TIRANË -  "Kush studion sot në arsimin profesional bën një investim të shkëlqyer për të ardhmen e tij", tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj sot gjatë një vizite në shkollën e mesme profesionale “Hoteleri-Turizëm” në Tiranë, ku përveçse uroi nxënësit për një vit të mbarë shkollor, u njoh nga afër me gjendjen e shkollës, si dhe përcolli mesazhet e qeverisë për një qasje të re në sistemin e arsimit dhe formimin profesional në Shqipëri. Në takim ishin të pranishëm edhe drejtoresha e shkollës, Flutura Vaqarri dhe drejtori i Bordit të shkollës, Zak Topuzi.

Veliaj vuri në dukje vështirësitë me të cilat është hasur shkolla e mesme profesionale e “Hoteleri-Turizmit” që në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor me mungesën e dritave për shkak të faturave të papaguara dhe me një buxhet jo të konsoliduar mirë. “Shkollës duhet t’i japim mundësinë për vetëfinancim dhe të dalë në treg, të mbajë me ushqime konviktin e saj ose të furnizojë me gatime institucione apo biznese jashtë shkollës”, u shreh ministri Veliaj për median.
 
“Mjafton të shikoni faqet e verdha, ku ka më shumë kërkesa për juristë, e shumë pak faqe kushtuar profesionistëve apo teknicienëve, si elektriçistë, hidraulikë etj. Industria shqiptare po fokusohet tek shërbimet dhe gatimi, pasi ka përfunduar lulëzimi i biznesit të ndërtimeve. Të gjithë duhet t’i kthejmë sytë nga arsimi profesional”, tha ai, duke iu bërë thirrje prindërve që ta shohin arsimin profesional si një mundësi mjaft të mirë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
 
Ministri Veliaj tha se MMSR-ja do të fillojë menjëherë zbatimin e sistemit dual gjerman në shkollat profesionale. Sipas këtij sistemi, nxënësi apo studenti duhet të ndërthurë praktikën me teorinë; nëpërmjet partneriteteve me sektorin privat, nxënësve do t’u jepet mundësia, që atë çka mësojnë në teori ta zbatojnë në praktikë. Nga ana e saj, Drejtoresha e shkollë, Flutura Vaqarri u shpreh se me produktet që prodhohen gjatë procesit mësimor, shkolla mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme për financimin e shkollës.
 
Shkolla e mesme profesionale “Hoteleri-Turizëm” është themeluar në 1958 dhe rikonstruktuar në 2009-ën. Operon me dy turne dhe ka 891 nxënës gjithsej. Është shkollë kombëtare me konvikt dhe rreth 15-20% e nxënësve vazhdojnë shkollën e lartë në degën Teknologji Ushqimore ose në atë të Hoteleri-Turizmit në Durrës.

erion veliaj

erion veliaj1
erion veliaj
(Në foto: Ministri i MMSR, Erion Veliaj sot në shkollën e hoteleri-turizmit).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)