Për javën që presim përpara vendi ynë por edhe një pjesë e madhe e Europës do të përjetojë një tjetër valë të nxehti.
Moti për pjesën më të madhe të ditëve të javës parashikohet i kthjellët. Megjithatë, në relievet kodrinore – malore në orët e mesditës deri ato të pasdites vonë do të ketë edhe alternime vranësirash kalimtare. Këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët por hera-herës dhe në periudha afatshkurtra do të jenë edhe të vrullshme në formën e rrebesheve dhe shtrëngatave shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike.
Vlen për tu theksuar fakti se pavarësisht origjinës së masave ajrore nga Afrika e Veriut (të thata dhe tepër të nxehta) kalimi i tyre mbi detin Mesdhe i bën ato të mbushen me lagështirë. Kjo bënë që temperaturat e mesditës të ndihen disa gradë më të larta për trupin e njeriut se sa vlerat e matura në kafazin meteorologjik (vapë “mbytëse”).
Megjithatë sipas hartave të parashikuara duke filluar nga fundjava e ardhshme pritet rënie e ndjeshme e temperaturave si dhe reshje shiu në një pjesë të madhe të territorit.