Vasfije Krasniqi-Goodman ka bërë me dije se ka dhënë dorëheqjen nga posti i deputetes së Kuvendit të Kosovës. Me anë të një postimi në Facebook, shkroi se nuk i realizon dot detyrimet e saj si deputete për shkak të disa problemeve shëndetësore. Ajo ka shtuar se do të vazhdojë angazhimin e saj publik për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç tha, në veçanti në Kongresin Amerikan.
“Edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e deputetes. Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konnjufca, si dhe Kryesinë e Kuvendit. Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejti do të shihen të arriturat e para. Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë”, ka shkruar Krasniqi-Goodman.
Për herë të parë u fut në garë si kandidate për deputete me partinë e 'Lëvizjes Vetëvendosje' në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt 2021.
Krasniqi – Goodman është ndër gratë e para në Kosovë që publikisht ka treguar se ishte dhunuar seksualisht nga forcat serbe në vitin 1999.