Në vitin 1936 qeveria shqiptare, nën mbretërimin e Mbretit Zog I, vendosi që të ndërtojë një park dhe një pallat të ri mbretëror modern. Skica e pallatit mbretëror u bë me emrin dhe firmën e arkitektit italian Guilio Berte dhe datën e realizimit Tiranë, më 28.10.1937. Këto janë disa nga të dhënat që shkruhen në librin album të studiuesit Valter Gjoni, "Gjurmime historike në parkun e madh të Tiranës". Studiuesi e ka përshkruar projektin e kësaj ndërtese si të një rëndësie të veçantë. Bekimi me kurban i themeleve është bërë në vitin 1938. Gjoni shkruan: "Pallati i Brigadave sot, në fillimet e tij i quajtur si Pallati i Lartmadhërisë së tij, mbretit Zog të Shqipërisë ishte një vepër e arkitektëve dhe inxhinierëve të njohur italianë, si Floerstano Di Fausto, Giulio Betre, Gheraldo Bosio, etj. Në fillim u quajt Vilë Mbretërore dhe më pas seli e mëkëmbësit së Mbretit Emanuel III...Sipas dëshmive ndërtimi i tij ka qenë dëshirë e vetë Mbretit Zog I. Florestano di Fausto, aso kohe projektues i rezidencës së Durrësit të Mbretit Zog I, ngarkohet të nis studimin për vilën Mbretërore të Tiranës, që do të përfshinte një pallat mbretëror dhe vilë për Mbretin. Ky studim do të vazhdohej më tej nga inxhinier Giulio Betre, i cili do të përpunojë zgjidhje të ndryshme. Në 1939-n pallati u transformua në Selinë e mëkëmbësisë së mbretit italian. Në vitin 1939 ndryshimi i vilës në seli të mëkëmbësisë solli një ndryshim në projekt. Rreptësia e vëllimit kompakt u pasurua me larminë e materialeve të vyera, skulptura, mobilje, tapiceri, piktura, objekte të bronzta, të cilat më së shumti ishin realizuar nga artistët dhe artizanët italianë. Mobiliet u ideuan nga vetë Cherardo Bosio. Basorelievet dhe skulpturat janë vepra të artistëve italianë midis të cilëve Antonio Mariani, por edhe shqiptar si Odise Paskali. Projektmi i Pallatit mbretëror dhe i parkut filloi në vitin 1937. Projekti u ideua dhe u realizua nga ekipi italian i sipërpërmendur si dhe nga inxhinierë dhe arkitektë shqiptarë, si Vasil Noçka e Kristo Sotiri, ky i fundit arkitekt i oborrit mbretëror shqiptar. Ish- pallati mbretëror ose ish-pallati i brigadave është një muze i vetvetes, por mund të konsiderohet edhe si një galeri e kryeveprave dhe arkitekturës botërore…. Pallati i projektuar për Mbretin Zog I, por që nuk jetoi asnjë ditë në të, pasi punimet ende nuk kishin mbaruar kur ai u largua nga Shqipëria, përfundoi gjatë pushtimit italian të Shqipërisë. Punimet vijuan nën kujdesin e mëkëmbësit të mbretit Fancescko Jakomoni".

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)