Nga Kosova në Irak, nga Shqiperi ne Afganistani, ish-zyrtari i OKB-së dhe BE-së ishte për 40 vjet një shoqërues i jashtëzakonshëm për qindra gazetarë, ushtarakë dhe politikanë. Eleganca dhe vetëpërmbajtja e tij ishin proverbiale: u zemërua vetëm një herë, me një parlamentar italian në Bosnjë.

“Urdhëro”. Alo, më thuaj, jam në dispozicion! Në telefon, me Andrea Angelin përshëndetja ishte gjithmonë kështu. Një fjalë e vogël, e përdorur nga ushtarët shqiptarë, që për Andrean përmblidhte gjithë gatishmërinë e tij për të ndihmuar: ja ku jam, i dashur novinar, i nderuar gazetar, i dashur gazetar që punon në Ballkan, jam këtu, gati të të jap një dorë.

Një numër telefoni, një email, një kontakt: nuk kishte gjeneral apo ambasador, zyrtar ndërkombëtar apo kapelan ushtarak, ushtar të thjeshtë apo veteran të trupave alpine që ai të mos e njihte dhe me të cilin të mos kishte ruajtur miqësinë edhe shumë vite pas asaj missioni, asaj ceremonie apo atij bombardimi.

Njeriu “who was always there”, ai që ishte gjithmonë aty, tha për të ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së, Javier Solana. “I vetmi që në Nasiriyah lëvizte pa eskortë dhe pa armë”, shkroi për të Bernardo Valli, një prej emrave më të mëdhenj të gazetarisë italiane të luftës:

“Angeli ishte aty kur ushtarët tanë hidheshin në erë pranë Eufratit, në Ballkan apo në Afganistan. Ishte aty kur në Sarajevë avionët uleshin nën zjarrin e mortajave. Ishte aty kur, në katin e 38-të të Pallatit të Qelqtë, zgjidheshin njerëzit më të mirë për krizat më të këqija. Nuk ishte aty, por ishte sikur të kishte qenë, kur një kamikaz vrau Sergio Vieira de Mellon, përfaqësuesin special të OKB-së në Bagdad, mishërimin e Kombeve të Bashkuara që unë do të doja.”

Profesioni: paqeruajtës

Djali i një mjeku nga Modena që ishte vendosur në rajonin Marche, Andrea vdiq papritur në moshën 69-vjeçare, në shtëpinë që sapo kishte blerë në Macerata, qyteti ku ishte kthyer për të jetuar.

Për lexuesit, emri i tij mund të mos jetë i njohur. Por një pjesë e madhe e informacionit nga frontet e luftës, që për dekada është publikuar në mediat italiane, i detyrohet pikërisht atij.

Për gati 40 vjet, ai ishte zyrtar për shtypin dhe një prej italianëve kyç në shumë misione të OKB-së dhe BE-së.

“Nga Timori Lindor në Namibi, deri në Shqipëri: nuk lashë gjë pa provuar”, tregonte ai në Professione peacekeeper, libri që përmbledh kuptimin e jetës së tij dhe të qëndrimit mes luftërave: një rrugëtim i gjatë dhe i vetmuar si ndërtues paqeje, pa u rrëzuar nën peshën e dhimbjes së të tjerëve.

Dhe luftëra e kriza ndërkombëtare kishte parë shumë: Kamboxhian dhe Kilin që në vitet ’80, e deri në Kosovë tetë vjet më parë, kur u thirr të rikthehej nga pensioni i OKB-së, sepse asnjë zyrtar nuk e njihte Ballkanin aq mirë sa ai.

“Shkova te sporteli i biletave në portin e Ankonës për të marrë një traget drejt Splitit”, tregonte ai për aventurën e fundit. “Punonjësja e vjetër, ndërsa plotësonte formularin, tha e habitur: ‘Ah, Andrea Angeli...! E dini që keni të njëjtin emër me një zyrtar të OKB-së që nisej gjithmonë nga këtu gjatë luftës në Bosnjë?’. Dhe unë, duke qeshur, i thashë: ‘Më shikoni më mirë, zonjë: ju dukem vërtet kaq i plakur?’”

Nga Prishtina në Irak, i vetëm me një Panda

Andrea dukej sikur nuk plakej, përveç periudhës së fundit të sëmundjes. Jetonte me gjërat më thelbësore dhe pothuajse nuk hante kurrë. Mund ta gjeje me xhaketë dhe kravatë edhe në shkretëtirën e Nasiriyahut. Asnjëherë i çrregullt.

Një herë udhëtoi me makinë nga Prishtina deri në Irak, krejt i vetëm, me një Fiat Panda dhe, sapo mbërriti, nxori nga çanta një këmishë të papërlyer.

Një herë tjetër, me një Renault 4 të vjetër me targa TR — Tiranë? “Jo, Terni” — vetëm për të arritur një grup ushtarësh italianë bersaglieri, përshkoi kilometra të tërë në dëborën e Ballkanit, natën dhe pa goma me thumba.

Me xhaketën blu dhe jelekun antiplumb, edhe mes reporterëve që kishin javë pa u rruar dhe ushtarëve me duart e nxira nga puna, ai i rezistonte në këtë mënyrë shëmtisë që haste përreth.

I buzëqeshur, por rrallë optimist.

“Rrugët e paqeruajtjes nuk janë të pafundme”, arsyetonte ai. “Nuk mund të vazhdosh vetëm duke vënë arna.”

Merrte si shembull Kabulin, të cilin e njihte mirë, duke parashikuar kolapsin që do të vinte:

“Në Afganistan po humbasim, sepse vetëm po vendosim arna mbi një pëlhurë të shqyer. Sa më shumë vite kalojnë, aq më shumë ai do të bëhet një vend i pamundur.”

Frika dukej se nuk kishte vend tek ai. “Plumbat më të këqij nuk janë ata që të vijnë në luftë”, thoshte, duke iu referuar “zjarrit miqësor” me të cilin, si italian në vijën e parë, duhej gjithmonë të llogariste.

Lotët e tij për Vanzan, Rugovën dhe De Mellon

Kishte shtëpi në qendër të Romës dhe në Manhattan, makina të bukura në garazh, por nuk i përdorte shumë as njërat, as të tjerat.

“Kam kaluar më shumë net në një krevat ushtarak sesa në një shtrat të vërtetë”, thoshte.

Kishte punuar me Bettino Craxin në Nju Jork, një “përvojë të paharrueshme”, ndërsa modelet e tij në diplomaci ishin Carl Bildt dhe Bernard Kouchner, të cilët kishin shërbyer si ministra të Jashtëm të Suedisë dhe Francës.

“Kam mësuar shumë duke punuar krah për krah me ta gjatë rrethimit të Sarajevës.”

I urrente celularët, por ishte i dënuar të merrte 100 telefonata në ditë. Nuk kishte ushtarak apo gazetar që të mos e kërkonte gjatë misioneve.

Dhe pothuajse askush nuk e kishte parë të humbiste qetësinë.

“Vetëm një herë, në Bosnjë, me një parlamentar italian: kërkonte që unë t'ua ndaloja televizioneve transmetimin e pamjeve të rënda në orarin e drekës. Sikur kjo të ishte detyra ime...”

Angeli ishte një njeri i lirë. Dhe pikërisht për këtë ishte i çmuar për këdo që kërkonte lirinë për të informuar përtej komunikatave të kontrolluara ushtarake dhe censurës politike.

Botën e reporterëve të luftës e donte ndoshta edhe më shumë se atë të ushtarakëve dhe bënte gjithçka për t’i ndihmuar, ndonjëherë edhe duke rrezikuar vetë.

“Pse nuk e pyet atë gjeneralin e NATO-s se çfarë mendon vërtet për amerikanët dhe dëshirën e tyre për të vendosur gjithmonë për gjithçka? Shiko se çfarë do të të përgjigjet...”

Mund ta ngacmoje pak për kujdesin pothuajse maniakal me të cilin të përshkruante çdo hollësi të karrierës së një oficeri. Por menjëherë më pas nuk dije si ta falënderoje për lajmet që ndërkohë t’i kishte dhënë me një natyrshmëri të pabesueshme, të fshehura mirë pas një perdeje deklaratash zyrtare.

Me gjithë atë që kishte parë, ndonjëherë gazetarët pyesnin veten nëse Andrea Angeli qante ndonjëherë.

Mund të dëshmojmë se po: qau kur pa të vdiste në Nasiriyah tetarin Matteo Vanzan.

Qau edhe kur i çoi gazetarët pranë arkivolit të Ibrahim Rugovës, “Gandhit të Ballkanit”, me të cilin ishte mik.

Por mbi të gjitha qau kur modeli i tij profesional, Sergio Vieira de Mello, u vra nga shpërthimi i një kamioni-bombë në Bagdad.

Ai mendonte njësoj si Bernardo Valli:

“Nuk vranë vetëm njeriun që ishte drejtuesi i të gjithë neve”, tha atëherë duke lënë emocionet të dilnin. “Vranë thelbin e punës sonë. Dhe atë që, në mënyrën time të vogël, jam përpjekur gjithmonë të jem edhe unë.”

Urdhëron, Andrea: ku ke përfunduar, pse nuk përgjigjesh?/CorrieredellaSera