Veliaj në Kombinat: 1069 banesa të reja për familjet e prekura nga tërmeti! Nuk do ndalojmë punën, pavarësisht gjyqeve me lloj-lloj partish

Familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit në Kombinat do t’i marrin shumë shpejt 1069 apartamentet e tyre të reja, të ndërtuara nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet për pallatet e reja, ku njoftoi se pas gushtit do të hidhet shorti për shpërndarjen e banesave.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë verës, që kur njerëzit të kthehen nga pushimet, të hedhim shortin për Kombinatin. Këtu po ndërtojmë një super kompleks, një super lagje e ndarë në seksione të ndryshme. Para disa ditësh ishim te seksioni 5, 6, ndërsa ky është seksioni 7. Në total janë 1069 apartamente, të cilat do të gëzojnë 1069 familje, për të nisur një jetë të re në hapësira e kushte më të mira”, tha ai. 

Kreu i Bashkisë nënvizoi se banesat e reja janë shumë herë më cilësore se ato që ua dëmtoi tërmeti. Ai siguroi se pavarësisht betejave penguese nëpër gjyqe nga partitë politike, Bashkia e Tiranës nuk do ta ndalojë punën.

“Kalojmë nga shtëpitë parafabrikate, të ndërtuara me mjete rrethanore dhe punë vullnetare, në shtëpi të reja, me hapësira të përbashkëta, me ashensor, me kate përdhese për shërbime, parkingje etj. Pritja do t’ia vlejë! Kemi pasur një kalvar me gjyqe nga lloj-lloj partish, por unë do të sigurohem që edhe betejat t’i bëjmë të gjitha, të japim çdo sqarim që duhet dhënë para organeve të drejtësisë, ama nga ana tjetër, nuk e ndalojmë punën. Është shumë e vështirë të bësh punë në një vend ku politika është futur në çdo pore dhe përpjekja për të penguar çdo gjë të mirë dhe çdo histori suksesi është titanike. Megjithatë, unë besoj se shumica e njerëzve janë të mirë, e duan punën, duan që vendi dhe qyteti të ecë përpara”, deklaroi Veliaj. 

Sipas tij, bashkia është e fokusuar te puna për ndërtimin sa më shpejt të banesave, por edhe për zgjidhjen e çështjeve gjyqësore të nxitura nga partitë.

“Ne jemi ndarë në dy skuadra: Një skuadër që merret me gjithë bllokimet e partive nëpër gjykata dhe prokurori, me masa sigurie dhe çështje pronësie të paqena, të cilat na humbin kohën kot, por nuk ndryshojnë asgjë; kemi edhe një ekip tjetër që punon në terren, për t’u siguruar që i kapim afatet. E vetmja kërkesë që kam është të shtojmë ritmin. Do vij shpesh gjatë verës për t’u siguruar që i kapim këto afate. Do përgatitemi për të hedhur shortin, siç kemi bërë te “5 Maji”. Por, do sigurohemi që edhe shkolla e re “Musine Kokalari” të mbarojë në afat, pra ta fillojmë shtatorin me një shkollë të re për komunitetin”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se falë këtij projekti do të marrë zgjidhje një herë e mirë problematika e vjetër e kanalizimeve të mbartura që nga koha e ish-komunave. Zona e re në Kombinat do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm dhe strehim të përshtatshëm të banorëve të prekur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:22
Rindërtimi në Kombinat drejt fundit, Rama: Së shpejti çelësat për 1069 familje

 

1069 apartamente të reja janë gati në zonën e Kombinatit në Tiranë, për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Kryeministri Rama shkruan në Facebook se shumë shpejt do hidhet shorti për të dorëzuar çelësat në dorë të secilit kryefamiljar.

'Në Kombinat janë gati 1069 apartamente për 1069 familje që do gëzojnë shtëpitë e tyre të reja, me ashensor, parkingje dhe hapësira çlodhëse. Shumë shpejt do të hidhet shorti për t'i dorëzuar çelësat në dorë secilit kryefamiljar', shkruan Rama në Facebook.

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?