Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi se pavarësisht rezultatit të negociatave me Iranin, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë veten fituese. Duke folur për mediat nga oborri i Shtëpisë së Bardhë, teksa në Islamabad vijojnë bisedimet mes palëve, Trump tha se po merr “shumë raportime” nga takimet që kanë zgjatur për orë të tëra.

“Pavarësisht çfarë ndodh, ne fitojmë. E kemi mundur plotësisht atë vend”, u shpreh ai.

Trump theksoi se për të “nuk bën asnjë ndryshim” nëse arrihet apo jo një marrëveshje me Iranin, duke përsëritur pretendimet se SHBA ka goditur rëndë kapacitetet ushtarake dhe udhëheqjen iraniane. Ai shtoi se SHBA po punon për hapjen e ngushticës së Hormuzit, në emër të vendeve që sipas tij janë “të frikësuara, të dobëta apo të lira”.

Presidenti amerikan kritikoi gjithashtu NATO-n, duke thënë se aleanca nuk ka ofruar mbështetje.

Sa i përket negociatave, Trump u shpreh i pasigurt për rezultatin: “Le të shohim çfarë ndodh, por nga këndvështrimi im nuk më intereson”.

Në të njëjtën linjë, ai deklaroi se SHBA është në mes të bisedimeve “shumë të thella” me Iranin, por pranoi se nuk ka garanci për një marrëveshje: “Ndoshta do të ketë një marrëveshje, ndoshta jo. Në çdo rast, nuk bën asnjë ndryshim për mua”.

Në fund, Trump paralajmëroi edhe Kinën, duke theksuar se do të përballet me “probleme të mëdha” nëse furnizon Iranin me armë.


Lajmi kryesor:

Lufta/ SHBA-Iran negociata në Pakistan, Trump: Edhe nëse nuk arrihet marrëveshje, për mua s’ka rëndësi! 2 anije luftarake amerikane në Hormuz për pastrimin e minave