Veliaj kryebashkiak i Tiranës:
Pres bashkëpunim me Kosovën

Veliaj kryebashkiak i Tiranës:<br />Pres bashkëpunim me Kosovën
TIRANË - Erion Veliaj, ish-ministri i cili la mandatin për tu futur në garën për Bashkinë e Tiranës, mbajti fjalimin e parë si kryebashkiak pas fitores së korrur në zgjedhjet e 21 qershorit.
 
Mes mbështetësve socialistë dhe ministrave të kabinetit qeveritar të cilët pritën me festë fitoren e Veliaj në selinë e Partisë Socialiste, kryebashkiaku i propozuar nga Aleanca për Shqipërinë Evropiane zgjati dorën e bashkëpunimit ndaj 5 kandidatëve të tjerë të cilët ishin në garë për bashkinë e kryeqytetit. Veliaj u ndal veçanërisht në vlerësimet për doktor Halim Kosovën, të cilit i atribuoi meritat për zgjedhjet majft të qeta dhe të ndershme që u mbajtën në Tiranë. Kosova, sipas Veliajt u bë shembull i një fushate larg konflikteve politike.
 
“Për 30 ditë gjeneruam një fushatë qytetare, me mesazhe konkrete për qytetarët – nevojat që diskutohen në tavolinën e bukës - duke dhënë shembull edhe për qytetet e tjera të vendit dhe që në fund shkuam te zgjedhjet më të mira, më të lira dhe të ndershme të zhvilluara ndonjëherë në këtë vend. Meritat për këtë nuk janë vetëm tonat, por – këtu në Tiranë - dhe të kundërshtarit tonë, Dr. Halim Kosovës, i cili meriton respektin tonë për përpjekjet që bëri për t’u ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij me kulturën e shpifjes, përgojimeve e goditjeve nën brez që e helmojnë politikën tonë. Gjej rastin të falenderoj dhe kandidatët e tjerë dhe gjithë ata që u përfshinë në këtë garë, t’i përgëzoj për garën dhe t’i ftoj të mos ndjehen humbës, por kontribues të ndryshimit të Tiranës. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se ato që na ndajnë, e në emër të këtyre gjërave e mezi pres bashkëpunimin me të pestë kolegët”,  - u shpreh Veliaj.

Duke e cilësuar si spektakolare fitoren në mbarë vendin të Aleancës për Shqipërinë Evropiane Veliaj e përktheu këtë rezultat në përgjegjësi për të sjellë ndryshimin në Tiranë.
 
veliaj shpall fitoren
Foto të tjera

“Kjo është një ditë e rëndësishme për mua, Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të gjithë ata që iu bashkuan Aleancës për Shqipërinë Evropiane, pasi na keni ngarkuar përgjegjësinë e ndryshimit të madh historik të Tiranës. Nëse ka dikush që ishte dyshues për reformën e re administrative, cinik për qytetarinë e këtij vendi, skeptik për demokracinë tonë – sot ka një përgjigje. Qytetarët dolën masivisht në votime, konfirmuan një demokraci aktive dhe i dhanë fitoren Aleancës për Shqipërinë Europiane në 46 Bashki të vendit – fitorja më mbresëlënëse e viteve të fundit. Shumica e shqiptarëve vendosën të vazhdojnë në Drejtimin e Duhur dhe për këtë jemi mirënjohjes e tejet të përulur",  - tha kryebashkiaku i ri i Tiranës.

Por përballë këtij rezultati të thellë në Tiranë, Veliaj u kujdes të japë mesazhe bashkimi, duke garantuar se do të jetë 24 orë kryeshërbëtor i të gjithë qytetarëve pa dallime politike.
 
“Duhet të jemi shumë të përulur pa bori, jemi të vetëdijshëm që qyteti nuk i ka punët mirë ndaj do përveshim mëngët që ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur. I kërkoj aktivistëve të jemi të përmbajtur dhe modest në fitoren tonë. Ne nuk jemi pushtues të këtij qyteti por administratorë të tij dhe me këtë përulësi do fillojmë punën. Për të gjithë ata që nuk na e dhanë mbështetjen me votë, dua t’iu them se ju mund të mos na keni dhënë votën por e respektojmë e dëgjojmë zërin tuajt të të menduarit ndryshe në Tiranë do ju shërbejmë njësoj pa i ndarë njerëzit, pa i parë nga tesera. Ne do të ndërtojmë një bashki që i bashkon dhe nuk i përçan njerëzit. Unë zotohem të jem kryeshërbëtori juaj 24 orë në 7 ditë të javës. Kërkoj ndërkohë nga administrate e Bashkisë së Tiranës, të vazhdojë të shërbejë ndaj qytetarëve dhe të mos lërë pas vetes tokën e djegur, siç ndodhi me qeverinë në 2013-ën”,- tha Veliaj.


  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja tha 'garantohet vota parapëlqyese në 2/3 e listës', shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive

Kushtetuesja tha 'garantohet vota parapëlqyese në 2/3 e listës', shifrat e sondazhit: Mbi 80% e ligjvënësve zgjidhen nga krerët e partive