Pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të caktuar vetë pagën referuese të gjyqtarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi qeverinw Rama dhe mazhorancën socialiste se nuk zbatuan në afat vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke krijuar, sipas tij, një ngërç institucional dhe një shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës

Deklarata e Bardhit

"Refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë dhe i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka vënë seriozisht në rrezik funksionimin demokratik të shtetit dhe respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Që nga 1 gushti 2026, sistemi gjyqësor në vend ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për të justifikuar trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës. Dispozitat ligjore përkatëse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku 2026. Sot, me një akt të paprecedentë, sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit. Ky akt ngre pikëpyetje serioze mbi kushtetutshmërinë e tij dhe mbi ekzistencën e një baze të ligjshme për një vendimmarrje të kësaj natyre. Krijimi i këtij ngërçi institucional dhe përplasja ndërmjet kompetencave kushtetuese të pushteteve jo vetëm që mund, por edhe duhet të shmangen. Rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë është respektimi dhe zbatimi i plotë, i menjëhershëm dhe pa ekuivok i vendimeve të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë duhet të veprojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë për ta trajtuar dhe zgjidhur këtë çështje. Kjo është edhe më e domosdoshme përballë refuzimit të Këshillit të Ministrave për të përmbushur përgjegjësinë e përcaktuar nga Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit të Shqipërisë që më 4 maj 2026. Mosveprimi i Kuvendit dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, me pasoja serioze për funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te demokracia. Ky qëndrim dëmton rëndë edhe frymën e luajalitetit kushtetues që duhet të udhëheqë marrëdhëniet ndërmjet pushteteve në një shoqëri demokratike. Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen të zbatohen sipas interesit politik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime dhe as mundësi për t’u zbatuar kur i leverdis mazhorancës. Ato janë detyruese. Respektimi i tyre është detyrim kushtetues, jo zgjedhje politike" tha Bardhi 

Reagimi i Bardhit vjen pasi këtë të mërkurë Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të përcaktojë vetë pagën referuese të gjyqtarëve, pas mosveprimit të Kuvendit për të miratuar brenda afatit të 31 korrikut ndryshimet ligjore të kërkuara nga Gjykata Kushtetuese. Me vendimin e KLGJ-së, paga referuese e gjyqtarëve u rrit nga 156.800 në 222.425 lekë, ndërsa u miratua edhe kompensimi i diferencave të pagave për periudhën 1 prill 2023–31 korrik 2026.