Shqiptari i Italisë: Zoti ministër të shkojmë drejt e në thelb, ç’po bëhet për pensionet e emigrantëve?
Erion Veliaj: Po e nis me lajmet pozitive. Me Belgjikën, jo vetëm kemi mbyllur negociatat por edhe kemi firmosur e kemi ratifikuar në Kuvend marrëveshjen, praktikisht që vitin e ardhshëm marrëveshja hyn në fuqi e mund të përfitojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë ate. Mund të them se lidhur me pensionet po punojmë në të gjitha frontet. Nga njëra anë po reformojmë sistemin e pensioneve në shtëpi, nga ana tjetër po tregohemi shumë “agresivë” në lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe mbi mbrojtjen sociale qoftë me vendet e BE-së qoftë me të tjera.
Këtë muaj mbyllim marrëveshjen me Kanadanë që është një lajm shumë i mirë për emigracionin shqiptar në atë vend. Për t’u kuptuar, nuk zgjedhim ne me kë të lidhim më parë marrëveshje. Fakti është që vende që nuk vuajnë krizën ekonomike i kanë negociatat më të thjeshta, me dy ose tre takime që mund të jenë me peridicitet një në vit apo një në tre muaj e ne po ecim me këtë ritmin e fundit. Sepse në dallim me ç’kanë bërë qeveritë e mëparshme, i kemi hyrë seriozisht zgjidhjes së këtij problemi dhe po tregojmë maksimumin e interesit. Kemi shprehur dëshirën tonë për këto marrëveshje me 28 vendet e BE-së e sapo një vend na përgjigjet ne nisim menjëherë negociatat. Pra dua të them se nuk jemi ne që i japim përparësi një vendi apo një tjetri. Si ministri jemi gati t’i lidhim që nesër me të 28 vendet, por këto negociata janë si tangoja, që nuk mund ta kërcejmë vetëm, na duhet edhe pala tjetër që në rastin tonë janë vendet e tjera.
Po me Italinë çfarë po bëhet?
Italia, për shembull, duke qenë në krizë ekonomike, dekadën e fundit nuk ka lidhur asnjë marrëveshje të tillë, jo vetëm me Shqipërinë por me asnjë vend të botës. Sepse institucionet italiane janë kujdesur të stabilizojnë financat publike. Në këtë situatë ne kemi detyrë të bëjmë mirë e me forcë 50% të punës që varet nga ne që në fakt është shumë më e mirë se më parë kur as nuk kishte kalendar. Deri tani kemi mbyllur me Çekinë, Rumaninë, Luksemburgun, me Maqedoninë jemi në mbarim e sipër. Veç këtyre edhe Kanadanë dhe Belgjikën që kujtuam më lart. Kemi nisur negociatat me Austrinë, Spanjën, Bullgarinë. Duhet të themi se deri para tetë muajve ishim në nivelin 0 nuk ekzistonte asnjë nga këto marrëveshje. E di që ndonjë cinik mund të thotë se këto janë vende të vogla me emigracion të ulët shqiptar e për rrjedhojë të parëndësishme në zgjidhjen e problemit. E vërtetë që në këto vende ka relativisht pak emigrantë shqiptarë por këto marrëveshje të arrira deri më sot na rrisin argumentin ndërsa ballafaqohemi mbi të njëjtën temë me vende të tjera si Italia apo Greqia. Sepse kur ulemi të negociojmë me to u themi se të tilla marrëveshje i kemi edhe me gjashtë vende anëtare të BE-së, fakt ky që rrit kredibilitetin tonë si palë që kërkon të arrijë këtë gjë me lojtarë edhe më të mëdhenj.
Ndaj unë them që rëndësia e marrëveshjeve të lidhura deri më sot është e madhe, natyrisht edhe për ata pak emigrantë që jetojnë aty, aq sa janë, por veçanërisht për të forcuar pozitat tona kur bëjmë këto negociata me vende të rëndësishme si Italia e Greqia. Pra dua t’ju them se ne kemi hapur 28 fronte njëkohësisht, puna është se duhet bindur edhe pala tjetër se kjo është çështje e dobishme shoqërore. Dua të them edhe një gjë. Në negociatat me Italinë nuk jemi vetëm ne që kërkojmë marrëveshjen dypalëshe mbi pensionet. Janë edhe komuniteti italian që punon sot në Shqipëri. Mijëra persona që duan që ato vite pune t’u njihen edhe këtu në Itali. Ministria jonë ka dhënë këtë vit rreth 19 mijë leje pune për italianë të punësuar në Shqipëri. Kjo do të thotë që presioni që ushtrojmë mbi institucionet italiane tani është i dyanshëm jo vetëm nga shqiptarët e Italisë por edhe nga italianët e Shqipërisë.
Kush janë italianët e Shqipërisë?
Gabimisht, kur flitet për italianët në Shqipëri mendohet vetëm për ata që kanë bizneset e veta. Nuk është kështu, ka shumë që punojnë në sektorin bankar, në bankat Sanpaolo dhe Veneto, ka shumë që punojnë për bizneset italiane por që janë pjesë e stafit, jo sipërmarrës. Gjatë panairit të punës, përshembull, kishte të rinj italianë e portugezë që filluan punë në call center meqë studiojnë në Shqipëri në universitete private italiane e punojnë part time. Ka shumë kuzhinierë italianë që punojnë në restorantet e hapur nga shqiptarë që janë kthyer nga Italia, për shembull, e që kanë punësuar italianë.
Një nga premtimet tuaja ka qenë vota e emigrantëve nga atje ku jetojnë. Ç’po bëhet në këtë aspekt?
Është premtim dhe mbetet projekt i yni për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, patjetër. Kjo do të na mundësonte disa gjëra në favor të emigrantëve. Nëse ne do të kemi në parlament përfaqësues të zonave elektorale Itali e Greqi, për shembull, ata do të lobojnë për interesat e zgjedhësve të tyre, siç ndodh sot që deputetët lobojnë për zonën e tyre elektorale. Për t’u shpjeguar më mirë: një nga kritikat që pata kur u ndanë fondet e rajoneve ishte “Si ka mundësi që Gjirokastra mori katër projekte ndërsa vende të tjera asnjë”. U mbrojta duke thënë se kjo është “job description”, detyra e një deputeti, të lobojë për zonën e vet. Për zonat e tjera duhet të lobojnë me forcë deputetët e zgjedhur atje. Me këtë logjikë unë them se kur komuniteti shqiptar në Itali të ketë në parlamentin shqiptar përfaqësuesin e vet ai do të këmbëngulë me ministrin e punës, kushdo qoftë ai që të ndjekë sa më mirë çështjen e marrëveshjes, në këtë rast. Pra mendoj se me përfaqësimin e emigrantëve në Kuvend do të kemi një kujdes konstant ndaj tij që nuk do të varet më nga dashamirësia e ndonjë deputeti.
A ka qeveria një vizion për emigrantët që po kthehen në Shqipëri?
Qeveria ka ofruar një paketë lehtësirash për biznesin. Për shembull për ata që janë investitorë fasonësh, Shqipëria është kthyer në një vend shumë atraktiv. Cilido shqiptar, pra edhe të kthyerit, që dëshiron të hapë një biznes të vogël, që do të thotë vende pune, ka mbështetjen e Fondit të Punësimit që subvencionon me 12 muaj sigurime shoqërore dhe me 4 rroga çdo punonjës të ri të punësuar plus këtu edhe ndihma të tjera nëse punëson të rinj apo persona me aftësi të kufizuara. Kjo është për ata që kthehen e hapin një punë, ndërsa për të gjithë ata që kthehen e aplikojnë për punë vlejnë të gjitha rregullat e vlefshme edhe për shtetasit e tjerë.
E nuk mund të jetë ndryshe pasi për një vend pune nuk mund të diskriminohet një shqiptar për një tjetër. Unë di që shumë prej të shkolluarve mirë në Itali kanë fituar konkurse e zënë sot vende të rëndësishme në administratën shtetërore. Për shembull, Ismail Ademi është sot drejtor i Fondit të Konvertimit të Borxhit me Italinë. Por ka edhe shumë anëtarë të kabinetit që kanë studiuar në Itali, janë kthyer e sot janë të angazhuar në Shqipëri. Por unë nuk dua të trajtoj emigrantët si mish i huaj, si diçka më vete. Kush është i zoti, nga diaspora apo Shqipëria, e ka treguar veten e ka çarë qoftë në biznes, në media e administratë.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)