Në ceremoninë e fillimit të punimeve për zhvillimin e thellësisë, hapjen e Pusit numër 9 në Minierën e Kromit në Bulqizë, e organizuar nga kompania AlbChrome, pjesë e Grupit Balfin, zVeliaj tha se qeveria e mëparshme nuk denjonte as t'i dëgjonte problemet e minatorëve.
Investimi i 'AlbChrome', që u prezantua sot edhe në praninë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, është ndër investimet më të mëdha në sektorin minerar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit. Shuma që do të investohet në këtë projekt është 20 milion dollarë dhe do të bëjë të mundur shfrytëzimin e 2.126.800 ton rezerva gjeologjike mineral kromi. Nisja e punimeve për realizimin e projektit të Pusit Numër 9 shënon edhe një fillim të ri për gjithë zonën e Bulqizës.
"Ekziston pra, një formulë ku nuk fiton vetëm biznesi, shteti apo vetëm punëtorët, por ka mundësi të fitojnë të tre: Edhe biznesi të bëjë një punë të pastër e të jetë i suksesshëm; edhe punëtorët të paguhen me rroga dinjitoze, por edhe shteti të marrë atë që i takon", deklaroi ministri Veliaj në fjalën e tij. Ai falenderoi kompaninë Albchrome për investimin në zonën e Bulqizës, ku përveç sigurimit të vendeve të punës për punonjësit aktualë, me hapjen e Pusit Numër 9 do të krijohen edhe vende të reja pune.
"Dua t'u uroj 'punë të mbarë' 26 të parëve që fillojnë punë sot, por edhe 200 të tjerëve që pritet të nisin punë këtë vit, sepse ky është urimi më i mirë që mund t'i bësh dikujt në një kohë krize", tha Veliaj, duke falenderuar edhe sindikatat për presionin e shëndetshëm që ushtrojnë ndaj biznesit dhe qeverisë në të mirë të minatorëve, kur bëhet fjalë për sigurinë në punë apo çështjet e trajtimit të pensionit të tyre.
"Kjo është meritë e sindikatave që i bëjnë presion çdo qeverie, derisa më në fund, erdhi një qeveri e cila i dëgjoi për uljen e moshës së minatorëve. Jam shumë i lumtur që këtë premtim e bëmë realitet. Nga 1 janari 2015, do të kemi minatorë që dalin në pension në moshën 55 vjeç dhe politikanë që dalin në pension në moshën 60 vjeç, sepse gjykojmë se është më e vështirë të jesh minator se sa politikan", deklaroi ministri Veliaj.
Nga ana tjetër, ai u shpreh entuziast për hapjen e kursit të parë të trajnimit për minatorët e rinj në qytetin e Bulqizës. "Kjo minierë ka prodhuar jo vetëm lajme të këqija, por edhe lajme tragjike, kur njerëz janë plagosur apo kanë humbur jetën në punë. Një nga faktorët kryesorë të kësaj ka qenë se shumë prej të rinjve që futeshin në minierë, hynin të papërgatitur. Më vjen mirë që tanimë kemi certifikuar të trajnuarit e parë, të cilët nëpërmjet zyrës së punës janë punësuar në minierë", tha Veliaj.
Pusi Numër 9 do të përshkrojë nëntokën në një distancë prej 600 metrash duke filluar në kuotën 420 metra mbi nivelin e detit e duke përfunduar në kuotën 180 metra nën nivelin e detit. Realizimi i këtij projekti i hap rrugën zhvilimit të mëtejshëm të minierës për të arritur deri në kuotën 250 metra nën nivelin e detit.
Punimet për hapjen e Pusit janë parashikuar të përfundojnë brenda një periudhe 20 mujore. Për punimet e Pusit Numër 9 është kontraktuar një nga kompanitë më prestigjoze në industrinë minerale, "Ëenzhou Mining Co Ltd". Kjo kompani do të realizojë edhe instalimin e makinerive dhe të pajisjeve të nevojshme për punën e minatorëve. Ky investim i AlbChrome siguron jetëgjatësinë e minierës, por njëkohësisht mundëson edhe rritjen e prodhimit vjetor të kromit deri në 80.000 ton. /a.ke/