Valë shkarkimesh e emërimesh
në Postë, Mandija-Llallës: Hetim!

Valë shkarkimesh e emërimesh<br />në Postë, Mandija-Llallës: Hetim!
Zëvendëskryeministrja Mandija i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme hetimin e drejtuesve të Postës Shqiptare, pasi kanë kryer lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
 
Mandija shprehet se sipas urdhrave të shkarkimeve të vëna në dispozicion janë  të paktën 30 raste të tilla, ndërsa nuk përjashtohet që numri real i lëvizjeve të punonjësve të jetë edhe më i madh. 
 
Zv/ kryeministrja deklaron se grupi i verifikimit në pamundësi për të marrë informacionin nga drejtori i shoqërisë Posta Shqiptare sh.a,  i siguroi të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, e cila konfirmoi faktin se pas datës 25.05.2017 janë larguar nga puna 22 punonjës dhe janë emëruar 27 persona.
 
Zëvendëskryeministrja shprehet se lëvizjet masive të pajustifikuara ligjërisht të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe në një periudhë relativisht të shkurtër dhe për më tepër gjatë fushatës zgjedhore po bëhen për qëllime politike.
 
Aktualisht në drejtimin e Postës Shqiptare është Vangjush Andoni. Ai mori drejtimin pak ditë pas shkarkimit të Majlind Lazimit, në datë 2 qershor.

Shkarkimi i Lazimit, shkaktoi jo pak debat pasi ai pretendon se është shkarkuar pa asnjë argument, duke akuzuar ministren Milva Ekonomi se ka shkelur ligjin, madje e paditi, por kjo e fundit ka deklaruar se vendimi ka qenë brenda ligjit.
 
Deklarata e plotë/ 22 qershor 2017
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task Forcës, i ka kërkuar  sot Prokurorit të Përgjithshëm hetimin e plotë dhe të gjithanshëm ndaj veprimeve arbitrare të drejtuesve të shoqërisë Posta Shqiptare sh.a, të cilët gjatë  periudhës së fushatës zgjedhore nga data 25.5.2017 e deri më sot, po bëjnë lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe.
 
Sipas urdhrave të shkarkimeve të vëna në dispozicion të zëvendëskryeministres janë  të paktën 30 (tridhjetë) raste të tilla, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që numri real i lëvizjeve të punonjësve të jetë edhe më i madh. 
 
Grupi i verifikimit në pamundësi për të marrë informacionin nga drejtori i shoqërinë Posta Shqiptare sh.a,  i siguroi të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve (DPT), e cila konfirmoi faktin se pas datës 25.05.2017 janë larguar nga puna 22 punonjës dhe janë emëruar rishtaz 27 persona.
 
Referuar këtyre fakteve ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve gjatë periudhës së fushatës zgjedhore po bëhen për qëllime politike.
 
Në këto kushte,  zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se lëvizjet masive të pajustifikuara ligjërisht të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe në një periudhë relativisht të shkurtër dhe për më tepër gjatë fushatës zgjedhore, janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Punës, por edhe me përcaktimet e bëra në nenin 88 të Kodit zgjedhor.
 
Zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se,  ekziston dyshimi i arsyeshëm se Drejtori i Përgjithshëm dhe persona të tjerë drejtues të shoqërisë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre të kryera me dashje duke vepruar në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të parashikuara përkatësisht nga neni 248 dhe neni 328/a të Kodit Penal
 
Për këto arsye, bazuar në pikën 31 gërma -ë)- të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.473, datë 01.06.2017,  zëvendëskryeministrja ia ka referuar këtë rast  Prokurorisë për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore, për verifikimin dhe vlerësimin e tij, me qëllim ushtrimin e funksionit kushtetues të ndjekjes penale.
 
Zyra e zëvendëskryeministres Ledina Mandija vlerëson se, pavarësia politike e administratës shtetërore është e lidhur drejtpërdrejtë me nevojën për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të cilëve u ofrohet shërbim si edhe me nevojën për të garantuar parimet e neutralitetit, paanshmërisë dhe integritetit të nëpunësve të administratës shtetërore. 



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve