Valët gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit nuk po sjellin vetëm probleme shëndetësore, por po kthehen edhe në një rrezik serioz për ekonominë europiane. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme po ulin produktivitetin dhe po pengojnë aktivitetin në sektorë si ndërtimi, bujqësia, industria, tregtia dhe hoteleria, ku puna zhvillohet kryesisht në ambiente të pambrojtura nga vapa.

Sipas Robert Marks, ekonomist i klimës në Oxford Economics, një valë të nxehti katërditore mund të ulë rritjen tremujore të produktivitetit të punës me 1.5 pikë përqindjeje në Britaninë e Madhe dhe deri në 2 pikë përqindjeje në pjesën tjetër të Europës Perëndimore.

Këta sektorë përbëjnë 27% të aktivitetit ekonomik në Britani dhe mesatarisht 35% në Europën Perëndimore. Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare e Punës parashikon se deri në vitin 2030 humbjet më të mëdha të orëve të punës do të regjistrohen në bujqësi dhe ndërtim.

Edhe studiuesit e Allianz e konsiderojnë vapën ekstreme një “rrezik strukturor ekonomik” për Europën, duke theksuar se Franca, Spanja dhe Italia janë ndër vendet më të ekspozuara, pasi humbjet në produktivitet rriten ndjeshëm kur temperaturat kalojnë 30 gradë Celsius, ndërsa shtohen edhe kostot e energjisë për ftohjen e ndërtesave dhe makinerive.


Lajmi kryesor:

Europa nën ‘pushtetin’ e të nxehtit/ Spanjë, 212 vdekje në 4 ditë, Madridi kap vlerat rreth 50 gradë celcius