Ai e vlerësoi Perlat Ramçen si një trashëgimtar i vlerave më të mira të një prej familjeve më të nderuara të Malësisë së Madhe.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta dhe ikjen e beftë të njeriut të mirë Perlat Ramçe. Perlati ishte një mik i mrekullueshëm që fatkeqësisht nuk e fitoi dot betejën e fundme, betejën me armikun e lig, sëmundjen e rëndë që e mori në mënyrë të papritur. I angazhuar që herët në politikë, kryetar i bashkisë së Koplikut që në vitet e para të pluralizmit, bir dhe trashëgimtar i vlerave më të mira të një prej familjeve më të mëdha e më të nderuara të Malësisë së Madhe, Perlati u bë shpejt një pikë e rëndësishme referimi për politikën lokale në përgjithësi dhe për të majtën shqiptare në veçanti, për të gjithë zonën”, - shkruan Meta në mesazhin e ngushëllimit.
Meta ka shtuar se, Perlat Ramçe ishte një nga drejtuesit e aftë që mbajti dhe ushtroi disa detyra të rëndësishme në vitet e fundit në Malësi të Madhe dhe se ishte një kontribuues i çmuar për njerëzit.
“Perlati ishte gjithashtu një nga drejtuesit e aftë që mbajti dhe ushtroi disa detyra të rëndësishme në vitet e fundit në Malësi të Madhe. Mikpritës i rrallë dhe komunikues i aftë, natyrë e fortë njerëzore dhe një kontribuues i çmuar për njerëzit, Perlati la pas një nga ato boshllëqe që është vështirë të mbushen. Perlati la në pikëllim gruan, vajzën dhe djalin e tij, shokët dhe miqtë e tij të shumtë, por Ai la pas emrin e mirë dhe një kujtim të paharruar për gjithkënd që pati fatin ta njohë. Unë humba një mik, vlera e të cilit bëhet edhe më e madhe dhe pesha humbjes së tij, bëhet edhe më e rëndë, nga ikja e papritur. Ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, - shkruhet ndër të tjera në mesazhin që Kryetari i Kuvendit i drejton familjes Ramçe.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)