TIRANE- Gjatë vizitës së tij në shkollën e mesme profesionale Teknike-Ekonomike Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka deklaruar se për këtë vit janë regjitruar 40% më shumë nxënës në shkollat profesionale në vend.

I shoqëruar edhe nga Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, Ministri Veliaj, duke i uruar nxënësve një vit të mbarë dhe suksese në shkollë, deklaroi se ky është një vit fantastik për shkollat profesionale në Shqipëri. Jo vetëm sepse ka pasur një numër të lartë regjistrimesh, por edhe pse publiku, sipas Veliaj, ka kuptuar rëndësinë e arsimit profesional. 

“Këtë vit kemi pasur 40 për qind më shumë regjistrime, në shkallë vendi, sesa një vit më parë: një rekord që prej vitit 1994”- tha ministri Veliaj, duke e cilësuar dhe këtë të fundit si një hap të parë të suksesshëm.

Githashtu Veliaj përmendi dhe raportin e fundit të INSTAT-it për punësimin, duke vënë në dukje se 63% e atyre që përfundojnë një shkollë profesionale kanë arritur të gjejnë punë. Shifër, kjo e fundit, thuajse e barabartë me ata që përfundojnë arsimin e lartë.
 
“Kjo do të thotë mundësitë e punësimit për ata që mbarojnë një shkollë profesionale me ata që mbarojnë shkollën e lartë, janë thuajse të njëjta. Ndërkohë, për ata që mbarojnë gjimnazin e përgjithshëm mundësitë zbresin në 40%. Pra, ai që ka mbaruar një shkollë profesionale është më i punësueshëm se ai me gjimnaz të përgjithshëm”- tha ministri Veliaj nga shkolla e mesme profesionale Teknike-Ekonomike. 

Gjithashtu Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë vuri në dukje se në sistemin e arsimit profesional po ndryshojnë gjërat, duke nisur nga krijimi i bordeve të shkollës, të cilat në përbërje të tyre do të kenë jo vetëm mësuesit dhe prindërit por edhe përfaqësues të biznesit.
 
 “Në ato shkolla ku është i pranishëm biznesi dhe ku nxënësit i bëjnë praktikat pranë biznesit, gjasat për punësim rriten në mënyrë eksponenciale”- deklaroi Veliaj, duke falenderuar Presidentin e “Biznes Albania”, Luan Bregasi, për ndihmën që parashikohet japë për praktikat e nxënësve të shkollës Teknike-Ekonomike. 

Mbi temën e lidhjes së raporteve të ngushta mes arsimit professional dhe biznesit, gjatë takimit u deklarua se do të ndiqej modeli Gjerman. Sipas këtij të fundit, nxënësit do ta kalojnë 1/3 e mësimit të tyre duke bërë praktikën në bizneset e fushës ku studiojnë.

veliaj 
 Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)