Veliaj me nënkryetarin e Bashkisë së Pekinit: Forumi 17+1, bashkëpunim i ri mes Shqipërisë dhe Kinë

Veliaj me nënkryetarin e Bashkisë së Pekinit: Forumi 17+1, bashkëpunim i ri mes Shqipërisë dhe Kinë

Tirana pret për herë të parë Forumin “17 + 1” në nivel kryetarë bashkish, një nismë e Republikës Popullore të Kinës, e cila synon të rrisë dhe zgjerojë bashkëpunimin me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në fushën e investimeve, transportit, financave, shkencës, arsimit dhe kulturës. Në kuadër të këtij Forumi, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim delegacionin kinez të drejtuar nga Nënkryetari i Bashkisë së Pekinit, Lu Yan, me të cilin nënshkroi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit miqësor midis Këshillit të Promovimit të Tregtisë Ndërkombëtare të Pekinit dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj i shprehu mirëseardhjen miqve kinezë, ndërsa theksoi se ky takim do shënojë nisjen e një epoke të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Është një kënaqësi e veçantë sot që mikpres në Tiranë miqtë nga Pekini, nënkryetarin e Bashkisë, delegacionin e tij, drejtues të ndërmarrjeve publike të Pekinit, të cilët janë në Tiranë për takimin e përvitshëm 17+1, por në formatin e kryetarëve të bashkive. Jam i lumtur që të dy bashkë do mikpresim edhe kryetarë bashkish nga i gjithë rajoni, besoj se hapim një faqe të re të bashkëpunimit të Shqipërisë me Kinën”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ky Forum, përveçse do të nxisë një bashkëpunim më konkret mes bashkive pjesëmarrëse dhe Pekinit, është një mundësi shumë e mirë për vendosjen e kontakteve dhe rritjen e shkëmbieve tregtare mes bizneseve të ndryshme. “Jam posaçërisht i lumtur që dy përfaqësuesit e bizneseve tona, dy përfaqësuesit e botës së tregtisë, firmosin një marrëveshje bashkëpunimi për të fuqizuar më shumë shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës, por sidomos midis Tiranës dhe Pekinit, që është fuqia ekonomike e Kinës”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se më shumë se sa mbajtja e një takimi kaq të rëndësishëm në Tiranë, më e rëndësishme është zbatimi i vendimeve dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit që do të arrihen në të. “Dita më e rëndësishme do të jetë dita pas 17 + 1-shit, kur do të fillojmë zbatimin e projekteve dhe bashkëpunimin. Ndonjëherë, duhet të vijnë disa miq nga larg që të puqemi edhe me qytete ose shtete të tjera shumë pranë nesh, sepse gjithmonë kërkohet një arsye. Prej këtij sebepi, edhe ne brenda rajonit do të kemi më shumë bashkëpunim”, u shpreh ai.

Në shënjë mirënjohje, por edhe të vijimit të miqësisë mes dy qyteteve, Veliaj i dorëzoi nënkryetarit të bashkisë së Pekinit, Lu Yan, Çelësin e Qytetit. “Jam i lumur që i dorëzova çelësat e qytetit në shenjë miqësie, në shenjë dashamirësie, në shenjë respekti për të kujtuar historinë tonë të kaluar, por mbi të gjitha për t’u investuar në historinë tonë të re. Miku im, jam shumë i lumtur që jeni në Tiranë, shpresoj që do të kemi dy ditë shumë të frytshme bashkëpunimi, ndërlidhje me njëri-tjetrin, partneritete të reja”, tha Veliaj.

Nënkryetari i Bashkisë së Pekinit, Lu Yan falenderoi kryebashkiakun Veliaj jo vetëm për mikpritjen, por mbi të gjitha për organizimin e këtij takimi, që do synojë të sjellë më shumë bashkëpunim dhe më shumë të mira në interes të qytetarëve. “Gëzohem shumë që vizitoj qytetin e bukur të Tiranës dhe dua të shpreh falenderime të sinqerta për z. Veliaj, për organizimin dhe përgatitjen madhështore për pritjen e delegacioneve, si edhe për forumin e kryebashkiakëve të kryeqyteteve të 17+1. Kam zhvilluar një bisedë të ngrohtë miqëzore me z. Veliaj, për organizimin e suksesshëm të forumit, si edhe për të forcuar shkëmbimet edhe bashkëpunimet në kuadër të bashkëpunimit të 17+1, sidomos midis Pekinit dhe Tiranës. Dëshirojmë të forcojmë edhe më tej shkëmbimet politike, tregtare, ekonomike midis popujve”, tha Lu Yan.

Më tej, ai shtoi se Bashkia e Pekinit është e gatshme që të forcojë bashkëpunimin konkret me Bashkinë e Tiranës, si dhe të mbështesë çuarjen e përpara të marrëveshjeve të nënshkruara. “Në këtë sallë sapo kemi dëshmuar nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit miqësor midis Këshillit të Promovimit të Tregtisë Ndërkombëtare të Pekinit dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Jam i bindur që kjo marrëveshje do të jetë vetëm një fillim i bashkëpunimit. Në të ardhmen bashkëpunimet dhe shkëmbimet midis nesh do të jenë më të zgjeruara. Pekini është e gatshme që të forcojë bashkëpunimin me Tiranën, jam i bindur që ky forum do të ketë sukses të plotë dhe uroj përzemërisht sukesese për këtë sesion”, përfundoi Lu Yan.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Kemi gjetur Altin Lalën e ri', kush është lojtari që debutoi me Kombëtaren U-21 dhe u vlerësua nga trajneri

'Kemi gjetur Altin Lalën e ri', kush është lojtari që debutoi me Kombëtaren U-21 dhe u vlerësua nga trajneri