Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot se pallati i dëmtuar nga tërmeti në rr. “Myslym Keta” është një nga ndërtesat që janë shpallur të pabanueshëm, kurse banorët janë përfitues të apartamenteve të reja te lagja “5 Maji”.
“Në Tiranë janë prishur me dhjetëra pallate të dëmtuara nga tërmeti, sidomos në Njësitë 4 dhe 6, të cilat janë edhe dy zonat më të prekura. Nëse një institucion shtetëror, i cili quhet Instituti i Ndërtimit, ka dhënë verdiktin se ky pallat është i kategorisë DS5, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, edhe në Fushë Krujë, edhe në Thumanë dhe çdo zonë tjetër të prekur nga tërmeti, automatikisht është detyrim i pushtetit vendor të kryejë disa gjera: Së pari, të prishë ndërtesën, së dyti, t’i japë bonus qiraje banorëve, për të mos i lënë jashtë dhe së treti, t’u japë shtëpi të re. Vetëm pasi kanë marrë shtëpinë e re, banorëve që nuk kanë asnjë strehim tjetër, u ndërpritet bonusi i qirasë, për t’u futur në shtëpinë e re,” u shpreh Veliaj në një intervistë për Top Neës.
Ai tha se politika po i dëmton banorët edhe në këtë rast, duke i joshur me protesta, pasi ata që kanë firmosur janë strehuar tashmë në apartamentet e reja.
“Ju kujtoj që, te zona e ‘5 Majit’ pjesa më e madhe e banorëve përfitues janë të këtij pallati në rr. “Myslym Keta”. Disa prej tyre pata mundësinë t’i vizitoj personalisht, janë akomoduar në shtëpitë e reja prej një viti. I besuan shtetit, qeverisë, i besuan bashkisë. Nuk u morën me politikë, nuk e politizuan çështjen, por menjëherë lidhën kontratën. Fillimisht për bonusin e qirasë dhe sapo apartamentet u bënë gati, u futën në shtëpitë e reja dhe sot po i gëzojnë. Viti i Ri do i gjejë në shtëpi më komode se ato që lanë. Unë besoj se kur iu besojmë autoriteteve, kur bashkëpunojmë që të kalojmë këto situata të vështira, ecim përpara. Nëse politizohet vaksina, nëse politizohet rindërtimi dhe nëse politizohet çdo gjë dhe për ideal të partisë njerëzit harrojnë idealin e familjes, ka shumë pak gjëra që mund të bëjë bashkia, përveçse të insistojë t’i ftojë dhe t’i riftojë”, argumentoi Erion Veliaj.
Ai saktësoi se pallati që u shemb sot ka dalë jashtë funksionit që në vitin 2019. U rivlerësua në vitin 2020-2021 sërish nga Instituti i Ndërtimit, i cili ka dhënë të njëjtin rezultat.
“Thirrja për ata qytetarë të fundit, duke qenë se 90% e qytetarëve merr bonusin e qirasë, kanë filluar edhe apartamentet: ju lutem, paraqituni te njësia administrative. Është bashkia juaj, është qyteti juaj, është shteti juaj. Grupseksionet shkojnë dhe vijnë, partiçkat shkojnë dhe vijnë. Ju garantoj një gjë atyre qytetarëve: Një parti e ndarë në dy pjesë, që dogji shtëpinë e saj, nuk do rregullojë shtëpitë tuaja. Mund ta rregullojë vetëm një shtet, një qeveri dhe një bashki që e ka bërë këtë për qindra banorë dhe sigurisht do ta bëjë edhe për atë pjesë, pavarësisht faktit që u përdorën politikisht,” ishte apeli i tij.
Lajmi kryesor: