Veliaj: Italia për 23 vite hapi
dyert për shqiptarët, tani i hapim ne

ITALI - Ndoshta kriza që ka prekur Italinë, ndoshta vitaliteti dhe integrimi perfekt i shqiptarëve në vendin fqinj, ndoshta mosha e re dhe ambicja jonë sot për t’u përmirësuar, kanë bërë që Italia, Pulja, krahina italiane përballë nesh, të kthejë vëmëndjen dhe të dëshirojë të dijë sa më shumë për vendin e shqiponjave që në 24 vite e ka ndihmuar.

Tani, duket sikur kërkon të marrë frymëzim prej nesh dhe të rrëzojë steriotipin e “shqiptarëve të shëmtuar, të këqinj dhe të pisët”.

Kështu në një nga Universitetet më prestigjoze italiane, ai “Aldo Moro” i Barit, në sallën e afreskeve, Urdhëri i Gazetarëve të Puljas në kuadër të Projektit Beams të financuar nga Bashkimi Europian, ftoi ministrin tonë të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj dhe gazetarin Karlo Bolino pikërisht për të bashkëbiseduar e për të kuptuar më mirë zhvillimin dhe stabilizimin e Shqipërisë, dikur vend problematik, sot më i qëndrueshmi dhe më proevropiani në rajon.

Surpriza e parë për të pranishmit në sallë, gazetarë, përfaqësuese të shoqërisë civile dhe të botës akademike puljeze, studentë, mes të cilëve shumë shqiptarë, erdhi pikërisht nga fjala e ministrit Veliaj, i cili solli të dhënat e ministrisë së Punës, “ku 19 mijë italianë, vetëm vitin e fundit, kanë marrë leje pune në Shqipëri, duke thyer tendencën e 23 viteve, kur gjithmonë shqiptarët kryesonin në synimin e punësimit drejt vendit fqinj. Tani Shqipëria ka hapur dyert për italianët , si në shenjë mirënjohjeje për gjithë vitet e mbështetjes së vazhdueshme”, tha Veliaj

Karlo Bolino

Sipas Ministrit Veliaj krijimi i stereotipeve është diçka njerëzore dhe gjithmonë “ na kanë ndihmuar të orientohemi në çdo ambjent të ri ku shkojmë, por është vëmendja për individin dhe historinë e tij personale që arrin më shpejt dhe më drejt në mendiet e të gjithëve dhe mposht steriotipin e keq për një komb. Nëse shqiptarët deri dje ishin ata 20 mijë të anijes Vlora, sot për italianët janë Kledi Kadiu, Ambeta Toromani, Olen Cezari, Elhaida Dani pra kanë një emër e mbiemër talenti dhe suksesi”. Ministri gjithashtu tregoi për dëshirën dhe vendosmërinë e qeverisë Rama për të vendosur legalitetin dhe respektin e ligjit në vend: lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike, prishja e ndërtimeve pa leje, mobilizimi për pagesën e faturave të energjisë nga të gjithë, janë sipërmarrjet më të fundit të Qeverisë…”

“Kur të mbaroni me ndërtimet pa leje në Shqipëri, hajdeni këtej nga Pulja…” ishte batuta e Rektorit të Universitetit Aldo Moro, i cili moderonte pjesën e parë të konferencës.

Këshilltarja për Mesdheun dhe për Kulturën dhe Turizmin në Krahinën e Puljas, Silvia Godelli, njohëse shumë e mirë e Shqipërisë dhe nxitëse e shumë projekteve të përbashkëta, dëshmoi se si ka ndryshuar Shqipëria në vite, duke e shënuar vendin tonë si një partner serioz në realizimin e shumë projekteve të përbashkëta rajonale por dhe komunitare. Kryetari i Bashkisë së Barit, Antonio Decaro kujtoi zemërgjerësinë shembullore të qytetarëve barezë në pritjen e flukseve me emigrantë nga Shqipëria, por shënoi se qytetarët puljezë nuk po tregohen aq zemërgjerë për emigrantët që sot vijnë nga Siria apo nga Afrika.

Gazetarët italianë Domenico Castellaneta i La Repubblica, Costantino Foschini i RAI TRE kujtuan dhe risollën momentete e vështira të mbërrijtes së anijes Vlora dhe vendimin e atëhershëm e Presidentit Cossiga për të kthyer mbrapsht shqiptarët. Gazetari i RAI TRE risolli para të pranishmëve dhe eksperiencën e reportazheve më të fundit të bëra në Shqipëri, ku theksoi përmirësimin e infratrukturave dhe bukuritë e jashtëzakonshme të Shqipërisë.

Aldo Moro

Karlo Bolino: Ja pse Shqipëria është vend i zemrës
Për gazetarin italian Karlo Bolino, themelues dhe drejtues i disa mediave në Tiranë Shqipëria është një vend i zemrës.”… E kuptova se Shqipëria është vend i zemrës, pasi jam kthyer tre herë për të jetuar e punuar aty dhe në një vend kthehesh vetëm kur ndjen që ka lënë gjurmë në zemër. Veç faktit që kam një familje italo-shqiptare, mendoj se Shqipëria është një vend që të jep mundësinë të krijosh dhe të ëndërrosh, ndryshe nga ajo që po ndodh në Itali. Sipas Bolinos është pikërisht kjo mundësi dhe mungesa e burokracive të shumta që e bëjnë Shqipërinë tërheqëse dhe një mundësi të jashtëzakonshme për italianët që dëshirojnë të investojnë e krijojnë. “Shqipëria aktualisht ka një kabinet qeveritar me ministra të rinj dhe një kryeministër që vjen nga bota e artit dhe e kulturës. Një vend që i kushton vëmendje kulturës veç të tjerave, ngjall gjithmonë interesin e të rinjve në mbarë botën”, tha Bolino

Studentë të gazetarisë të Universitetit Aldo Moro, në përfundim të masterit të tyre, kishin përgatitur 6 minidokumentarë nga Shqipëria, ku përmes sportit, artit, traditave të kuzhinës dhe arsimit përcillnin mesazhin e përbashkët “Unë besoj – Io ci credo”, dokumentarë që dëshmuan më së miri frymën konstruktive që studentë italianë apo sipërmarrës të bizneseve të ndryshme përjetojnë aktualisht në Shqipëri.

Aldo Moro

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen