Veliaj mbledh këshilltarët socialistë: Tur në çdo njësi për t’u shpjeguar qytetarëve projektet, vetëm PS e çon Tiranën përpara

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj mblodhi në një takim këshilltarët socialistë të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, të cilëve i porositi të nisin një tur takimesh në të gjitha Njësitë Administrative për të komunikuar dhe shpjeguar qytetarëve punën e bërë dhe projektet për qytetin.

Në një kohë kur opozita përpiqet të sabotojë nismat për qytetin, Veliaj nënvizoi se është detyrë e PS-së dhe e këshilltarëve të saj, që të nisin këtë komunikim të ri me qytetarët.

“Në pamundësi për ta shpjeguar në Këshillin Bashkiak se çfarë do të ndodhë me Lanën, kush përfaqëson Njësinë 7 do të shkojë ta shpjegojë projektin në komunitet, se Lana do të bëhet si segmenti nga Materniteti i Ri deri në Shkozë. Kush është aty me leje, pa leje, ka ndërtuar në shtrat të Lanës ku nuk duhet të ishte, dhe do marrë një apartament te pallatet e reja që do ndërtohen te ish Fusha e Aviacionit. Projekti i Lanës do të bëhet sepse çliron Tiranën për 1 milion banorë, jo vetëm për ata që janë aty. Kjo vlen për shkollat e reja në Sauk, në Astir, te Kopshti Botanik dhe Liqeni i Thatë. Kjo vlen për të gjitha projektet e Tiranës. Duhet që agorën e sabotuar të Këshillit Bashkiak ta copëtojmë në agora më të vogla në komunitet dhe të shpjegojmë të gjitha punët që duam të bëjmë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se qëllimi i opozitës është që t’i përdorë njerëzit si mish për top për qëllimet e saj politike.

“Ne nuk e zgjedhim dot kundërshtarin, njësoj siç ti nuk e zgjedh dot komshiun. Në kushtet e kësaj situate spartane në Këshillin Bashkiak, duhet të përshtatemi duke u hapur dhe duke komunikuar dhe duke transferuar agorën në komunitet. Që njerëzit jo vetëm të informohen për vendimin, por edhe të kuptojnë thelbin e vendimeve dhe të kuptojnë se ata që i përdorën mish për top te “Astiri”, te Bulevardi, “5 Maji”, në Kombinat, apo kur iu turrën këndit të lodrave, sheshit “Skënderbej”, Pazarit dhe Kalasë, nuk kanë lidhje me qytetërimin”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës nënvizoi se këshilltarët socialistë dhe PS janë i vetmi grupim që i çon përpara punët në qytet.

“Mjafton të shikosh panoramën e Këshillit Bashkiak dhe nuk besoj se ka njeri dilema se kush është grupimi që e çon përpara këtë qytet. Ne vijmë të parët në mbledhje, ne ikim të fundit, dhe vijmë gjithmonë të përgatitur. Kush vjen me flakadanë, me zhurmë, me karagjozllëqe, të dhimbset kur mendon se dikur kanë pasur në dorë fatet e këtij vendi. Megjithatë, unë e shoh shumë sfiduese marrëdhënien tonë politike. Kush mendon se meqë ata janë bërë copë e çikë, mjafton, është një përtaci e madhe politike dhe intelektuale. Kjo përtaci nuk mund të na kapë ne. Fakti që ata bëjnë si karagjozë, bëjnë histerinë e tyre duke prishur mbledhjet, nuk duhet të jetë vetëkënaqësi për ne, që të themi i kemi votat e “hajt shnet”. Përkundrazi, kjo përkthehet në më shumë përgjegjësi. Të gjitha shpjegimet që do i jepnim në sallën e Këshillit Bashkiak, tani nevojitet t’i bëjmë nëpër njësitë tona”, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:00
Zgjedhjet 2025, Veliaj: Do të punojmë edhe më shumë për fitoren e Ramës e të PS! E vetmja mënyrë si mund të vazhdojmë progresin

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj shpreh bindjen se Partia Socialiste do të jetë një forcë fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Gjatë një takimi me këshilltarët socialistë në kryeqytet, Veliaj deklaroi se ai dhe PS e Tiranës do të punojnë edhe më shumë për fitoren e Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2025.

“Ky është viti i fundit përpara se të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Kush ka menduar se unë, ose kjo administratë, do t’ia varë punës pas 3 mandatesh, e ka gabim. Unë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste do të jap gjithçka. Kjo do të jetë fushata ku do të mobilizohem më shumë, ku do të punoj më shumë për këtë fitore. Jo se kam shok Edin dhe jam anëtar i Partisë Socialiste, por se unë besoj se ky lider dhe kjo parti është e vetmja mënyrë se si ne mund të vazhdojmë progresin”, u shpreh ai. 

Teksa Tirana merr në fund të janarit Presidencën e B40-s, Veliaj tha se Tirana duhet të jetë jo vetëm kartolina e Shqipërisë, por edhe një ‘shkollë’ për bashkitë e tjera.

“Do jetë një shkollë ku do të vijnë të gjitha bashkitë e rajonit për të mësuar çfarë kemi bërë mirë në Tiranë, në urbanistikë, në mbështetje sociale, në strehim, në zhvillimin e rrjeteve, në çështjet me marrëdhëniet me jashtë, në imazhin e qytetit, në promovimin e turizmit, në transformimin e qytetit që prodhonte vetëm këpucë edhe këmisha, në një qytet që ka turizëm dhe teknologjinë si motor të fuqishëm të ekonomisë”, tha Veliaj.

SI.E./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë