Valentina Leskaj ‘mbron’ mandatin
e deputetes, rrëzohet kërkesa e PD

Valentina Leskaj ‘mbron’ mandatin<br />e deputetes, rrëzohet kërkesa e PD
TIRANE- Kuvendi rrëzoi dje me 72 vota kundër, kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetes socialiste dhe njëherazi nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj. Tre deputetë abstenuan dhe 40 të opozitës votuan “pro” kërkesës për mbarimin e mandatit. Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj është vënë në shënjestër të akuzave të PD­së, që pretendon se ekzistojnë plotësisht kushtet për mbarimin e mandatit të saj, pasi ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për konfliktin e interesit të zyrtarëve të lartë. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Leskaj theksoi se akuzat e ngritura ndaj saj janë një furtunë në gotë, duke nënvizuar se nuk ka asnjë papajtueshmëri të mandatit të saj me ligjin.

“Dua t’ju them që në fillim që kjo është një luftë politike pa moral njerëzor, pa princip dhe pa asnjë themel ligjor. Nuk është hera e parë që e keni bërë këtë, e keni bërë dhe herë të tjera nuk keni nxjerrë asgjë në dritë. Nuk ka asnjë konflikt interesi që lidhet me mandatin tim si deputete e këtij parlamenti”, u shpreh Leskaj. Ajo deklaroi se nuk do t’ia lejonte vetes që të ushtronte funksionin e saj duke shkelur ligjin. “Nuk mund të gjeni qoftë edhe një papajtueshmëri të mandatit tim me ligjin. Sepse nuk ja lejoj vetes. Unë nuk jam e re. Kam një jetë të gjatë mbrapa dhe askush nuk më ka thënë një çerek fjale në vendin e punës që kam qenë. Nuk do ta gjeni këtë tek

një njeri i cili i ka kërkuar qeverisë të bëjë publike të gjitha tenderët, prokurimet dhe çdo punë tjetër të paktën nga viti 2000 e deri sot”, tha ajo, duke akuzuar opozitën se përzgjedh të sulmojë njerëzit me integritet për të bërë opozitë. “Kjo nuk është opozitë. Ju keni zgjedhur opozitën e baltës. Sa më shumë baltë të bëni aq më shumë do i largoheni pushtetit”, ­ theksoi Leskaj. Ndonëse mazhoranca kishte vendosur që në mbledhjen e Këshillit të Mandateve rrëzimin e kërkesës për heqjen e mandatit të Leskajt, deputeti i PD, Arben Ristani u shpreh se opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. “Opozita është e vendosur për të ndjekur të gjitha rrugët e mundshme ligjore për të paraqitur përpara Gjykatës Kushtetuese këtë rast”, tha Ristani.

Ai deklaroi se ekzistojnë kushtet e papajtueshmërisë së mandatit të Leskajt, pasi të dy djemtë e saj kanë përfituar para nga fondet publike. “Njëri nga djemtë e deputetes Leskaj ka marrë nga pasuria publike me koncesion një segment të hekurudhës shqiptare. Fenomeni është bërë publik, ndërsa djali tjetër ka dy kontrata, një më 24 nëntor 2014 me Ministrinë e Bujqëisë, ku ka marrë 45 mln Lekë tenderim përmes firmës Abcons, ndërsa në rastin e dytë përmes firmës “Matrix Contructions” ka marrë 1 mln Euro kontrata të lidhura me institucione shtetërore dhe para publike”, theksoi ai.
 
3 vota abstenim
Votimi për mandatin e Leskajt u shoqërua edhe me 3 vota abstenim, një prej të cilave i takon vetë nënkryetares së Kuvendit. Anastas Angjeli nga mazhoranca dhe Dash Shehi nga opozita, janë dy votat e tjera abstenim 
 
Kushtetuesja
Pas rrëzimit të kërkesës në Kuvend për heqjen e mandatit të deputetes socialiste Valentina Leskaj, opozita ka paralajmëruar dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për interpretim

Konsensus për marrëveshjet, opozita abstenon për “biznesin”
Kuvendi miratoi dje me konsensus projektmarrëveshjet, ndërsa opozita abstenoi për projektligjin për “Qendrën Kombëtare të Biznesit”. Kësisoj, u miratua me 114 vota ratifikimi i marrëveshjes me KFV-në për ujësjellësin Berat – Kuçovë, Delvinë, Gjirokastër, Kamzë, Librazhd dhe Lushnjë. Ndërsa ratifikimi i marrëveshjes me qeverinë e SHBA-ve për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë u miratua me 115 vota pro. Ratifikimi i marrëveshje me Kroacinë për bashkëpunimin policor u miratua me 112 vota pro. Ligji për “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit", mori vetëm votat e mazhorancës pasi u miratua me 75 vota pro, ndërsa 36 votat abstenim dhe 1 kundër ishin të opozitës.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

‘Moodi im pas një tjetër procedimi penal’, Kryemadhi shfaqet duke kërcyer në pishinë: Nuk mu ndanë sa majtas djathtas

‘Moodi im pas një tjetër procedimi penal’, Kryemadhi shfaqet duke kërcyer në pishinë: Nuk mu ndanë sa majtas djathtas