Policia franceze ka nisur një hetim për vrasje pasi një aktivist i ekstremit të djathtë ndërroi jetë në spital, pasi ishte rrahur në një sulm që ka nxitur tensione politike në Francë.

Quentin Deranque, një student 23-vjeçar në degën e matematikës, vdiq nga një dëmtim i rëndë në tru gjatë fundjavës, shkruan The Guardian.

Prokurori i Lionit, Thierry Dran, tha se Deranque u sulmua nga të paktën gjashtë persona të maskuar. Policia po punonte për të identifikuar të dyshuarit dhe nuk ishte bërë asnjë arrestim, sipas prokurorit.

Deranque u sulmua të enjten në një protestë që mbahej kundër një konference universitare ku mori pjesë Rima Hassan, një anëtare e parlamentit evropian për partinë e majtë të Jean-Luc Mélenchon, La France Insoumise (LFI).

Organizata anti-imigracion Nemesis, i cili është afër të djathtës ekstreme, po protestonte kundër konferencës. Nemesis tha në fundjavë se Deranque kishte qenë i pranishëm për të mbrojtur anëtarët e saj dhe u sulmua nga aktivistë antifashistë.

Avokati i familjes së Deranque tha në një deklaratë për mediat franceze se studenti ishte zënë në pritë nga “individë të organizuar dhe të trajnuar, shumë më të mëdhenj në numër dhe të armatosur, disa me fytyra të maskuara”.

Avokati i tha Le Monde se Deranque nuk ishte pjesë e sigurisë për asnjë organizatë, nuk kishte të kaluar kriminale dhe mbrojti bindjet e tij politike “në një mënyrë jo të dhunshme”.

Vdekja e tij ka ndezur përçarje politike në Francë përpara zgjedhjeve bashkiake dhe garës presidenciale të vitit të ardhshëm.