Veli Blakçori: Ja çfarë ndodhi
me monumentin e Ismail Qemalit

Veli Blakçori: Ja çfarë ndodhi<br />me monumentin e Ismail Qemalit
TIRANE - Me vizatime të formatit të vogël, skica e portrete që të lënë shijen e poezisë së pikturës, por pa harruar asnjëherë skulpturat e tij, artisti i njohur kosovar Veli Blakçori ka çelur në Tiranë ekspozitën personale në galerinë FAB-të Universitetit të Arteve në Tiranë. Publiku shqiptar e njeh edhe si autorin e konkursit të fituar për shtatoren e Ismail Qemalit, së cilës iu dha çmimi i parë, por nuk shkoi kurrë në destinacionin që ishte nisur me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë, 28 Nëntor 1912.

Kjo histori e gjatë që lidhet me të gjitha historitë e abuzimeve të qeverisë Berisha dhe institucioneve të kulturës që nisën me manipulimin e historisë, tenderëve dhe konkurseve për veprat e 100-vjetorit të Pavarësisë, Blakçorit me të drejtë i duket e neveritshme dhe nuk ka dëshirë të flas rreth kësaj teme. E njëjta gjë po i ndodhka edhe në Prishtinë për shtatoren e Nënën Terezës.

Ka fituar konkursin dhe ashtu si boceti i Ismal Qemalit, vepra për shenjtoren dergjet depove të errëta pa adresë, me djallëzinë për ta refuzuar. Për artistin që jeton vetëm me artin e tij këto “lodra” institucionale kanë një kosto të rëndë. Por, edhe pse i ngrihen kaq shumë barriera, Blakçori s’e rresht krijimtarinë e tij. “Punë shumë të dashura” thotë për të piktori i njohur Vladimir Myrtezai, duke parë ekspozitën. Në një kënd spikat edhe një vepër interesante, portreti skulptural i piktorit të njohur me origjinë shqiptare, Omer Kaleshit.
 
Zoti Blakçori,shumë interesante këto skicat e vogla, cfarë vendi zënë ato në krijimtarinë tuaj si skulptor, iu paraprijnë veprave, apo janë art më vete?
 
Unë zgjohem dhe bie të fle me laps në dorë. E kultivoj shumë vizatimin dhe e konsideroj si një armë më të fortë për veten.
 
E dyta gjë që më bënë përshtypje është se në skulpturat e tua, torzot e grave janë pa krahë, pse kjo gjetje?
 
Është një koncept, që përqendron veprën tek detaji dhe kjo u ndodh edhe artisteve të tjerë. Mjaft artistë nuk dinë se ç’të bëjnë me ato duar, nuk din se ku t’i vendosin. Është mjaft më mirë kështu....
 
Nuk mund të mos na bjer në sy skulptura me portretin e një piktori shumë të dashur me origjinë shqiptare, Omer Kaleshi. Duke e njohur nga afër atë, befasohemi se na e ke sjellë të gjallë përpara sysh?
 
Omer Kaleshin e kam mik. Ishte në një aktivitet në Kosovë me piktorët e kolonisë. E kam mjaft të dashur atë portret artisti dhe prej kësaj dashurie e sjell të gjallë, ashtu si ai është në të vërtetë, me një shikim të të ngrohtë, por edhe i veçantë se ai ashtu është.

skulptura e ismail qemalit
(Në foto: Boçeti i Ismail Qemalit që fitoi çmimin e parë) 

Ju zoti Blakçori keni bërë edhe portrete historike, siç bëtë për 100-vjetorin e Pavarësisë Ismail Qemalin, atje në Kosovë Nënë Terezën...
 
Mua më pëlqejnë portretet edhe i bëj ato ashtu si më vijnë në pikturë , në skulpturë. Unë nuk merrem me tema të mëdha.
 
Nënë Tereza dhe Ismail Qemali nuk përfaqësojnë tema të mëdha?
 
Po sigurisht, ato si përjashtoj.
 
Si morët pjesë në konkursin për 100-vjetorin e Pavarësisë?
 
Për mua ka qenë kënaqësi e madhe që unë u ftova të marrë pjesë në atë konkurs. Edhe pse ishte kohë e ngushtuar bëra të gjitha përpjekjet, bëra më të mirën për Ismail Qemalin. Por kurrë nuk mendoja që unë do të jem një prej fituesve. Ka qenë kënaqësia më e madhe e jetës që unë të fitoja një konkurs të tillë, dhe u bë si u bë, vepra nuk u realizua dhe unë nuk i di arsyet, por dikush sigurisht i di...
 
Pra vepra juaj nuk shkoi në destinacion. Ku ndodhet ajo tani?
 
Unë nuk e di vendin, të them të drejtën, por e njëjta gjë me një vepër tjetër më ka ndodhur edhe në Kosovë. Unë jam gjithashtu fituesi i një konkursi, po aq të madh mbarëkombëtar. Dhe megjithëse unë morra verdiktin e kryetarit të jurisë se fitoi vepra ime, ajo punë nuk u realizua.
 
Pra u një shkëmbim me skulpturën e Odise Paskalit. Kështu u deklarua nga MKRS. U tha se do të vendosej vepra jote në muze dhe vepra e Paskalit në shesh?
 
Vendi për t’u vendosur nuk ka qenë Muzeu Kombëtar, por prapë u bë një këmbim, u bënë disa “lojna” dhe unë nuk duhet t’i hyjë asaj pune, nuk e bej dot unë si artist këtë punë. Kjo histori nuk ka lidhje me artin...
 
Po për monumentin e 100-vjetorit, mendon se është vepruar drejt. Si e gjykon artin e saj?
 
Nuk dua të hyj me komentu punët e të tjerëve. Për monumentin e pavarësisë nuk është qëlluar vendi ku është vendosur.
 
Për veprën tënde, e ke kërkuar të drejtën që ta shohësh të realizuar?
 
Kam pasur disa kontakte me Ministrinë e Kulturës. Më thonë “do të bëhet”, “do të shihemi”, kini durim.
 
Jua kanë dhënë vlerën që meritoni si fitues i Çmimit të Parë MK?
 
Unë kam marrë 50 për qind vetëm të vlerës limit të autorit për këtë çmim. Megjithatë të paktën ministrja e re më ka premtuar.

Po pse të ndodhi e njëjta fatkeqësi edheme rastin e shtatores së Nënë Terezës, a nuk duket se po ju diskriminojnë me këto vendime?
 
Po. Është bërë një padrejtësi. Është shpallur konkursi në Prishtinë dhe atje kam fituar. Ndoshta vendi atje është lënë për ndonjë tjetër. Ky është mendimi im subjektiv, por unë nisem nga fakti se afati që u përcaktua konkursi ishte tepër i limituar. Dikush do të ketë pasur ndonjë punë të gatshme që s’ka nevojë me harxhu derdhjen, ndaj mendoj se konkursi është manipuluar.
 
Në rastin e veprës së Tiranës, mos ndoshta juria ka ndërruar mendje pas konkursit, se Ismail Qemalin e bëre në pozicionin ulur. Pse ju erdhi ky mendim për modelin?
 
Mua nuk më erdhi, por këtë përzgjedhje e bëri Galeria Kombëtare. Unë kisha edhe variantin tjetër në këmbë. Kur dolëm fitues në rrethin e ngushtë na porositën që të bëjmë edhe nga një vepër në këmbë edhe nga një ulur për Ismalil Qemalin. Dhe ja u përzgjodh koncepti im i figurës së Ismail Qemalit në pozicion ulur.
 
Ju jeni fitues i disa çmimeve ndërkombëtarë si në Talia të Turqisë, në Finlandë, në Tripoli...
 
Unë nuk i ndjek shumë këto suksese se kam mjaft obligime, bëj skulpturat, kam edhe katër fëmijë, që edhe pse vështirë të rriten e konsideroj pa dyshim pasurinë më të madhe.
 
Nga cilat përvoja u formua stili juaj. Kam parasysh këtu që keni mbaruar shkollën e Artit Figurativ në Pejë, pastaj më thatë se u hap edhe Akademia e Arteve në Prishtinë?
 

Po. Në atë kohë nga viti i tretë i shkollës së mesme unë u transferova në Prishtinë me një konkurs, ku ka pasur profesor Myslim Mulliqin. Në atë periudhë ka pasur shkëmbim kulture edhe me shtetin shqiptar dhe kam marrë mësim nga Kristaq Rama, Montaz Dhrami,  Sali Shijaku dhe Dhorka Dhramo, që i përshëndes dhe kam konsideratë të veçantë për ata njerëz. Pas përfundimit të akademisë unë kam punuar pesë vjet në shkollën e artit figurativ. Kam ndërruar ndërkohë punën dhe kam punuar 20 vjet në gazetën e vetme ditore shqipe si karikaturist. Fusha ime ka qenë ekskluzivisht portreti. Pas luftës hapa një galeri të vogël në Prishtinë, dhe e kam edhe si studio pune.

Shkrimi u publikua sot 1 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena

Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena