VATIKAN - Pas kthimit në Selinë e Shenjtë nga vizita në Shqipëri Papa Françesku ka firmosur arrestimin e ish-nuncit apostolik 66-vjeçari, Józef Wesolowski, pasi akuzohet për pedofili.
 
66-vjeçari Wesolowski ka shërbyer si nunc apostolik në Republikën Dominikane nga viti 2008 duke u larguar më pas në vitin 2013 nga ky post nga Papa Françesku, pas skandaleve të publikuara për pedofili. Ky i fundit e thirri në Vatikan për të zhvilluar edhe një gjyq të brendshëm.
 
Nga muaji qershor i këtij viti, shtypi i Vatikanit ka bërë të ditur se ish-nunci apostolik ka qenë nën vëzhgim dhe ka pasur liri të kufizuar lëvizëse deri në përfundim të hetimeve.
 
Kjo është hera e parë që Vatikani arreston një klerik të lartë, një ish-nunc të akuzuar për pedofili dhe këtë e bën pikërisht në shtetin e vet, me gjykatën e saj të brendshme, me vullnetin e hapur të Papa Françeskut.
 
Lajmi për arrestimin e tij është bërë publik nga Federico Lombardi, zëdhënës i Vatikanit.
 
“Iniciativa e organeve gjyqësore të Shtetit të Vatikanit zbaton kërkesën e bërë nga Papa që një rast i tillë kaq i rëndë dhe delikat të zgjidhet pa zvarritje, duke iu përmbajtur rigorozitetit të nevojshëm dhe duke ndërmarrë përsipër përgjegjësinë e organeve të Selisë së Shenjtë”- deklaroi Lombardi.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)