Veliaj te lagjja e re në Kombinat: Këtë vit strehojmë familjet e para! Jo politikë me jetët e humbura, partitë që bllokojnë punët e qytetit, degradojnë keq

Ditë pas dite po merr formë lagjja e re “KombinArt”, ku do të strehohen familjet që mbetën pa shtëpi nga tërmeti i Nëntorit 2019. Pas zhbllokimit të procesit, si pasojë e disa çështjeve gjyqësore, rindërtimi i zonës ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme, teksa po ngrihen pallatet e reja me nga 6 dhe 8 kate, po ashtu edhe infrastruktura ndihmëse për 21 mijë banorët e rinj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se procesi i rindërtimit po ecën shpejt, për të kapur kohën e humbur si pasojë e bllokimeve. “Nuk do reshtim asnjë ditë të verës! Do të punojmë për të kapur kohën e humbur. Kur them të kapim kohën e humbur fjala është se, siç ndodhi te Astiri dhe “5 Maji”, edhe këtu në Kombinat patëm mbi 20 gjyqe e bllokime të frymëzuara kryesisht nga parti politike që për vete jetojnë në Lalz, por ama, janë të gatshëm t’i fusin njerëzit në sherre mes tyre, të mbjellin pasiguri, të mbjellin lajme të rreme e të nxisin njerëzit për gjyqe të pafundme. I kemi fituar të gjitha gjyqet! Siç e patë, është liruar i gjithë territori i zonës së Kombinatit dhe kemi filluar me themelet e reja. Në disa pjesë kemi ecur dhe do jemi gati të strehojmë familjet e para që këtë vit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se bonusi i qirasë për familjet e prekura, do të vijojë deri në marrjen e çelësave të banesave të reja. “Ne do ta vazhdojmë ta japim bonusin e qirasë derisa të jenë gati të gjitha apartamentet dhe banorët të marrin çelësat në dorë. Fakti që të gjitha godinat kanë kopshte të brendshme, kënde lojërash, hapësira të gjelbra është një lajm fantastik. Këtu do të kenë një parking nëntokësor, për të garantuar parking për secilin apartament dhe secilën familje, sigurisht pastaj edhe zonën e shërbimit. Do ndërtojmë një komunitet me më shumë cilësi dhe sigurisht, me më shumë siguri”, shtoi ai.

Veliaj u bëri thirrje partive politike të mos luajnë me jetët e njerëzve. Ai nënvizoi se koha ka treguar se ato forca që kanë tentuar të bllokojnë punët e qytetit, jo vetëm nuk kanë fituar asnjë palë zgjedhje, por mandej kanë degraduar. “Jeta e njeriut është më e rëndësishme se gjithçka tjetër! Kur partitë politike, që vetë banojnë në Lalz, u thonë qytetarëve: ‘Rrini, mos lëvizni nga ndërtesat e dëmtuara’, - të cilat siç e pamë, ranë lehtësisht me një të goditur - duan të marrin njerëzit në qafë. U kërkoj të gjitha partive politike, së pari: Asnjë njeri nuk ka fituar vota duke  bllokuar - as këndin e lodrave te Liqeni, as sheshin “Skënderbej”, as Pazarin e Ri, as “5 Majin”. Së dyti, jo vetëm që nuk fiton vota, por përkundrazi, partitë që nxisin këtë urrejtje mes njëri-tjetrit dhe bllokojnë punët publike, degradojnë gjithnjë e më shumë. Këshilla ime është: na lini të punojmë!”, theksoi kreu i Bashkisë.

Veliaj deklaroi se nuk mund të bëhet politikë me jetët e humbura. “Nëse nuk do të ishim vonuar as te “Shqiponja”, as te “Astiri” dhe në shumë prej projekteve tona, Tirana do të ishte bërë lule sot. Është shumë herë më e mirë seç ka qenë, po mund të jetë edhe më e mirë nëse kapim ritmin dhe nuk i vëmë stërkëmbësha e thika pas shpine njëri-tjetrit. Nuk bëhet politikë me jetën e njerëzve, as me mirëqenien e tyre. Duhet të ketë vetëm një politikë: ajo që bashkëpunon me komunitetin dhe bashkinë për të ecur përpara”, nënvizoi kryebashkiaku.

Puna me rindërtimin po vijon edhe në zonat rurale. Veliaj siguroi se brenda këtij viti historia e rindërtimit aty do të mbyllet. “Kemi ecur shumë më mirë në zonat e tjera rurale. Kur ke një fushë të madhe, në pronësi të shtetit, sigurisht puna ecën më shpejt. Kur ke një molepsje të politikës me zaptimin, me pronat, me gjykata, sigurisht që puna ecën më ngadalë. Ne do të përurojmë shumë shpejt shtëpitë e reja në fshatin e ri në Zall-Herr, për të vijuar më pas me Pezën dhe Baldushkun”, shtoi ai.

Kombinati do të jetë një pol i ri në kryeqytet, jo vetëm me banesa të reja për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Të gjitha apartamentet janë bashkëkohore, të gërshetuara sheshe urbane, objekte arsimore, që rrisin cilësinë e jetës në këtë lagje të re.

M.Q./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë