Vala e Omicron, ministrja e Shëndetësisë pret homologun nga Kosova: Forcojmë survejancën ndërkufitare, bashkëpunim për unifikimin e protokolleve dhe stafet mjekësore

Vala e Omicron, ministrja e Shëndetësisë pret homologun nga Kosova: Forcojmë survejancën ndërkufitare, bashkëpunim për unifikimin e protokolleve dhe stafet mjekësore

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka pritur ditën e sotme Ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, dr. Rifat Latifi, në kuadër të forcimit të bashkëpumimit në fushën e shëndetit publik, të shkëmbimit të stafeve mjekësore dhe trajtimit të sëmundshmërisë, me synim rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor në të dy anët e kufirit.

Në fjalën e saj, Ministrja Manastirliu ka ndarë disa nga pikat e bashkëpunimit, të cilat kanë nisur të implementohen, por që kërkohet intensifikimi i tyre i mëtejshëm.

“Synojmë forcimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e eksperiencave të përbashkëta, përsa i përket dy Instituteve reciproke të Shëndetit Publik, të kontrolleve dhe inspektimeve në të dy anët e kufirit, për të garantuar që qytetarët, të cilët hyjnë në pikën kufitare, të jenë të gjithë të vaksinuar dhe të disponojnë ato masa të cilat janë të përcaktuara në rregulloret e të dy vendeve” tha Manastirliu. 

Një tjetër pikë që Manastirliu e konsideroi me rëndësi gjatë bashkëbisedimit me homologun nga Kosova ishte bashkëpunimi në fushën e telemjekësisë.

“Besoj se edhe në kuadër të shkëmbimit të informacioneve, në kuadër të rritjes së marrëdhënieve përsa i përket eskperiencave që lidhen me kërkimin klinik, projekteve të përbashkëta, artikujve të përbashkët për raste specifike, të vështira, duam t’i tregojmë jo vetëm brenda nesh, por edhe jashtë kufinjve tanë. Do të duhet që t’i përdorim këto instrumenta digjitalë që kemi në dorë për të mundësuar më shumë afërsi me njëri-tjetrin, më shumë shpejtësi informacioni dhe sigurisht një kanal informacioni i cili të siguron që çdo gjë që transmetohet të jetë e ruajtur, siç duhet dhe nga ana tjetër e çertifikuar me të gjitha parametrat”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se do të forcohet bashkëpunimi mes dy shërbimeve të Neurologjisë së dy vendeve, duke çelur kështu një erë të re të krijimit të qendrave të përbashkëta të ekselencës, këtej dhe andej kufirit.

“Do të doja që të ndaja me ju një tjetër iniciativë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh që ne do ta marrim shumë shpejt së bashku, që është pikërisht bashkëpunimi mes dy Klinikave Universitare të Neurokirurgjisë, si qendra ekselencë, për shërbime të nivelit të lartë”, bëri me dije Manastirliu.

Një ndër pikat e diskutimit gjatë bashkëbisedimit mes dy ministrave të shëndetësisë së dy vendeve, ishte edhe krijimi i një instrumenti të ri, siç është auditimi klinik, që synon rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët, përmes kontrollit të cilësisë.

“Po ndërtojmë një instrument të rëndësishëm, instrumentin e auditimit klinik në Shqipëri. Ligji për shërbimet e kujdesit shëndetësor na përfshin në krijimin e këtij mekanizmi të ri të auditimit klinik. Ne jemi duke hapur një thirrje për profesionistët e shëndetësisë për të aplikuar, për t’u bërë auditues klinik dhe për të siguruar që protokollet mjekësore realizohen ashtu sikurse janë të miratuara dhe sigurisht me synimin e rritjes së cilësisë së shërbimit. Këtë thirrje publike ne do ta bëjmë gjithashtu edhe për Kosovën, për mjekët e Kosovës, pra shkon përtej kufijve duke ftuar edhe profesionistët në Kosovë, por gjithashtu edhe profesinistët në Tetovë të Maqedonisë së Veriut”, tha Manastirliu.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Rifat Latifi në fjalën e tij e vuri theksin tek unifikimi i protokolleve të përbashkëta shëndetësore dhe që bashkëpunimi të jetë në shumë nivele.

“Bashkëpunimi mund të jetë në shumë nivele e një prej atyre është të kemi ligjet përkatëse përafrim ndaj BE, në fushën e Shëndetësisë; krijimin e qendrave ekselente klinike edhe shkencore, për të konkuruar për projekte të SHBA dhe BE bashkë; krijimi i një platforme të përbashkët për edukimin post-diplomik të mjekëve tanë. Edhe unë mendoj që na duhet një grup punues që mban dhe përcjell të gjithë këto pika”, tha Latifi.

Takimi mes dy delegacioneve të Ministrive të Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Kosovës vjen në kuadër të implementimit të marrëveshjes së përbashkët mes dy vendeve, që synon thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.

Gjatë vizitës në Tiranë, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Rifat Latifi ka vizituar edhe  Spitalin e Ri Pediatrik të QSUT-së si dhe Qendrën e Telemjekësisë, ku së bashku me Ministren Manastirliu theksuan nevojën e forcimit të shkëmbimit digjital, për të maksimalizuar burimet dhe për të rritur cilësinë e shërbimit mjekësor për qytetarët.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut