Kam vendosur që të shkoj tek Valbona Selimllari për të kuptuar nëse ka diçka që nuk është aq perfekte, aq e bukur, aq Shën Mëri, sa mediat e bëjnë. Duhet të ketë ndonjë pikë të errët, një cen apo ndonje gjë që nuk shkon vaj në jetën e saj. Për Bobin kam atë idenë që gjithmonë jeta i ka shkuar fjollë, si atëherë kur para 22 vitesh tha se e kish parë veten në ëndërr të fluturonte dhe fitoi kurorën e misit të parë shqiptar, e cila për hir të zë vërtetës mbeti ikone e pakonkurueshme. Të paktën nga viti 2000 e këndej nuk e kam idenë se kush ka fituar kurorat e konkurseve të bukurisë. Thellë brenda meje dua të bisedoj gjerë e gjatë me Valbonën, por nuk e di në do mundem, sepse e ndiej që ajo ka ditur të ruaj distancat me gazetarët. Nuk e shoh të ketë shoqe të ngushta. Gjithmonë e kam rastisur ose vetëm, ose me nënën dhe motrën e saj.

Përpara se të dal nga shtëpia nëna ime zilepset që unë po e takoj dhe teksa unë vesh këpucët ajo nis e flet siç nuk e ka zakon: “Do takosh Valbonën?! Ua, mos më thuaj! Po sa bukur e bën ajo atë emision... Po si i dridhet mjekra asaj... dhe loti i rrjedh për të varfrit. Ajo është më shumë sesa e bukur... Ajo është një grua me ndjenja me dhembshuri. Se ka ardhur kohë e keqe e nuk qan njeri për të varfrit”, - është fjalia e fundit që dëgjoj nga mamaja ime ndërsa ashensori mbyllet.

Me Bobin takohemi tek nje bar pranë shtëpisë së saj në Tiranë. Ajo vjen dhe që për së largu ato sytë si neon sjellin më shumë dritë në një ditë pak të vranët.
Ulet me një shpejtësi femre në tavolinë dhe porosit një kapuçino, ndërsa qëndron relativisht gjatëm 3 minuta në një telefonatë, ku shpjegon se nuk koleksion foto të aktiviteteve të saj. Është dikush që mesa duket i kërkon disa foto për një klip, që do të bëjnë me rastin e një spektakli për bukurinë. Në një moment, nga ana tjetër e telefonit duket se i thotë po do flasin me Grabockën atëherë… Por Bona i kërkon me takt, që të mos e shqetësojë regjizoren, se më pas ajo do marrë atë vetë dhe ajo (Bona) mund të tregohet pak nervoze e ta bezdisë klipi e çdo gjë që vjen pas tij. (vijon në blogun lunch.com)

Su/ Shqiptarja.com