ROMË -  Paqja kërkon që ''vëllazëria'', që njerëzit të jenë një “familje e vetme” dhe kjo manifestohet  në lidhje mirësie, të shenjuara nga një vëllazëri reale dhe jo vetëm të shpallura me fjalë'', ka thënë Papa gjatë meditimit të lutjes, duke ftuar gjithë katolikët, të krishterët, besimtarët e feve të tjera dhe njerëzit vullnetmirë.  
 
''Lufta është një dështim për njerëzimin. Në çdo luftë bëjmë të rilindë Kaini. Ne të gjithë, edhe sot vijojmë këtë histori të ndeshjes mes vëllezërve, ngrëmë dorën kundër kujt është vëlla”, ka shtuar Papa, duke shtuar se idhujt e pushtetit sjellin “dhunë, indiferencë, konflikt”.
 
''Kemi përsosur armët tona, ndërgjegja jonë është përgjumur. Kemi bërë më të holla arsyet për të justifikuar ato dhe si të ishte diçka normale vijojmë të mbjellim shkatërrim, dhimbje, vdekje”.
 
''Duhet të marrë fund zhurma e armëve''. ''Jo përleshje, por takim''. Dhe me Paolo VI themi se ''paqja pohohet vetëm me paqe, jo e ndarë nga detyrat e drejtësisë'', ka thënë Papa.
 
''Falje, dialog,  pajtim, janë fjalët e paqes në kombin e dashur sirian, në Lindjen e Mesme, në gjithë botën”, ka thënë Papa, duke cituar: ''Të punojmë për paqen, të bëhemi të gjithë, në çdo ambient, burra dhe gra pajtimtarë të paqes”.
 
ORA 19:00- PAPA FRANÇESKU DHE BESIMTARËT MBUSHIN SHESHIN SHËN PJETËR
Pak minuta para orës 19:00 Papa Françesku ka mbërritur në krye të sheshit Shën Pjetrit për lutjen për paqe në Siri, Lindjen e Mesme dhe gjithë botën.

Nis dalëngadalë të mbushet me mijëra vetë sheshi Shën Pjetër në ditën e agjërimit kundër luftës. Mes njerëzve, besimtarë, të huaj, turistë, familjarë me fëmijë të vegjël, që mbushin vendet në shesh.

Ka edhe qytetarë sirianë, që mbanin një flamur të Sirisë.

Pak orë para orës 19:00, kur nisi lutja në shesh, Papa në Facebook dhe Twitter kishte shkruar: "Lutuni për paqen!"

ORA 15:00 - VATIKANI PËRGATITET PËR AGJËRIMIN DHE LUTJEN PËR PAQE NË SIRI
Një italian në 4 do të marrin pjesë në `agjërimin` dhe lutjet e Papës, që do të mbahet për paqen në Siri dhe në botë.

Në këtë apel që Papa Françesku ka bërë disa ditë më parë, do t`i bashkohen gjysma e katolikëve praktikantë, që do të thotë 55% e tyre. 

Dita e agjërimit, do të zhvillohet sipas rregullave të vetë Kishës Katolike, që do të thotë, një vakt të vetëm në 24 orë, nga ku përjashtohen të moshuarit dhe të sëmurët, 

Ora 16:30 do të jetë ora e hapjes së sheshit për të gjithë ata që do të marrin pjesë në lutjet, që do të nisin rreth orës 19, e që do të vijojnë deri në orën 23. 

Sheshi `San Pietro` pritet të mbushet nga besimtarë të feve të ndryshme dhe nga njerëz që me dëshirën e mirë kërkojnë paqe në botë. 

Papa Francesco, gjatë meshës së përjavshme të së dielës, ka bërë një apel për një ditë lutje dhe agjërimi për paqen në Siri dhe në botë. 

Ai ka ftuar "vëllezërit katolikë" dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjerë, që të bëhen pjesë e kësaj lutjeje. 

Gjithashtu pritet të marrin pjesë edhe ministrat e qeverisë italiane, parlamentarë dhe gjithashtu nuk përjashtohet dhe prania e myftiu të madh të Damaskut.

Iniciativën e Papës e kanë mbështetur edhe përfaqësuesit e botës së spektaklit, si: Gianni Morandi, Claudia Mori, Adriano Celentano dhe Flavio Insinna.

papa francesku
(Në foto: Papa Françesku në çastet e lutjes sot në Shën Pjetër para besimtarëve rreth orës 19:00)

papa
(Fotoja e Papës, postuar në faqen e tij në Twitter dhe Facebook, e cila shoqërohej me fjalët: Lutuni për paqe!".)

vatikani
(Në foto: Besimtarët e mbledhur sot në Shën Pjetër për paqe në Siri).

siria
(Në foto: Shtetas sirian, duke mbajtur në shpinë flamurin e Sirisë në Shën Pjetër). 


Redaksia online
(sg/mag/shqiptarja.com)