Qeveria e sotme i ka lënë në baltë shqiptarët. Më të varfërit paguajnë më shumë, më të pasurit paguajnë më pak. Taksa e sheshtë e Saliut ka sjellë më pak punësim e më shumë polarizim, diskrimin e fukarallëk. Është koha për drejtësi sociale. Është koha e taksimit progresiv.Shqipëria në moshën e internetit është një Shqipëri ku fëmijët rrëshqasin në analfabetizëm nga skamja. Ku gjysma e grave dhe të rinjve janë papunë.
Banka Botërore palajmëron se cilsia e arsimit në Shqipëri kërcënon ekonominë. Mesatarja e njerëve të arsimuar është më e ulëta në rajon. Arsimi nuk është më prioritet për qeverinë e sotme. Nuk mund të jetë prioritet kur buxheti shkon poshtë. Sot ai zë 2.8% të PBB, më i ulët se gjashtë vjet më parë, më i ulti në rajon, më i ulti padyshim në Europë.
Nuk ka prioritet me shkolla pa banga, pa dritare, pa ngrohje, pa laboratore, me mësues militantë, me sistem piramidal në arsimin e lartë privat. Vizioni ynë është një model arsimor si burim i zhvillimit të qëndrueshëm e mirëqenies.
Ne besojmë se arsimi është politika më e mirë ekonomike.Ndaj ne do ta cojmë buxhetin e arsimit 5% të PBB. Do ta bëjmë me çdo çmim. Sepse ne synojmë edukim cilësor për çdo fëmijë, trajtim dinjitoz e rritje të të ardhurave për mësuesit. Ne besojmë se arsimi bazë është themeli i ngrehinës arsimore ndaj cilësia e tij do ndryshojë rrënjësisht. Po reforma jonë për cilësinë në arsim përfshin të gjitha nivelet. Ne kemi një qasje të re për arsimin profesional me ngritjen e kolegjeve kombëtare e komunitare dhe qendrave profesionale të lëvizshme për komunat.
Ne mbështesim autonominë e universiteteve publike, rritjen e cilësisë dhe standardet e mësimdhënies e të kërkimit shkencor në arsimin e lartë publik e privat. Por ne jemi kundër fabrikave të diplomave që blihen me para. Do të vendosim sistem të pavarur vlerësimi e akreditimi të çdo universiteti. 1 milionë shqiptarë në moshë pune, nuk gëzojnė kujdes shëndetėsor publik, sepse janë të papunë.
Ne kemi vizionin dhe guximin ta ndryshojmë rrënjësisht këtë realitet të rëndë e mungesë të solidaritetit social. Reforma radikale që do të ofrojmë synon shërbim shëndetësor universal për cdo qytetar; orientimin e shëndetësisë nga parandalimi, ndryshim rrënjësor në sistemin e financimit dhe të praktikave që mbajnë gjallë diskriminimin e korrupsionin e frikshëm, heqje të të gjitha tarifave 5 herë të shtrenjtuar për të sëmurët e pasiguruar, heqje të taksës 10% mbi shërbimin shëndetësor e ilaçet. Programi ynë për një rilindje shqiptare parashikon kujdes të posacëm për familjen, fëmijët dhe të moshuarit.
Për ne është e papranueshme varfëria migjeniane që përjeton 30% e popullsisë. E pa pranueshme politika e lëmoshës prej 4 mijë lekë ndihmë ekonomike. Politika jonë sociale synon përfshirjen jo përjashtimin, mundësinë e shanseve jo thellimin e pabarazive, synon jetën me dinjitet të cdo individi, mundësi reale punësimi jo lëmoshën, përcaktimin sa më të shpejtë të minimumit jetik.
Ne synojmë kujdes të vecantë e përfshirje sociale për personat me aftësi të kufizuar. PS respekton kontributin e cmuar të pensionistëve, nevojën për një jetë me dinjitet sic e meritojnë ndaj rritja e pensioneve dhe shërbimet për ta janë kujdesi ynë.
Të gjithë të moshuarve mbi 75 vjeç, ne do t’u japim pension pavarësisht historisë së tyre të punësimit. Ne besojmë te familja si institucion themelor i shoqërisë, çmojmë vlerat më të mira morale të familjes shqiptare. Gjendja e fëmijëve në Shqipëri është e papranueshme për ne socialistët. Shfrytëzimi barbar i fëmijëve që ende punojnë në malet e kromit në Bulqizë e gjetkë për të siguruar bukën e gojës, viktimat e Gërdecit, janë drama e shoqërisë tonë.
Ne do t’i japim fund kësaj drame, me dashuri e përkushtim. Si bartës bartës të vlerave më të mira të Luftës Nacional Çlirimtare ne cmojmë kontributin dhe sakrificat e veteranëve. Statusi veteranit, shërbimet dhe kujdesi ndaj tyre janë angazhimi ynë. Socialistët vlerësojnë me nderim edhe vuajtjet e sakrificat e të përndjekurve politikë të regjimit komunist. Angazhimi ynë është për t’i dhënë fund hipokrizisë dhe abuzimit me të përndjekurit politikë me një skemë të re të shpërblimeve.
Brenda vitit të parë ne do t’i kompensojmë me dëmshpërblim të gjithë të përndjekurit mbi 75 vjeç. Programi ynë synon t’i japë fund pabarazive serioze ndërmjet rajoneve të ndryshme të Shqipërisë. Ne kemi një politikë të qartë për legalizimet, të cilat do t’i përfundojmë në kuadrin e zgjidhjes finale të çështjes së pronës. Ne sot u japim njerëzve mundësinë të bëjnë diferencën. U japim mundësinë për të parë nga e ardhmja. Për një rilindje të re shqiptare.