Veliaj betohet si kryebashkiak 
"Le t'i futemi punës që nga sot"

Veliaj betohet si kryebashkiak <br />
TIRANË -  Betohem! Me këtë premtim për t’i shërbyer qytetarëve të Tiranës, Erion Veliaj u ul për herë të parë në karrigen e kryetarit të bashkisë më të madhe në vend, Tiranës së 1 milion banorëve, në krye të këtij posti të cilin do ta mbajë për katër vitet e ardhshme.
 
Një muaj e 9 ditë pasi fitoi me votë përballë kandidatit të së djathtë Halim Kosova, kryetari i ri i bashkisë mori në dorë çelësat e kryeqytetit të cilët i kishte lënë i larguari Basha që preferoi të mos ishte vetë prezent. 

veliaj, bozdo, dalipi

Megjithëse në zyrë e priti demokrati Eno Bozdo, të djathtët nuk e respektuan deri në fund betimin e socialistit Veliaj në këshillin e ri bashkiak duke braktisur sallën. Jo për ndonjë qëllim të keq ndaj kryetarit, por për shkak të prezencës së ministrit te Pushtetit vendor Bledi Çuçi në mbledhje, i cili per demokratet simbolizon "shkaterrimin e pushtetit vendor" me ndarjen e re territoriale qe e reduktoi numrin e bashkive ne 61.

Përtej polemikave me demokratët kryetari i ri i kryeqytetit në fjalën e tij vartësive ua bëri të qartë se ka filluar puna.

Ndërhyrjet urgjente do i fillojmë që sot. Gjatë fushatës na u dha harta e problematikave emergjente si plehrat, hapësirat e zëna, mungesa e parqeve, kjo hartë është lista e detyrave dhe punëve tona duke filluar që sot. Ti futemi punës që sot e t’ia fillojmë se qytetarët presin shumë e 4 vitet kalojnë sa hap e mbyll sytë. 4 vite pas nuk dua të vij me listë justifikimesh pse nuk janë bërë punët. Na priftë e mbara të gjithëve”, tha Veliaj. 

veliaj me logo
veliaj me logo
(Erion Veliaj teksa flet ne Keshillin Bashkiak, foto Antonio Cakshiri/Shqiptarja.com)

Por para këtij momenti, Veliaj nuk e fshehu aspak emocionin e ditës së parë si kryeqytetar i Tiranës. Që herët në mëngjes zbriti në selinë e Partisë Socialiste për të pritur orën e betimit para këshilltarëve ku ndoqi mbledhjen deri pranë afrimit të pikës së fundit të rendit; betimin e kryetarit të ri! Ish-ministri i Mireqenies Sociale dhe Rinise u nis drejt detyrës së re pikërisht nga partia që e zgjodhi kandidat në garën elektorale të 21 qershorit. Veliaj mori në këmbë rrugën drejt bashkisë dhe bashkë me stafin e ngushtë e shoqëroi edhe ministri i Pushtetit Lokal Bledi Çuçi. Rruga e zgjedhur për të shkuar nga PS në bashki ishte në respekt të rregullave të qarkullimit për këmbësorët edhe pse në vijë ajrore dy ndërtesat janë vetëm 150 metra larg.

Veliaj u ndesh me përshëndetjet e kalimtarëve dhe respektin e makinave që nuk e lanë të pres në vijat e bardha kjo edhe për meritë të kamerave që i hapnin rrugën kryetarit të ri. Rrethi i plotë i sheshit “Skënderbej të ideuar nga paraardhësi Basha ia zgjati pak rrugën Veliajt.
 
Në derën e Bashkisë ishin me dhjetëra qytetarë të cilët e përshëndetën edhe me duartrokitje e bashkë me ta edhe Kreu i Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipi, nënkryetarja Vjollca Braho dhe këshilltari Shezai Rrokaj.
 
Me ndarjen e re administrativo territoriale nga 55 këshilltarë, bashkia e Tiranës ka 61. Me propozim te mazhorances keshilltaret rimandatuan ne krye te Keshillit Aldrin Dalipin ndersa nenkryetare u zgjodh Vjollca Braho, propozim i PDIU-se. Në mungesë të këshilltarëve të opozitës, këshilli i ri bashkiak votoi dhe zgjodhi 18 anëtarët e këshillit të qarkut të Tiranës, ku kryetari Erion Veliaj është anëtar automatikisht pa kaluar në proces votimi.

Ora 11:35 Veliaj: Keqardhje për sjelljen e opozitës, duhet të punojmë bashkë për Tiranën
“Ndihem i keqardhur që që në mbledhjen e parë censurohen qytetarët, e respektuam kërkesën e opozitës të mbanin brenda këtë ceremoni në sallë e dhe pse kjo sallë la jashtë shumë persona për shkak se kishte më shumë njerëz se sa ulëse. Ndaj ftuam përfaqësues të besimit fetar, prefektin, ministrin. Përtej keqardhjes i bëj të ditur opozitës se ne i përkasim partive të ndryshme, por sot fushata ka mbaruar, të gjithë përfaqësojmë votat e qytetarëve të Tiranës dhe duhet t’i përfaqësonim që në mbledhjen e parë. Çdo votë e hedhur është një pritshmëri nga qytetarët e Tiranës pa dalim bindje. Shpresoj që nga mbledhja e ardhshme ne do të punojmë bashkë me opozitën. Ne mund të ndajmë mendime të ndryshme, është e vërtetë, kjo është mëse normale dhe këtë lloj debati do ta mirëpresim gjithmonë. Unë zotohem që çdo këshilltar do të gjejë një kryetar bashkie të gatshëm për të dëgjuar. Ju premtoj se do dëgjoj me respekt alternativat tuaja dhe respektin ndaj jush do e tregoj duke marrë pjesë në çdo mbledhje të këshillit bashkiak”. 

Ora 11:30 Veliaj fjalimin e pare si kryebashkiak: Nga sot model i ri qeverises
Pasi është betuar para këshilltarëve, Veliaj mbajti fjalimin e parë si kryebashkiak.

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, pasi kemi privilegjin t’i shërbejmë me kohë të plotë qytetarëve të Tiranës. Bashkia do të punojë për qytetarët dhe vetë ata do të jenë bashkëpunëtore me ne. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet sot Tirana. Bashkia është rregullatore e marrëdhënieve në komunitet, por deri më tani ka qenë jashtë loje, ka dështuar në realizimin e kësaj detyre. Qytetarët shpesh kanë gjetur zgjidhje individuale për problemet e tyre. Nga sot do të ketë një model të ri qeverisës. Ashtu si gjatë fushatës u tregova i drejtpërdrejtë gjatë fushatës, ashtu do jem edhe sot. Tirana nuk do të mund të ndryshojë brenda ditës, por me punë do të ndryshojë ditë pas dite. Kërkoj bashkëpunimin tuaj. Më jepni një dorë të realizojmë ndryshimet që duam. Jam kryetar i bashkisë për çdo qytetar të Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i ri pati edhe një përgjigje për të gjithë ata që janë treguar dyshues mbi ndryshimet që ai ka premtuar t’i sjellë kryeqytetit.

“Gjatë rrugës sonë pa dyshim nuk do mungojnë cinikët, snuksat, është misioni ynë i përbashkët t’i tregojmë e befasojmë me ndryshimet që të gjithë bashkë do të sjellim në Tiranë”.
 
Kryetari i bashkisë së Tiranës tha se do ta orientojë punën e tij drejt barazisë, duke ofruar shërbime të njëjta për cdo qytetar, pavarësisht nëse jeton në qendër apo në periferi.
 
“Tirana që kemi sot nuk është Tirana e të gjithë qytetarëve, hapësira ku të gjithë marrin të njëjtën vëmendje e mundësi. Është nj rrëfenjë me dy qytete një i njerkës një i nënës. Lagje të tëra janë lënë në harresë. E ardhmja e një fëmijë te bregu i lumit është e pandashme me atë që jeton në ish-bllok se jetojmë në një qytet.
Çdo banor do të përfitojë të njëjtën cilësi shërbimesh”, tha Veliaj.
 
Veliaj tha se gjatë së premtes do të emërohen 24 administratorët për bashkinë e Tiranës.



Ora 11:25 Grupi i këshilltarëve të djathtë braktis sallën
Prezenca e ministrit Bledi Cuci në momentin e betimit të kryebashkiakut Erion Veliaj ka bërë që këshilltarët e djathtë të marrin vendimin për të braktisur mbledhjen e këshillit bashkiak.
 
Ishte anëtari i propozuar nga PD për këshilltar Leonard Olli i cili tha se prezenca e të djathtëve në mbledhje nuk mund të vijonte në prani të ministrit i cili sipas tij ka shkatërruar autonominë vendore me reformën territoriale.
 
Këshilltarët e PD-së janë larguar pa pritur momentin e betimit të Veliaj si kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës.
 
Leondard Olli: Ne kërkojmë të respektohet jo sallë dhe të largohen personat që nuk kanë punë këtu. Nuk dua aspak të pengojë këtë moment, por nuk mund të vazhdojë në prezencë të autoriteteve që shkatërrojnë autonominë vendore, nuk kanë as tagrin ligjor e protokollar për të qenë këtu. Na lejoni të jemi pjesë e këtij momente por jo me prezencë të autoriteteve që nuk kanë tagrin për të qenë.
 
Aldrin Dalipi: Është një procedurë për tu zbatuar. Ligjërisht salla e këshillit është e hapur për këdo që do të jetë në sallë. Të gjithë që kanë ardhur në sallë nuk mund t’i përjashtojmë. 



Por përgjigja ndaj tyre erdhi nga vetë ministri Cuci në përfundim të betimit.

“Një përfaqësues i Qeverisë mund të jetë në konstituimin e këshillit. Kjo gjë është e lejueshme nga një udhëzim i ri. Përfaqësuesi i Qeverisë mund të mbajë edhe fjalë gjatë konstituimit. Në konstituimin e këshillit mund të marrë pjesë dhe Kryeministri”, tha ministri.

Ora 11:15 Dalipi: Mandati i ri përgjegjësi për Tiranën, punoj për vendime me konsensus
Në një prononcim për A1 Report ndërsa prisnin bashkë me stafin mbërritjen e kryebashkiakut Vëeliaj, kryetari i rikonfirmuar i këshillit Bashkiak Afdrin Dalipi tha për A1 Report se në mandatin e ri që i besohet do të punojë për të pasur vendime me konsensus politik. 
 
“Është një përgjegjësi për Tiranën dhe mandatin e ri ky do hyjmë. E rëndësishme është të ketë një dialog mes palëve, pa komplekse që cdo vendim të jetë sa më konsensual”. 

Misioni juaj këtë radhë është më i lehtë?
Unë besoj se çdo gjë ka rëndësi në veprimtarinë e këshillit bashkiak. Cdo herë kemi pasur gjykime të përgjegjshme.
Një vlerësim për ish kryetarin?
Çdo njeri në mandatin e tij ka angazhimin e tij pastaj vlerësimin e japin vetë qytetarët. 

Ora 11:00 Veliaj niset nga PS, në këmbë drejt bashkisë
I shoqëruar nga ministri i Pushtetit Vendor Bled Cuci, Veliaj u nis në këmbë nga selia e Partisë Socialiste drejt Bashkisë së Tiranës

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Ervin Salianji kërkon pezullimin e vendimit të Apelit që e dënoi me 1 vit burg, Gjykata e Lartë shqyrton kërkesën më 15 Tetor! Ja gjyqtari relator

Ervin Salianji kërkon pezullimin e vendimit të Apelit që e dënoi me 1 vit burg, Gjykata e Lartë shqyrton kërkesën më 15 Tetor! Ja gjyqtari relator