TIRANE- Të gjitha bizneset mund të aplikojnë pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale për të përfituar nga fondi i punësimit. Zyrtarisht, konkursi për fondin 2.7 milion dollarë është çelur dje nga ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, dhe synimi i tij është punësimi i punëtorëve nga kategori të ndryshme, sidomos gra e vajza, të rinj, persona me aftësi të kufizuara ose nga komuniteti rom dhe egjiptian.

“Sot ky fond nuk harxhohet për piknikë e koncerte, si katër vjet më parë. Por, 70% e tij do të shpenzohet për ato kompani që punësojnë të rinj, gra e vajza. 2.7 milion dollarët e fondit të punësimit synojmë t’i shpërndajmë në mënyrë proporcionale në të gjithë vendin, duke i dhënë prioritet veriut të Shqipërisë dhe zonave rurale”, deklaroi Veliaj, teksa prezantoi gjashtë programet e këtij fondi në Panairin e Punësimit 2014. Fondi për nxitjen e punësimit përbëhet nga gjashtë programe të ndryshme, që mbështesin krijimin e vendeve të reja të punës duke subvencionuar punëdhënësit me pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit dhe katër paga për çdo punonjës të punësuar.

Sipas ministrit Veliaj, qeveria i është përgjigjur me transparencë kërkesës së biznesit për ta ulur nga 30, në 10 ditë kthimin e përgjigjes për ato kompani që aplikojnë për të përfituar nga ky fond. 

Shkrimi u publikua sot 2 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)