Veliaj: Dosjet hapen në janar '15
ligji gati, çdo vonesë është kosto!

Veliaj: Dosjet hapen në janar '15<br />ligji gati, çdo vonesë është kosto!
TIRANE - Qeveria hap dosjet në Janar të vitit 2015. A1 Report ka mësuar se ekzekutivi ka tashmë gati draftin i cili do të depozitohet në kryesinë e Kuvendit për t’i hapur rrugë në këtë mënyrë transparencës me të shkruarën komuniste.

Madje mazhoranca do të fokusohet tek modeli europian për trajtimin e të shkruarës, të vendosur nga komisioni Federal Gjerman për arkivat e STASI. Kjo nismë u prezantua nga Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj, i cili tha qartë se çdo vonesë në hapjen e dosjeve do të ketë kosto për shoqërine shqiptare. 

Pas paralajmërimit të bërë nga kryeministri Edi Rama nga ambientet e bunkerit të parë dhe të vetëm anti-bërthamor të ndërtuar nga ish-diktatori Enver Hoxha “Bunk’Art”, Ministri Veliaj ka theksuar edhe një herë tjetër vullnetin e qeverisë  për t’i shkuar deri në fund procesit të hapjes së dosjeve.

Për ta bërë këtë Veliaj u shpreh se do të merret eksperienca më e mirë e përballjes me të kaluarën dhe ajo është e shtetit gjerman. Në fjalën e tij, Ministri Veliaj, u shpreh se ky proces është i vonuar dhe në këtë drejtim shoqëria shqiptare ka dështuar deri më tani në njohjen e të vërtetave që mbart e kaluara.

Sipas Veliaj viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre meritojnë të dinë të vërtetën për të mos lënë në harresë krimet e regjimit komunist, pasi siç tha ai, ajo kohë i përket historisë tashmë. Fjala e Ministrit Veliaj per hapjen e dosjeve te ish-Sigurimit te Shtetit‏

“Vetëm përballja me të vërtetën mundëson konsolidimin e lirisë. Kanë vazhduar pa reshtur përpjekjen për të mbajtur gjallë këtë debat. Ne në këtë vend mund të mos biem dakord për shumë gjëra, por duhet ta pranojmë se shoqëria shqiptare ka dështuar të njohë të vërtetat e të shkuarës komuniste.  Ndërkohë që nuk kemi recetë të gatshme, jemi të vendosur për të përfituar nga eksperienca gjermane në trajtimin e kësaj çështje. Jam i lumtur që ky qëndrim ndahet nga përfaqësues të shoqërisë civile. Kemi arritur në këtë konkluzion mbi të gjitha për shkak të modelit që Gjermania ka vendosur për trajtimin e së shkuarës. Shumë shoqëri kanë vënë në pikëpyetje nëse përballjas me të shkuarën i bën mirë demokracisë. Gjermani i është përgjigjur dy herë rresht po, një herë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe herën e dytë në rënien e Murit të Berlinit. Një përballje e tillë mund të merret e mirëqenë sot pas dy dekadave, por nuk ka qenë aspak e tillë.  Edhe sot që flasim, shumë shoqëri zgjodhën heshtjen për përballjen delikate me të shkuarën. Shoqëri të tilla si e jona, kanë zgjedhur të heqin një vizë të trashë të shkuarës. Në fjalët e ish Kryeministrit Polak Mazowicki, shoqëri të tilla si edhe e jona, zgjodhën të heqin një vizë të trashë mbi të shkuarën e tyre. Edhe ne përballemi me mundësinë shumë të mirë, që 25 vjet tashmë nga rënia e diktaturës, të zgjedhim të themi siç kanë thënë dhe të tjerë, se komunizmi “tashmë është histori dhe nuk ka më asnjë lidhje me realitetin e shoqërisë shqiptare sot. Çdo shoqëri që ka zgjedhur rrugën e harresës vazhdon të ketë probleme të funksionimit të shtetit sot. Nisur edhe nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama pak ditë më parë, shpreh vullnetin e qeverisë për hapjen e dosjeve.” theksoi në fjalën e tij ministri Veliaj.

veliaj

Veliaj: Hapja e dosjeve duhej bërë me kohë, ndjekim modelin gjerman
Duke analizuar konkretisht procesin e hapjes së dosjeve, Ministri i Mirëqënies Sociale, theksoi se tani është koha për të hapur dosjet, duke shtuar se ky është një proces i vonuar. Sipas Veliaj ky është një borxh që shteti shqiptar ua ka viktimave të regjimit komunist.

Por sipas Veliaj krahas kësaj kjo është edhe përgjegjësi e çdo personi i cili para se të kërkjoë një post, duhet të ketë transparente asocimin e tij me të shkuarën komuniste.

"Kur është momenti që një shoqëri të përballet me të shkuarën? Duke mirëkuptuar çdo person që sinqerisht i përmbahet një qasje të tillë, por jo ata që me këtë qëndrim fshehin dëshirën e tyre për të harruar të shkuarën, dua të them se ky nuk është qëndrimi ynë. Koha është tani, në mos ka kaluar. Zgjedhja e një rruge të tille është një mënyrë tjetër si bëhet kompromis me të keqen dhe padrejtësi ndaj viktimave. Jemi tashmë vonë në këtë përpjekje, ndërsa dëshmitarët e gjallë të përjetimit të vuajtjes janë duke u tretur nga dita në ditë, i kemi borxh viktimave dhe trashëgimtarëve të tyre që të mësojmë dhe njohim vuajtjen e tyre dhe të afërmve të tyre. Çdo viktimë e komunizmit dhe pasardhës i tij ka të drejtën të dijë të vërtetën. Kjo transparencë kërkon përgjegjësi se çdo person që kërkon post ta bëjë të qartë asocimin e tij me të shkuarën si detyrim për tu dhënë besim institucioneve para publikut. Tashmë ekziston një praktikë ligjore e mirëpërcaktuar të cilat përcaktojnë kritere të qarta në trajtimin e çështjes së lustracionit." tha Veliaj

veliaj

Veliaj: Komision me personalitetet më të njohur për të verifikuar 14 mijë fashikujt e regjimit
Ndërsa lidhur me se si do të bëhet ky proces, ministri Veliaj nënvizoi se për këtë do të merret shembulli i Gjermanisë. Në këtë mënyrë Veliaj tha se do të ngrihet një komision ky pjesë e tij do të jenë personat më të njohur dhe me integritetin më të lartë në vendin tonë, dhe që do të verifikojnë 14 mijë fashikujt e regjimit komunist.

"Si do të bëhet ky trajtim? Edhe në këtë çështje, mazhoranca është e dakordësuar për të ndjekur modelin më të mirë evropian në trajtimin e të shkuarës, të vendosur nga Komisioni Federal Gjerman për Arkivat e STASI-t, i quajtur ndryshe Komisioneri GAUCK, që mban emrin e Presidentit aktual të Gjermanisë, i cili edhe e drejtoi dhe e mbikqyri atë. Tashmë ngritja e një Institucioni të tillë në Shqipëri bëhet i domosdoshëm edhe për shkak të faktit se, sipas informacionit paraprak, që mbi 14 mijë dosje, apo 1.5 milion fletëve të ruajtura në arkivën e Ministrisë së Brendshme dhe mijëra dosjeve të tjera në ruajtje në institucione të tjera shtetërore, nevojiten t’i nënshtrohen një procesi të plotë unikimi, ruajtje dhe procesimi që përfiton nga eksperienca më e mirë ndërkombëtare, dhe që i qëndron larg çdo amatorizmi apo shkeljes së ligjit në administrimin e tyre, në raste që tashmë janë bërë dhe publike. Kush do ta bëjë këtë trajtim? Më lejoni të shpreh vullnetin e qartë të shoqërisë për ta mbajtur larg çdo ndikimi politik, me një integritet të lartë profesional. Ajo që ne propozojmë është ngritja e një institucioni të besueshëm të përbërë nga figura të larta, të respektuara dhe të njohur për integritetin e tyre në vendit tonë. Nuk kemi asnjë dyshim se kjo do të kërkojë vullnet të mirë të gjithë shoqërisë shqiptare." bëri të ditur Ministri Veliaj

veliaj

Braho: Berisha deformoi për 13 vjet dosjet, i përdori për qëllime politike
Deputeti i mazhorancës Spartak Braho, gjatë tryezës së mbledhur për adresimin e çështjes së hajpes së dosjeve akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se ka deformuar për 13 vjet dosjet duke i përdorur ato për qëllime politike.

Sipas Brahos dosjet janë keqpërdorur ndër vite nga ish-kryeministri Berisha vetëm për qëllimet e tij politike. Megjithatë Braho shtoi se për të kryer procesin e hapjeve të dosjeve nevojitet vullnet i të gjitha palëve.

"Çështja e dosjeve është keqpërdorur. Berisha në 13 vjet në pushtet e ka deformuar sistemin dhe i ka përdorur dosjet për qëllime politike. Duhet të kemi vullent për të hapur dosjet." tha Braho

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Valbona turistike, destinacioni i preferuar nga turistët vendas dhe të huaj

Valbona turistike, destinacioni i preferuar nga turistët vendas dhe të huaj