Valerie Pecresse, gruaja që mund të mposhtë Emmanuel Macron

Valerie Pecresse, gruaja që mund të mposhtë Emmanuel Macron

Kur flet mbi betejën e mëparshme 5 vjet më parë midis politikanëve të qendrës së djathtë në Francë, Valérie Pécresse kujton fjalën e urtë të përdorur nga njëri prej atyre që ishte në kampin e humbësve:“Nëse dy qen zihen për një kockë, është qeni i tretë ai që shfaqet në skenë dhe e merr kockën!”.

Vetë Pécresse sapo ka arritur një fitore të ngjashme në zgjedhjet e fundit paraprake brenda  anëtarëve të partisë Les Républicains (Republikanët), duke mposhtur kandidatët që shiheshin gjerësisht favoritë si Michel Barnier, ish-negociatori i BE-së për Brexit, për të fituar nominimin si kandidate zyrtare për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Politikania 54-vjeçare e karrierës, aktualisht drejtuese e zgjedhur e rajonit Ile-de-France që përfshin Parisin, ka tashmë një shans të mirë për të penguar rizgjedhjen në detyrë të Emmanuel Macron në prillin e vitit 2022,duke u bërë presidentja e parë grua e Francës.

“Për herë të parë në historinë e saj, partia e gjeneralit de Gaulle, Georges Pompidou, Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozy do të ketë një kandidate femër për të garuar në zgjedhjet presidenciale”- u tha Pécresse mbështetësve të shumtë që e brohoritën në Paris fundjavën e kaluar.

Pécresse e përshkruan veten si “2/3 Angela Merkel dhe 1/3 Margaret Thatcher”, dhe thotë se ia del të arrijë gjithmonë atë që synon. “Kundërshtarët e mi më quajnë Zonja e Hekurt”- deklaroi ajo për “Financial Times” më herët gjatë këtij viti.

“Unë mendoj se ajo do të jetë një sfidante shumë serioze. Ajo është një punëtore e palodhur dhe ka qenë një ministre shumë e suksesshme”- thotë një mikesha e saj që e njeh që nga koha e universitetit. Edhe ish-presidenti Sarkozy, në qeverinë e të cilit ajo shërbeu si Ministre për Arsimin e Lartë dhe Buxhetin, e vlerësoi zellin e saj për punë, duke shtuar se do të donte që ajo të kishte qenë “pak më shumë argëtuese”.

Por sondazhet e fundit tregojnë se Pécresse ishte vërtet një zgjedhje e mençur për qendrën e djathtë. Sipas një sondazhi të kryer nga kompania Elabe për mediat BFM TV, L’Express dhe SFR, ajo do të mundte pretendentët e ekstremit të djathtë si Marine Le Pen dhe Eric Zemmour, duke marrë të paktën 20 për qind të votave në raundin e parë, dhe duke u kualifikuar për në raundin e dytë, ku do të garojë kundër Macron që aktualisht ka 23 për qind të votave.

Më e rëndësishmja, sondazhi sugjeron se ajo mund ta mposhtë presidentin aktual në balotazh me rezultatin 52 kundrejt 48 për qind. “Është hera e parë që një sondazh i publikuar flet për humbjen e Emmanuel Macron”- konstaton kompania e sondazheve Elabe.

“Shumë herë ajo është nënvlerësuar. Por Valerie është shumë e vendosur, e motivuar, punëtore, ka shumë përvojë ministrore, dhe ka udhëhequr rajonin më të rëndësishëm të Francës”- thotë Vincent Martigny, profesor i politikës në Universitetin e Nisës.

Por ajo nuk do të ketë një fushatë të lehtë. E martuar dhe me 3 fëmijë, Pécresse përshkruhet nga kundërshtarët e saj politikë si një borgjeze komode, si një katolike me banim në periferinë e begatë perëndimore të Parisit, në një vend ku votuesit supozohet se vlerësojnë rrënjët provinciale. Edhe pse ajo e ka theksuar shpeshherë origjinën e saj korsikane dhe jugore,për të vënë në dukje se rajoni ku po garonte në zgjedhjet lokale, përmbante disa nga lagjet më problematike të Francës.

Pécresse zotëron gjuhën ruse, japoneze dhe atë angleze, dhe është gjithashtu e diplomuar në dy nga institucionet më të mira arsimore të Francës, HEC Paris (Ecole des hautes études commerciales) dhe po ashtu si Macron në ENA (Ecole Nationale d’Administration). “Ajo është kuintesenca e elitës franceze”- thotë Martigny.

Por nga ana tjetër ajo rrezikon të hasë jo pak vështirësi në një terren politik të zymtë brenda partisë së saj – e cila u zhvendos aq shumë në të djathtë, saqë ajo e braktisi përkohësisht në vitin 2019 – dhe për shkak të zemërimit të madh që ekziston në mesin e votuesve të bardhë, antipatia e të cilëve ndaj emigrantëve myslimanë, dhe kërkesa për masa shumë të ashpra ligjore ndaj tyre, ka nxitur rritjen e Le Pen dhe së fundmi të Eric Zemmour.

Propozimi i saj, i ringjallur në këtë fushatë, për të dyfishuar dënimet për krimet e rënda të kryera në periferitë problematike, ku jeta e policëve është shpesh e rrezikuar, u prit me habi nga disa kritikë. Ata vunë në dukje se ajo prej kohësh kishte dhënë leksione në universitet për të drejtën kushtetuese, dhe ishte anëtare e Këshillit të Shtetit, ndaj duhej ta dinte se një diskriminimi tillë është haptazi antikushtetues.

Pécresse mund të cilësohet si një e moderuar në raport me standardet gjithnjë e më konservatore të Republikanëve, por qëndrimi i saj i ashpër mbi sundimin e ligjit dhe rendit, dhe angazhimi i saj ndaj reformës ekonomike dhe ortodoksisë fiskale, do t’i garantojë mbështetjen e gjithë së djathtës franceze.

Ajo e ka akuzuar Macron-in për keqpërdorimin e parave të taksapaguesve francezë gjatë pandemisë, dhe është zotuar sedo të shkurtojë 200.000 vende pune nga shërbimi civil- diçka që e premtoi dikur edhe Macron, por që ka dështuar ta mbajë gjatë 5 viteve të tij në detyrë.

“Emmanuel Macron ka vetëm një obsesion:të kënaqë (plaire). Unë kam vetëm një fiksim:të veproj (fare)”- u tha ajo mbështetësve të saj në një kritikë me rimë të asaj që ajo e sheh si mungesën e angazhimit të presidentit aktual ndaj reformave të vështira për të cilat ka nevojë Franca.

Macron, që erdhi në pushtet duke deklaruar se ai nuk ishte “as i djathtë as i majtë”, nuk e pati problem që ta mundte Marine Le Pen, udhëheqësen e ekstremit të djathtë të partisë Tubimi Kombëtar në një debat televiziv përpara raundit përfundimtar të zgjedhjeve të mëparshme presidenciale në vitin 2017, dhe do të ishte shumë komod përballë Le Pen edhe këtë herë.

Pécresse, politikisht më afër mbështetjes së Macron nga të gjithë rivalët e tij kryesorë për zgjedhjet e vitit 2022, është një rast tjetër. Ajo e njeh historinë dhe ekonominë vendase, dhe ka një rekord të mirë në qeverisje. Miku prej 3 dekadash i Pécresse thotë:“Përballë një gruaje kompetente, unë nuk e shoh Macron shumë të qetë”./Financial Times-Bota.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët