Veliaj: E blemë vetë fabrikën e prodhimit të asfaltit, tani do të dyfishojnë investimet në rrugë e rrugica në Tiranë (VIDEO)

TIRANE-Erion Veliaj u shpreh sot se për të rritur investimet edhe në nivel kapilar, Bashkia e Tiranës ka tashmë një fabrikë të saj të prodhimit të asfaltit. “Kemi filluar instalimin e fabrikës së asfaltit, në pronë të Bashkisë së Tiranës. Pra, nga sot nuk do ta blejmë më asfaltin, por do ta prodhojmë vetë, çka na jep mundësinë të dyfishojnë investimet në rrugë e rrugica. Ishte një nga ato çudirat shqiptare, siç bllokohen shumë gjëra të mira. Humbëm tre vite nëpër gjyqe, ndërkohë që është një fabrikë e blerë në Gjermani. Mund ta kishim pasur 3 vite më parë, por megjithatë të shkuara të harruara. Si çdo gjë, në Shqipëri fillimisht pengohet, por pastaj kur realizohet, i gëzohemi të gjithë. Mezi pres që nga kjo verë, me fabrikën tonë që dyfishon sasinë e asfaltit që mund të përdorim çdo natë, të kemi mundësi të mbajmë premtimin për të ndërhyrë në çdo rrugë e rrugicë të lagjes”, theksoi Veliaj, sipas zyrës së shtypit të bashkisë.

Deklaratën Veliaj e bëri gjatë inaugurimit të këndit të ri të lojërave në njësinë nr. 10 në Tiranë. Gjatë inspektimit të këndit, i shoqëruar nga deputeti i zonës i PS, Fatmir Xhafaj, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky është premtimi i radhës i mbajtur për qytetarët. “I jemi rikthyer traditës, duke e fokusuar te sporti edhe këtë hapësirë, me një palestër në natyrë për ata që janë pak më të mëdhenj, si dhe është kompletuar me një kënd lodrash për fëmijët. Ne kemi pasur një parim: Çdo muaj hapim nga një kënd të ri lodrash. E kemi tejkaluar sepse në 60 muaj në Bashkinë e Tiranës, kemi bërë mbi 60 kënde lodrash”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve, që t’i lirojnë hapësirat publike të zëna me automjetet e tyre. “Kemi nevojë për parqe të mëdha, si Parku Rinia, por kemi nevojë edhe për këto hapësirat e vogla poshtë pallatit. I falenderoj banorët sepse ndryshimi i mentalitetit për makinat nuk është i lehtë. Të gjithë themi se fëmijët janë gjëja më e çmuar, ama hapësirat kryesore ua kemi dhënë makinave, jo fëmijëve. Pra, ky komunitet tha: Më mirë i çojmë diku më larg makinat, por ama zemrën e oborrit të brendshëm të pallateve te Shallvaret, do t’ua japim fëmijëve”, tha ai.

Veliaj tha se bashkia është e gatshme të ndërhyjë në çdo bllok pallati, ku administratorët dhe qytetarët bien dakord për të ndërtuar kënde lojërash. “Ftesa për çdo administrator është: Nëse ka hapësira mes pallateve, ku banorët thonë se fëmijët vlejnë më shumë se makinat, jemi të gatshëm të bëjmë siç kemi bërë këtu. Ftesa për të gjitha komunitetet është: Nëse, ashtu siç themi, fëmijët janë gjëja më e çmuar në jetë, hajde t’u japim më shumë hapësirë”, nënvizoi ai.

Veliaj dha edhe një lajm të mirë dhe për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti, ku këtë javë ka nisur dhënia e pagesave cash për kategoritë DS1, DS2 dhe DS3. “Nga fundi i kësaj jave dhe javën tjetër, familjet në kategorinë DS1, DS2 dhe DS3, pra dëmet nga më të lehtat deri te dëmet më të moderuara, do të marrin pagesën cash në bankë ose në postë. Njësia do të njoftojë të gjitha listëpagesat dhe pasi të marrin pagesën, mund ta riparojnë vetë shtëpinë”, deklaroi kryebashkiaku.

Lidhur me kategoritë DS4 dhe DS5, Veliaj tha se shtëpitë do të rindërtohen nga e para. “Fatmirësisht në Njësinë 10 kemi pak, por në të gjithë Tiranën janë 870 shtëpi të reja. Nuk i zgjidhim dot të gjitha hallet, por pak nga pak, zgjidhim nga një hall. Pra, sot zgjidhim hapësirat publike, pagesat nga tërmeti dhe shtëpitë e reja. Javën tjetër prapë do të vazhdojmë me investime në të gjithë komunitetin. Nëse ecim me parimin: çdo ditë, një punë konkrete, është vetëm çështje kohe sa të futemi në nivel kapilar në të gjitha lagjet”, u shpreh Veliaj.

Deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për vëmendjen që ka treguar ndaj investimeve në këtë zonë. “Një falenderim kryetarit të mrekullueshëm të Bashkisë, për këtë dhuratë të bukur për komunitetin e zonës së Shallvareve. Është me shumë interes për fëmijët, por edhe për prindërit, të cilët shqetësohen përditë për agërimin e nipave dhe mbesave. Nga ana tjetër, i konsideroj lajme shumë të mira qoftë çështjen e trajtimit të atyre që u dëmtuan nga tërmeti, po ashtu edhe për fabrikën e asfaltit. Shpresoj të shohim sa më shumë pika të tilla rekreative në Njësinë 10 dhe në të gjithë Tiranën. Paçi sa më shumë energji, pasion dhe energji”, u shpreh Xhafaj. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 29/06/2020 05:31

    Lali Eri hajdut me çizme i vjedh qytetarët e vet ditën për diell kush të dojë le të debarojë me mua po deshi

    Përgjigju
  • Shqip: 24/06/2020 14:59

    Sa qesharake qe jane! Qeveria qendrore jep cdo gje me PPP se gjasme punon me mire privati dhe e shet si sukses, kurse qeveria Vendore blen bizneset private (kush e di se si) dhe na e shet per histori suksesi gjithashtu. Tani nje mendje ceket si e imja do te kuptoje cila eshte me e suksesshme si metode?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës