Veliaj inspekton punimet te Teatri i Ri: Në 30 muaj po bëjmë atë që humbëm në 30 vjet

Puna për Teatrin e Ri po ecën me ritme të mira dhe brenda vitit 2025 pritet të mbarojë ngritja e godinës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga aktorët Alfred Trebicka, Artan Imami, Arben Derhemi, Eni Jani etj., inspektoi punimet për përfundimin e godinës se re dhe njoftoi se paralelisht do të vijojë puna edhe për sigurimin e pajisjeve të nevojshme për funksionimin e teatrit.

“Ky ka qenë një projekt shumë, shumë kompleks, shumë i debatuar, shumë i politizuar, por çdo krizë është edhe një mundësi. Mundësi për ta përmirësuar, mundësi për ta sqaruar më mirë, edhe mundësi për ta verifikuar se projekti po ndodh. Më vjen mirë që nuk ceduam as një cm2 te toka e teatrit; më vjen mirë që nuk ceduam as te propozimi për ta çuar te “Bregu i Lumit”, siç thoshin disa. Ky është një investim për 100 vitet e ardhshme, ndaj mezi pres që brenda vitit tjetër ta kemi mbaruar edhe karabinanë, ndërkohë paralelisht do të fillojmë me lotin e dytë, do hapim garën për pajisjet teknologjike, inxhinierike, audio, video, foni, fasada metalike, fasada xhami; pra, e gjithë pjesa e formës së betonit që është ajo perdja simbolike e kapur e skenës”, sqaroi Veliaj.

Ai u shpreh entuziast për faktin se puna më e madhe për hedhjen e themeleve ka përfunduar.

“Jam shumë entuziast për mënyrën si kemi ecur me të gjitha punimet te Teatri i Ri. Këtu kemi zbritur në katin -1, ku kemi bërë punën më të madhe, por është edhe puna më e komplikuar. Edhe në punët publike, si në teatër, ajo që ndodh në pas skenë është puna më e vështirë. Kjo ishte një zonë, ku nuk kishte themele. Kur hapëm themelet e teatrit të ri zbuluam se kishte tunele nëntokësore, kurse vetë teatri i vjetër nuk kishte asnjë themel. Tuneli nuk ndërpritej askund, por shkonte tej për tej sipërfaqes së teatrit. Çfarë ka ikur, ka ikur. Iku lodhja, histeria, debatet. Tani është koha e punës. Ne jemi të përkushtuar të dalim sa më shpejt në nivelin zero, kurse binaja është shumë herë më e kollajtë”, nënvizoi kryebashkiaku.

Veliaj u ndal edhe te parkingu nëntokësor, për të cilin tha se do të ketë 100 vende parkimi.

“Parkingu nëntokësor do të ketë rreth 100 vende parkimi për stafin dhe artistët, të cilët nuk kanë asnjë arsye pse të kërkojë parkim në ditë të nxehta si sot. Komoditeti se mund të parkosh në vendin e punës, në katin zero, 1 dhe 2, është një lehtësi shumë e madhe. Plus është një mundësi që teatri të fitojë të ardhura. Sot arti subvencionohet, si kudo në botë, por jemi në një situatë ku disa projekte publike duhet të kenë edhe kuptim ekonomik. Sheshi “Skënderbej” e ka larë veten vetëm me lekët e parkingut nëntokë. “Bulevardi i Ri” po paguan kredinë me lekët e parkingut nëntokë. Një faktor ekonomik si parkingu, mund të ndihmojë aktorët dhe institucionet që punojnë këtu; kush ka mundësi, të vijë të paguajë dhe ato të ardhura t’i shkojnë teatrit”, tha ai.

Kryebashkiaku shtoi se pavarësisht politizimit që iu bë ndërtimit godinës së re, teatri nuk ka humbur asnjë cm tokë. Sipas tij, ky teatër është investim për 100 vitet e ardhshme.

“Ju falenderoj shumë për besimin, por edhe për kritikat. Ne nuk jemi lidhur se binim të gjithë dakord, por jemi lidhur fillimisht sepse kishim opinione të ndryshme dhe gjetja e një të mesme të përbashkët, ku praktikisht këmbëngulja e aktorëve për katin -1, që të kishte dhe parkingun, edhe akses nga rruga kryesore, jo vetëm një akses këmbësor, por edhe për makinat, janë gjëra që e përmirësuan projektin. Kur ka një kritikë të shëndoshë, unë besoj se e gjejmë gjuhën. Kur kjo bëhet për inat, për të bllokuar dhe futet në mes edhe politika, pastaj është një humbje spektakolare kohe, siç ishin këto 30 vitet e fundit. Do mundohemi të bëjmë në 30 muaj, atë që humbëm në 30 vite”, theksoi Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:38
Aktorët Alfred Trebicka dhe Artan Imami inspektojnë punimet e Teatrit të Ri

Aktorët e mirënjohur të skenës dhe kinemasë, Artan Imami dhe Alfred Trebicka, së bashku me Arben Derhemin dhe Eni Janin, shoqëruan kryebashkiakun Erion Veliaj në inspektimin e punimeve për Teatrin e Ri. Aktorët panë nga afër progresin e bërë dhe vlerësuan punën e kryer deri më tani.

"Ky Teatër është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për ne, por për të gjithë brezat që do të vijnë. E kalojmë atë fazën e turpit që nuk kishim një teatër të denjë në një kryeqytet europian. Është një gëzim i veçantë", tha Imami.

Aktori Alfred Trebicka shtoi se Teatri i Ri Kombëtar është një ëndërr që po bëhet realitet.

"Gojët e liga do flasin, që teatri nuk ka për t'u bërë. Por Teatri po bëhet dhe është fantastik. Zakonisht ëndrrat e bukura duan pak kohë që të bëhen realitet dhe jemi drejt asaj rruge", tha Trebicka.

SI.E./A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • eduart: 03/08/2024 14:08

    Duhet të intensifikohet puna që teatri të përfundoi sa më shpejt sepse deri tani është punuar shumë ngadalë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë