Veliaj me banorët e Njësisë 8: Investimet tona kanë transformuar zonën! Kemi ndërhyrë në 146 rrugë, shkolla e biblioteka

Njësia 8 ishte ndalesa e radhës për një bashkëbisedim mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe banorëve të zonës, në të cilën kryebashkiaku bëri një bilanc të të gjitha investimeve të kryera në këtë njësi, që kanë transformuar dhe rritur cilësinë e jetesës për qytetarët.

Veliaj tha se është shumë krenar për të gjitha punët e bëra në Njësinë 8, duke nisur nga transformimi i Rrugës së Dibrës, Unazës, mandej infrastrukturën rrugore te “5 Maji”. Ai shtoi se në total janë 146 rrugë të mirëmbajtura e të rikonstruktuara, 80 rrugë ku është vendosur ndriçimi, 30 rrugë të pajisura me sinjalistikë për herë të parë.

Sa i takon shkollave, Veliaj përmendi shkollat e reja në këtë njësi: “Kiço Blushi”, “Sevasti Qirjazi”, për të cilat tha se zgjidhin përfundimisht ngërçin e dyndjes në to. Ai shtoi se janë rikonstruktuar edhe tre shkolla: “4 Dëshmorët”, “Shkolla e Kuqe”, si dhe shkolla “Siri Kodra”. “Një nga shkollat më të bukura që kemi ndërtuar është kjo shkollë ku jemi, shkolla ‘Servete Maçi’. Është një shkollë e jashtëzakonshme, ndaj edhe dua shumë që ta promovoj dhe aktivitetet i bëjmë gjithmonë këtu. Nëse keni fëmijë të talentuar, fëmijë që përveç mësimit duan edhe muzikën, të investohen në art dhe në kulturë, një nga zgjedhjet më të shkëlqyera të qytetit është kjo shkollë,” nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se gjithashtu në Njësinë 8 kanë përfunduar dy kopshte, kopshti nr.6 dhe 19, një çerdhe e re, çerdhja 13 dhe dy çerdhe të rikonstruktuara, çerdhja 45 dhe 13.

“Më vjen mirë që kemi mbajtur po ashtu, premtimin jo vetëm për shkollat, por edhe për bibliotekat. Biblioteka “Hamit Beqja” është një ndër bibliotekat më të frekuentuara. Sigurisht, në mëngjes janë pensionistët që shkojnë e lexojnë gazetat, gjatë ditës janë kryesisht fëmijët që vijnë për lexime jashtëshkollore dhe pasdite janë të rinjtë. Fakti që sot, pothuajse të gjitha njësitë e Tiranës kanë nga një bibliotekë, - ndërkohë që e filluam këtë rrugëtim me zero biblioteka, - më vjen mirë që e kemi mbajtur fjalën për çdo projekt që kemi nisur para 7 vitesh,” vijoi kreu i Bashkisë.

Nga ana tjetër ai tha se në Njësinë 8, te pallati i projektuar nga Maks Velo, ndodhet Shtëpia Muze Kadare dhe Shtëpia Muze Dritëro Agolli. “Më vjen mirë që njësia fillon me dy shtëpi muze, diçka që më përpara, ata që na akuzojnë për monumentet e kulturës, nuk e bënë kurrë. Po ashtu, kemi Sarajet e Toptanëve që i pagoi Bashkia për t’i shpronësuar, që pronarët të mos e digjnin për pallat, sepse ishte vërtet monument kulture, dhe Shtëpinë e Libohovitëve, ngjitur me Kalanë e Tiranës,” theksoi Veliaj.

Nisur nga fakti që vitin e ardhshëm Tirana e nis si Qyteti Europian i Sportit, Veliaj foli edhe për investime në terrene të reja sportive.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:32
Veliaj: Kemi mbaruar gjysmën e punimeve te “5 Maji”! Kush i nxit banorët kundër, bën politikë me viktima

1672335153_vreliaj.JPG

Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë 8, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ndal edhe në një prej debateve të fundit, siç është rindërtimi i lagjes së re “5 Maji”. Pasi njoftoi se aty është kryer gjysma e punës, Veliaj shtoi se politika, e cila futet mes qeverisë dhe banorëve, e bën këtë sepse u intereson bllokimi dhe jo mirëqenia e siguria fizike e banorëve.

“Kur ra tërmeti i parë, i shtatorit, këta kundërshtarët tanë që thonë sot “lërini të rrinë aty” (në pallatet e dëmtuara), ulërinin dhe thoshin: “Pse nuk i hoqët në kohë, që mos t’i zinte tërmeti i dytë?” Sot po të njëjtët njerëz thonë: “Pse nuk i lini aty?”. Në thelb kërkojnë viktima sepse thonë po nuk patëm viktima, nuk bëjmë dot politikë. Se nuk e kuptojnë dot që ti mund të bësh politikë duke punuar. Por, jeta nuk është kështu. Ne kemi pasur vështirësi shumë të mëdha në komunizëm, por nuk kemi qenë kështu me njëri-tjetrin, s’i jemi gëzuar viktimave dhe nuk i kemi përdorur për politikë. Këta janë të njëjtët njerëz që thonë “hip se të vrava, zbrit se të vrava”, “pse i le aty, pse s’i nxore nga aty?”, “çfarë uji i dhe gomarit, të ftohtë, apo të ngrohtë”. Ne këtu s’jemi as për të ftohur, as për të ngrohur gomarin e askujt. Ne jemi këtu për të ndërtuar qytetin tonë, për t’u kujdesur për familjet tona, për të mbajtur premtimet tona dhe për të ecur përpara me Tiranën tonë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se askush nuk duhet të krijojë iluzionin se për 2-3 vota, të gënjehet për pallatet e dëmtuara nga tërmeti.

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Athinë, Foto e Roan Brahimit i vrarë në makinë

Atentati në Athinë, Foto e Roan Brahimit i vrarë në makinë