Vite më parë, Hamit Ismalaj dhe familja e tij lanë qytetin e Kukësit për t’u zhvendosur në Farkë, por shtëpinë që e ngriti me mund e djersë ia shkatërroi tërmetii 26 Nëntorit 2019. Me programin e Rindërtimit, Hamiti përfitoi një banesë të re, shumë herë më të fortë se ajo që kishte.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputeten e PS, Mimi Kodheli, vizituan familjen e Hamitit, e cila, siç pohoi vetë ai, nuk do të ishte ringritur kaq shpejt, pa ndihmën e qeverisë. Veliaj u shpreh i lumtur që në këtë zonë ku janë vendosur shumë kuksianë, rindërtimi pas tërmetit i ka bërë të gjithë bashkë për të mbështetur vazhdimin e punëve në Tiranë.
“Ma bëre qejfin kur the se të gjithë kuksianët e Farkës janë bërë bashkë për të na mbështetur. Fakti që edhe një kuksian ndihet mirë, por edhe një nga Këlcyra ndihet mirë, edhe një tropojan ndihet mirë, edhe një nga Tepelena ndihet mirë, do të thotë se kemi arritur të krijojmë Tiranën si një familje. Në Farkë kemi mbaruar 99 shtëpi, por kemi edhe 120 të tjera për të bërë. Nuk e lëmë dot punën në mes, kështu që duhet të japim të gjithë nga një dorë”, tha Veliaj.
Ai pohoi se njerëzit e ndershëm janë aleatët e vetëm të kësaj qeverisjeje.
“Fryma pozitive që kemi këtu në Farkë, ku nuk kuptohet kush është vendali e kush ka ardhur nga Kukësi, - se këtu njerëzit sillen sikur kanë shekuj që njihen me njëri-tjetrin, - është fryma që na duhet. Kur jemi bashkë i mundim të gjithë, se njerëzit e mirë janë shumica, njerëzit e drejtë janë shumica, njerëzit punëtorë janë shumica. Nuk na duhen aleanca të tjera. Na duhet aleanca me njerëzit e ndershëm, se po patëm njerëzit e drejtë dhe punëtorë nuk na del kush përpara,” tha kryebashkiaku.
Veliaj shtoi se kryeqyteti do vijojë të rritet, ashtu siç është rritur edhe vlera e pronës çdo vit.
“Tirana patjetër që do të rritet, por kur rritet me disiplinë, me urbanistikë, kur rritet me shtëpi të këtij niveli, kur mbillen pemë, pra kur çdo gjë bëhet me rregull, rritet edhe vlera e pronës. Kur çdo gjë bëhet vetëm ‘kap ç’a të kapësh’, zapto hapësirë publike dhe shkatërro pronën e përbashkët, nuk funksionon, se aty ke dëmtuar për të gjithë. Por, këto punë bëhen duke patur një qeveri të fortë,” pohoi Veliaj.