/ATSH-AFP/ - Ministri grek i Financave, Yanis Varufakis, i cili nisi sot në Paris një turne evropian, theksoi në një intervistë të publikuar sot se programi shtrëngues i ndërmarrë në vendin e tij është shumë i rrezikshëm për të gjithë Evropën.

"Ne kundërshtojmë programin e masave shtrënguese të ndërmarrë deri tani, jo vetëm sepse nuk është mirë për Greqinë, por sepse është shumë i rrezikshëm për të gjithë Evropën", theksoi Varufakis për të përjavshmen "To Vima".

"Mos harroni që e gjithë kjo nuk është vetëm një krizë greke. Kemi Italinë, borxhi i të cilës nuk është i qendrueshëm, Francën që po ndjen frymën e deflacionit në zverkun e saj, madje edhe Gjermania ka hyrë në deflacion, në një fazë të uljes së çmimeve", theksoi ministri.

Varufakis do të takojë sot në Paris homologun francez, Michel Sapin dhe ministrin e Ekonomisë, Emmanuel Macron.

Ai do të vijojë vizitën në Londër dhe në Romë, por nuk ka parashikuar deri tani të kalojë në Berlin, kryeqyteti më i ashpër përballë Athinës.