Opozita siriane raporton për një tjetër masakër mbi popullatën nga ana e forcave qeveritare. 17 persona, mes tyre gra e fëmijë, janë vrarë si pasojë e bombardimeve në Deraa. Aktivistët thanë se goditjet me artileri nisën dje natën pas lutjeve të mbrëmjes me një ritëm që dëshmitarët e përshkruan si ‘histerik’.

Deraa është një nga qendrat e rezistencës anti Assad dhe një nga qytetet ku luftimet nisën që vitin e kaluar, në fillim të lëvizjes kryengritëse.

Vëzhguesit e OKB ndërkohë vazhdojnë të mbledhin fakte në fshatin Qubair ku opozita thotë se janë masakruar rreth 80 banorë. Në fshat nuk janë gjetur trupa dhe aktivistët thonë se forcat qeveritare i kanë lëvizur ato pas masakrës, por ende nuk ka një version nga vëzhguesit në lidhje me këto pohime. Një gazetar i BBC që lëvizi brenda fshatit bashkë me vëzhguesit raportoi për shtëpi të djegura dhe se vinte erë e mishit të djegur kudo në fshat.

Qubair është një fshat i vogël me vetëm 130 banorë dhe nuk duhet të jetë shumë e vështirë për të gjetur nëse 78 nga këta banorë janë vrarë ose jo.

(ep/shqiptarja.com)