Deklaratë për shtyp e kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim,  Petrit Vasili
Kryetari i grupit Parlamentar te LSI-se, Petrit Vasili
TIRANË, 24 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, është shprehur sot për mediat se marrja e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria, "është një ditë e gëzueshme për të gjithë, një gëzim i cili vetëm i bashkon të gjithë, nuk ndan kurrkënd".
"Duke qenë projekt i çdo shqiptari ne sot ndihemi absolutisht më të motivuar se kurrë. Reformat të cilat kërkojnë mazhorancën dhe opozitën së bashku krah për krah, të jenë prioritare dhe të bashkojnë gjithmonë politikën dhe shqiptarët", tha Vasili në deklaratën e tij.
"Sot në këtë ditë shumë të veçantë dhe mbi të gjitha të shumëpritur për miliona shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo që ndodhen në botë. Ne jemi këtu para jush për t'i uruar ata, sepse fituesit e mëdhenj dhe merita kryesore për këtë arritje të madhe u shkon pikërisht atyre, besimit, dashurisë së tyre pafund dhe bindjes se Europa është dhe mbetet projekti i vetëm i çdo shqiptari. Kjo është një arritje e cila është merituar prej kohës, për gjithçka që shqiptarët dhe i gjithë atdheu ynë ka bërë për ta fituar këtë mundësi, për ta fituar këtë të drejtë, për ta fituar këtë pozicion të ri të veçantë në raport me Europën dhe sot ndodhemi në një moment të konkludimit të kësaj faze tepër të rëndësishme dhe fillimit të një faze të re. Por, tashmë duke parë Europën dhe duke i parë europianët dhe ata ne me një sy tjetër", ka theksuar Vasili.
Sigurisht, ka vijuar ai, "që është një ditë e gëzueshme për të gjithë, një gëzim i cili vetëm i bashkon të gjithë, nuk ndan kërrkënd. Dhe që sigurisht shuan edhe kufijtë e politikës dhe është vendi për të gëzuar të gjithë mazhorancë dhe opozitës. Është natyrshëm një sukses i cili do të mbetet i skalitur në historinë e Aleancës për Shqipërinë Europiane, sepse konkludoi një rrugë të gjatë, të shumëpritur, i dha fund një ankthi të një pritjeje, por të një pritjeje shpresëdhënëse, duke na prurë në këtë moment të ri i cili na vendos përpara përgjegjësive të reja dhe punëve të reja, por me një moral të ri dhe me një dinjitet të ri".
Pikërisht në këtë moment, është shprehur Vasili, "ne duhet të bëjmë me bindje të plotë dhe me shumë zemër një falënderim shumë të madh për të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve të cilët morën vendimin e shumëpritur për çdo shqiptar. Është sigurisht momenti i madh për të falënderuar Komisionin Europian për të gjithë vlerësimet pozitive që ai bëri për Shqipërinë në mënyrë sistematike dhe që i hapën rrugën këtij momenti, e ku spikat në mënyrë të veçantë roli dhe për këtë meriton një falënderim të veçantë komisioneri Stefan Fyle, i cili me këmbëngulje dhe me besim ishte gjithmonë me bindje të fortë se Shqipëria do ta arrinte këtë gjë dhe militoi për të pa u kursyer dhe duke dalë mbi çdo lloj problematike dhe konflikti të ditës".
"Njëkohësisht një falënderim shkon edhe për Presidencën greke, e cila në motivim të plotë që ditën e parë të kryesimit të Bashkimit Europian në këto 6 muaj, militoi fort në pozicionin që ajo kishte për fitimin e statusit të vendit kandidat. Sigurisht, ky status, ky moment, është njëkohësisht dhe një njohje legjitime e të gjitha arritjeve të Shqipërisë ndër vite, pra është konkludimi i një procesi të gjatë dhe jo i një dite të vetme dhe sigurisht që falënderimi dhe merita shkon për të gjitha ata dhe për këdo që militoi e vuri një tullë në këtë rrugë të gjatë dhe tepër të rëndësishme për të arritur deri në këtë fazë të re", ka theksuar Vasili.
Sigurisht, ka shtuar kreu i grupit prlamentar të LSI-së, "që duke qenë projekt i çdo shqiptari ne sot ndihemi absolutisht më të motivuar se kurrë, por mbi të gjitha Shqipëria dhe çdo shqiptar ka ndjerë sot një gëzim të thellë, i cili i ka munguar prej kohës dhe ku natyrshëm secili e ka ndjerë veten dhe më shumë evropian, e ka ndjerë veten edhe më shumë dinjitoz dhe njëkohësisht e ka ndjerë veten shumë më të përgjegjshëm për çdo detyrë dhe për çdo sakrificë që do na duhet të përballojmë në të ardhmen në emër të atij ideali evropian, i cili pas 23 vjetësh të stërmundimshme më në fund gjen një finalizim të lumtur për të gjithë".
Ndaj, ka vijuar Vasili, "përgjegjësia e lartë që na rrjedh nga ky moment i madh është që ato reforma të pandalshme ajo puna e palodhur që e shoqëron një vend i cili hyri në rrugën e Evropës ne duhet të na bashkojë të gjithë në mënyrë që reformat të cilat kërkojnë mazhorancën dhe opozitën së bashku krah për krah, në mënyrë të veçantë ato reforma thelbësore që kanë lidhje me rrugëtimin tonë të ardhshëm, që na pret për anëtarësimin si vend i BE-së, të jenë prioritare dhe të bashkojnë gjithmonë politikën dhe shqiptarët e të mos na ndajnë asnjëherë atë".
Vasili ka uruar të gjithë shqiptarët, por edhe mediat. "Uroj edhe njerëzit e vyer të medias shqiptare të cilët kanë pasqyruar çast pas çasti jo vetëm këtë momentin, por edhe të gjithë momentet që i paraprinë, duke menduar e duke pasur bindjen se këtë komunikim të hapur me ju dhe nëpërmjet jush me të gjithë shqiptarët mund ta vazhdojmë edhe në të ardhmen, por tashmë me një status të ri me një moment të ri të një vendi kandidat në Bashkimin Evropian", ka përfunduar deklaratën e tij për shtyp kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. /a.ke/