TIRANË- Viti ynë i dytë do të ketë fokusin më të madh në zonat rurale. Nuk mund të kemi një Tiranë që ecën me dy shpejtësi; pra, me marshin e pestë në qendër, dhe me marshin e parë në periferi. Kështu është shprehur kryetari i Bashkisë Erion Veliaj gjatë inspektimit të segmentit rrugor që njihet me emrin Mushqeta-Krrabë.

Sipas tij kjo gjë mund të realizohet vetëm duke balancuar buxhetin e më pas investimet  në mënyrë që  ato të shkojnë në propocion të drejtë me numrin e banorëve.

Punimet që kanë nisur prej gati një muaji në segmentin Mushqeta-Krrabë u inspektuan nga kryebashkiaku Veliaj i cili theksoi se kjo është një tjetër provë që tregon se për Bashkinë e Tiranës nuk ka dallim mes qendrës dhe periferisë, sa i përket investimeve publike.

“Nëse rritet cilësia e jetës këtu, edhe Tirana sot është shumë herë më afër se sa ç’ishte me një rrugë të shkatërruar, tregu është shumë herë më afër, shkolla, spitali janë shumë herë më afër; atëherë nuk lind nevoja që dikush të lërë të gjithë pasurinë e jetën e vet në Krrabë për të ardhur në Tiranë”, u shpreh Veliaj.

Investimi në këtë aks prej të cilit përfitojnë rreth 3200 banorë rezident në Krrabë është përshëndetur dhe nga deputeti i zonës Xhemal Qefalia. 

[gallery]19961[/gallery]

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)