TIRANE- Aksidenti i të shtunës në autostradën Tiranë-Durrës, ku humbi jetën Atjon Zhiti, djali i poetit Visar Zhiti, për Policinë Rrugore ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të sinjalistikës rrugore nga drejtuesi i motorit Serxhio Matiani.
 
Në këtë përfundim ka arritur grupi i ekspertëve të cilët kanë hetuar shkaqet e aksidentit, ku kanë kërkuar nga policia më pas prangosjen e Matianit nën akuzën e mosrespektimit të Kodit Rrugor dhe shkaktimit të aksidentit me pasojë vdekjen.
 
“A1 Report” ka mundur të mësojë nga grupi i ekspertëve, se shkak ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara, ku në momentin e përplasjes me bordurën motori i drejtuar nga Serxhio Matiani udhëtonte me 120 km në orë në një aks rrugor ku tabela thotë 40 km/h.
 
Procedimi penal i është komunikuar Matianit në ambientet e spitalit të Traumës në kryeqytet ku ai ndodhet për kurim pas aksidentit, pasi dhe vetë ai ka pësuar dëmtime.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)