Vasili: Keqardhje që s'do jemi në
koalicione, LSI del forcë e parë

Vasili: Keqardhje që s'do jemi në<br />koalicione, LSI del forcë e parë
TIRANE-Kryetari i LSI, Petrit Vasili u shpreh sot mbi marrëveshjen Rama-Basha duke theksuar se pakti politik i dha fund kaosit dhe prodhoi një datë zgjedhjesh ku LSI garon për të dalë forcë e parë politike.

Vasili tha sot se marrëveshja nuk e cënon LSI-në edhe pse hyn në zgjedhje pa koalicione.

LSI, qartësisht nuk ka asnjë përgjegjësi politike për këtë gjë. Megjithëse kjo nuk e cenon absolutisht LSI-në, në asnjë pikëpamje dhe në asnjë koncept, megjithatë ajo ka mbështetur krijimin e hapësirave sa më të plota, sa më të gjera të përfaqësimit dhe zgjedhjeve në respekt të ligjit, të partive politike dhe përfaqësimit sa më të shëndoshë dhe real të tyre.
Por, për fat të keq kjo gjë nuk ndodhi. Megjithatë, gara është përpara dhe kjo garë, sot, qartësisht, mua të parit, por edhe çdo anëtar të LSI-së, simpatizantë, mbështetës, votues që është bindur duke parë LSI-në të votojë LSI-në, që të realizojë objektivin e saj të padiskutueshëm, të patjetërsueshëm, pra objektiv unik, për të qenë forcë e parë në këtë vend
”, tha Vasili në një konferencë për shtyp.

Sipas kreut të LSI, marrëveshja prodhoi disa të mira të mëdha.

Nga gjithë marrëveshja politike, jam interesuar vetëm për këto pika, që kemi një datë zgjedhjesh që është 25 Qershori dhe që jemi në një garë gjithëpërfshirëse dhe 3 forcat politike zbresin në fushë ku objektiv i LSI është të dalë forcë e parë”.

Pyetjes, "a ju vjen keq që nuk do të jeni pjesë e koalicionit me PS", Vasili iu pergjigj se LSI ofroi gjithcka për të shmangur krizën:
"Ne sot kemi një marrëveshje politike që ka mundësuar një garë elektorale të barabartë që të shkojmë më të qetë në zgjedhje dhe institucionet që dalin prej tyre.
të gjithë elementët e tjerë janë tërësisht të parëndësishëm dhe interesimi i LSI është ky objektiv që të jemi forcë e parë
".

Z.Vasili, keni deklaruar dje që jeni informuar nga mediat që nuk do të ishit më Ministër i Drejtësisë? Pra, aleati strategjik i z. Rama, LSI-ja, nuk është pyetur fare kur u arrit kjo marrëveshje. A ka më kuptim marrëveshja që ju keni me PS për të bashkëqeverisur, do të vazhdoni të rrini të treja partitë në këtë qeveri? Do t’i mbani ju sërish ministrat që keni?
Kryesore dhe thelbësore është një çështje dhe vetëm një. Ne sot kemi një marrëveshje politike që ka mundësuar një garë elektorale të barabartë, ka mundësuar që të shkojmë më të qetë në zgjedhje dhe ka siguruar një legjitimitet institucionesh që dalin prej këtyre.
Sigurisht, kjo ka mundësuar që të shkojmë te qytetarët dhe të vlerësohemi atje për atë çfarë themi dhe atë çfarë kemi bërë realisht dhe që janë në sytë tuaja. Të gjithë elementet e tjera janë krejtësisht të parëndësishëm.
Sot, i gjithë përqendrimi im personal dhe i LSI-së, nga i pari te i fundit, është pikërisht te këto objektiva. Të realizojmë një objektiv që është padiskutim forcë e parë dhe kemi bërë shumë mirë dhe jemi shumë të lumtur që, ajo që insistuam që në ditën e parë të fillimit të kësaj krize, pra që duhet të ecim me çdo mjet dhe çdo sakrificë për të realizuar zgjedhje gjithëpërfshirëse, u realizua.

Mbrëmë jeni cituar gjerësisht se keni deklaruar sa i përket çështjes së koalicioneve, e keni cilësuar si anti-kushtetuese faktin që nuk u është dhënë mundësia partive të garojnë përmes koalicioneve. Nëse ky citim i juaji në media është i saktë doja t’ju pyesja përse atëherë LSI-ja vendos të marri pjesë në një garë ku të paktën një element i kësaj gare e cilëson si anti-kushtetuese, ku është mohuar një e drejtë e tillë?
Pyetje e dytë është komentuar gjerërsisht nga analistët marrëveshja e bërë publike ditën e djeshme si nj hap i parë drejt një bashkëqeverisjeje mes PS-së dhe PD-së, doja një koment nga ana juaj për një skenar të tillë?

Me mirëkuptimin tuaj kam një koment të vetëm, shterues për të dyja pyetjet tuaja. Sot jemi në një situatë më të qartë politike, shumë më të qartë. Kemi një datë zgjedhjesh, kemi të gjitha forcat politike në fushë. Kemi një qetësi publike më të lartë. Kemi realizuar pra një objektiv. Të evitojmë, e thashë edhe një herë tjetër, kaosin dhe ecjen në drejtime të rrezikshme të vendit. Pra stabilitetit dhe sigurisë i kemi bërë një shërbim shumë të madh në atë që LSI ka pasur konstante që të ofronte gjithçka, të bënte çdo gjë që kriza të evitohej, duke ofruar edhe të gjitha pozicionet publike, deri dhe të rikthente pozicionin e Presidentit.
Tashmë garën e kemi dhe i gjithë përqendrimi im dhe i LSI-së nuk është në asnjë moment tjetër pasi marrëveshja është kryer, por të përqendruar pasi nuk e kam parë kurrë në 12 vitet e LSI-së, LSI-në të jetë forcë e parë dhe ta ndajë vetëm një hap nga formalizimi i saj në 25 qershor. Kjo çështje qëndron këtu, ky është një objektiv i patjetërsueshëm, energjitë janë të përqendruara në këtë pikë. Të gjithë të tjerat janë pastaj elemente besoj të parëndësishme.

Z. Vasili a e konsideroni marrëveshjen PS-LSI të cenuar në mënyrë të njëanshme nga kryeministri Rama pasi ju hoqi pa ju pyetur një ministër dhe tre drejtorë?
Në këtë moment na ndajnë 36 ditë nga zgjedhjet. E rëndësishme është vetëm një gjë, të ecim përpara dhe të binim çdo qytetar që ka shumë mundësi se po të qeveriset ndryshe ky vend dhe LSI të jetë forcë e parë, ka një shans për shumë për ato që elemente thelbësore të përditshmërisë së tyre dhe të raportit që kanë në familje dhe me shoqërinë.
Të gjithë elementet e tjera, të gjithë diskutimet e tjera, nuk kanë asnjë lloj rëndësie dhe kanë rënë, pasi prevalon dhe është madhore vetëm dhe vetëm ky objektiv, ky synim dhe ky përqendrim i cili është më afër se kurrë ndonjëherë.

Z. Vasili ju keni këtë objektiv të dilni forcë e parë në zgjedhje, me kë do të bashkëqeverisni duke bërë koalicion paszgjedhor, e kemi menduar?
Ne kemi menduar dhe po punojmë që të dalim forcë e parë politike. Ky është objektivi dhe këtë duam të realizojmë deri në 25 qershor. Të gjithë diskutimet dhe debatet e tjera do të zhvillohen pasi të kemi realizuar përfundimisht këtë objektiv nga i cili nuk do të kthehemi pas.

Një pjesë e marrëveshjes duket se shtrihet përtej legjislaturës aktuale dhe krizës aktuale që ka të bëjë dhe me përfshirjen e PD në zgjedhje, ka dy pika që flasin për një marrëveshje dhe legjislaturën e ardhshme për reformë zgjedhore dhe reformë kushtetuese. Duket sikur dy partitë më të mëdha kanë një dakordësi në parim për të prekur vetë themelet mbi të cilat qëndron shteti. Si e shikoni ju këtë gjë? Një marrëveshje e tillë, me nuhatjen që keni ju, a ju sjell ndërmend vitin 2008 kur dy partitë më të mëdha tentuan që të nxirrnin jashtë loje LSI?
Nga e gjithë marrëveshja politike më intereson dhe jam i përqendruar vetëm në një pikë, që kemi një datë përfundimtare zgjedhjes në 25 qershor dhe kemi mundësi që të garojmë si të barabartë. Gjë që ka qenë jo e mundur në të shkuarën. Tani më  jemi ne në fushë dhe qytetarët përballë nesh. Kam bindjen që këtë bashkëbisedim me qytetarët do ta fitojmë.
Kemi motive të jashtëzakonshme pasi kemi investuar pozitivitet dhe konstruktivitet, por edhe sakrifica nga vetja sa asnjë tjetër. Kjo ka qenë e gjitha në emër dhe në të mirë të vendit. Jam i bindur që do të vlerësohem. Jam i bindur tek zgjuarsia dhe tek mençuria e shqiptarëve.
Nuk kam asnjë mëdyshje në gjithçka që them dhe të jeni të bindur se do të shikoni një rezultat të cilin do të jetë aq spektakolar sa që edhe kur të kemi takime të përbashkëta do t’i kujtoni fjalët e mia dhe njëkohësisht  do të jepni të drejtë që i quaj krejtësisht të pa rëndësishme të gjitha konsideratat apo elementet e tjera politikë.

(d.b/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Pogradec/ Po lundronin me kanoe në liqen e humbën kontaktet, policia ndihmon babanë me 2 fëmijët e mitur

Pogradec/ Po lundronin me kanoe në liqen e humbën kontaktet, policia ndihmon babanë me 2 fëmijët e mitur