TIRANE- Ministri, Erion Veliaj dje në Komision e Integrimit, deklaroi se kreu i grevës së urisë Nertila Qafzezi kishte marrë 5 herë vërejtje për shkarkim nga PD. Ka qenë pozita që ka kërkuar shpjegime nga qeveria për neglizhencën ndaj grevës së urisë të të larguarve nga puna. Por, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë duke kujtuar dy të përndjekurit politikë dhe personin me aftësi të kufizuara që janë pjesë e grevës, tha: “Drejtuesja e grevës e të pushuarve nga puna është paralajmëruar 5 herë për t’u pushuar nga puna nga drejtuesit e saj demokratë.

Ajo zonjë, edhe pse me arsim për psikologji, në një vend pune ku duhej ekonomiste nuk denjonte as të shkonte në punë. Sa i përket grevistit tjetër nga Gjirokastra, duke qenë se jam vetë deputet në atë qark e di fare mirë, se ai person është me shkollë të mesme, ndërkohë që në qeverisjen e djathtë mbante postin e shefit të Pensioneve në Gjirokastër. Ndërkohë për grevistin tjetër që është nga  Hasi, është vërejtur se pavarësisht se ishte në Kemp, njëkohësisht merrte edhe rrogë”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij ai të paktën ka informacionin e nevojshëm në ndryshim nga greva e vitit 2010, ku ai vetë ka marrë pjesë. Për të qeveria e asaj kohe nuk interesohej për personat që ishin në ngujim. Debate të forta ka pasur edhe nëpërmjet deputetes Arta Dade dhe Albana Vokshi të cilat kanë replikuar me njëra-tjetrën për grevën e vitit 2010, ku merrnin pjesë edhe deputete socialiste. “Edhe ato deputete ishin bija nënash dhe kishin fëmijë në shtëpitë e tyre që i prisnin, por askush nga ju nuk reagoi. Lërini këto skenare të shpifur se nuk ju kanë lezet”, është shprehur Dade. Ndërkohë që deputeti Blushi përgëzuar  ministrin Veliaj për lënien e mandatit të deputetit, duke kujtuar se të qenurit deputet nuk ja vlen.


Shkrimi u përditësua në 28 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)