kanë patur efektin e tyre frenues. Zonja Nelaj thotë se nuk bëhet fjalë aq shumë për një qëndrim refuzues ndaj vaksinës, se sa hezitues: “Qarkullimi i miteve është shumë i dëmshëm në këtë situatë. Nganjëherë njerëzit dëgjojnë atë që duan të dëgjojnë. Ose dëgjojnë diçka që me të vërtetë është e gabuar , por ju pëlqen dhe fokusohen aty dhe e përdorin si element për të mos u vaksinuar, kur duhet realisht të dëgjohet shkenca, të dëgjohen teknikët, të flitet me mjekun e familjes e të dëgjohen këshillat e mjekut”.

Sipas Përgjegjëses për programin kombëtar të vaksinimit, sasitë më të mëdha në dispozicion dhe përmirësimi i infrastrukturës për shpërndarjen e tyre, shihen si një mundësi për të ecur më shpejt. “Duke patur sasi e kemi dhe ne më të lehtë, duke shpërndarë dhe ne sasi më të mëdha. Nga ana tjetër kemi përmirësuar shumë logjistikën dhe ekzistencën e frigoriferëve -70 gradë. Nëse në fillim kishim vetëm ne në nivel qëndror, dhe duhet ta shpërndanim vaksinën, në fillim vetëm për 5 ditë në +2 deri +8 gradë, më pas me udhëzimet që erdhën nga Pfizer dhe aprovimet që mund të mbahet në këto temperature për një muaj, u lehtësua dhe administrimi dhe u mundësua shpërndarja e sasive të tjera. Tani e kemi më të lehtë. Kemi frigoriferë -70 gradë, të paktën në 12 pika në të gjithë Shqipërinë”, thotë zonja Nelaj.

Ndonëse ishte ndër vendet e para në rajon që siguroi furnizimin me vaksinave, Shqipëria rezulton të jetë e parafundit në Ballkan. Por sipas zonjës Nelaj, vendi ndoqi një strategji të mirëpërcaktuar, dhe ndërsa ajo vijon procesin me ritme të qëndrueshme, vendet e tjera, shpjegon ajo kanë një ecuri me të ulët, ndërsa vë në dukje, se "në popullata më të vogla procesi ecën dhe më shpejt. Jam e bindur se në këto vende që patën këtë hovin e madh, ngopen me vaksinimin dhe nuk kanë një rritje në vazhdimësi me vlera të larta, dhe kanë arritur një pikë që më pas rritja është shumë më e vogël. Ndërsa te ne vijon rrija me një ecuri të qëndrueshme çdo javë”.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha sot në parlament se Shqipëria do të ndjekë objektivin e OBSH-së, për mbulesë vaksinale të 70 % të popullatës, deri në mesin e vitit 2022. Megjithatë në programin qeverisës parashikohet një objektiv më ambicioz, për “garantimin e vaksinimin për të gjithë popullsinë mbi 16 vjeç deri në shkurt 2022”./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun