TIRANE, 23 Qershor/ATSH/- Nuk mund të jemi një shoqëri që nxit lëmoshën, por një shoqëri që nxit punën", deklaroi sot Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, në Panairin e Kulinarisë dhe Artizanatit, i mbajtur në qytetin e Pogradecit.
Duke vënë në dukje se në 6 muajt e fundit numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike ka rënë nga 106 në 86, edhe për faktin se shumë prej tyre janë punësuar nga zyrat e reja të punës. "Teksa përgatisim reformën e pensioneve, kemi 32 mijë njerëz më shumë të siguruar nga ç'kishim 6 muaj më parë. Prandaj, më vjen mirë që jemi një shoqëri që i kemi kthyer sytë nga puna dhe më pak nga lëmosha", tha z. Veliaj. Sipas tij, Pogradeci është kthyer në një destinacion turistik si për të huajt, ashtu edhe për vendasit, por megjithatë shqiptarët duhet t'i kthejnë më shumë sytë nga vendet e bukura të Shqipërisë sepse kështu ndihmojmë edhe ekonominë tonë. "Nëse ka diçka që mund të bëjmë për ekonominë tonë është të nxisim sa më shumë njerëz që t'i kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri sepse nuk ka ndihmë më të madhe për ekonominë e vendit se sa kjo. Vetëm duke konsumuar dhe shpenzuar sa më shumë para për ekonominë tonë, ne mund të krijojmë një të mirë të madhe ekonomike. Kjo do ta ndihmonte shumë biznesin vendas, restorantet, hotelet, sipërmarrjet familjare apo kompanitë që prodhojnë ushqime e mallra të ndryshme", tha ai. Ministri Veliaj vlerësoi fqinjësinë e mirë mes bashkive të Pogradecit dhe Ohrit, e cila kulmoi edhe me inaugurimin e linjës së tragetit mes dy qyteteve. "Koha kur Shqipëria mendonte se ishte një ishull pa lidhje me të tjerët ka kaluar. Teksa javës tjetër presim vendimin për statusin e vendit kandidat, është shumë e rëndësishme të integrohemi si fillim brenda rajonit", tha ai. 
 Veliaj shtoi se Shqipëria e ka ruajtur reputacionin e saj si një pikë stabiliteti në rajon, por edhe si bashkëpunëtore ideale e vendeve fqinje, duke u shndërruar në një fqinj të mirë që përveçse kujdeset për shtëpinë e vet, është shumë e hapur të bashkëpunojë edhe me shtëpinë e tjetrit./a.gegvataj/