Vëllai i Nemesio Rubén Oseguera Cervantes, trafikantit të drogës i njohur si “El Mencho”, është deklaruar fajtor për bashkëpunim në trafikimin e kokainës dhe metamfetaminës drejt SHBA-ve.

Antonio Oseguera Cervantes ka punuar për kartelet së bashku me vëllain e tij, i cili u vra nga ushtria meksikane në shkurt.

Vrasja shkaktoi trazira në mbarë vendin, me anëtarë të kartelit që ngritën bllokada në autostrada dhe u vunë zjarrin automjeteve dhe ndërtesave në 20 shtete të Meksikës. Dhuna la të vdekur më shumë se 70 persona, përfshirë 25 anëtarë të Gardës Kombëtare.

El Mencho ishte bashkëthemelues dhe drejtues i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s, i njohur me akronimin në spanjisht CJNG. Vitin e kaluar, administrata e presidentit Trump e shpalli CJNG-në dhe kartele të tjera si organizata terroriste të huaja.

Antonio Oseguera Cervantes, 67 vjeç, nga Michoacán, Meksikë, përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej 15 vitesh burg. Gjykatësja federale e qarkut Beryl Howell pritet të japë dënimin më 13 nëntor.

Sipas prokurorëve, ai dyshohet se ka shpërndarë 450 kilogramë ose më shumë kokainë dhe të paktën 45 kilogramë ose më shumë metamfetaminë, gjatë periudhës nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2022.

Përveç akuzës për bashkëpunim, Antonio Oseguera Cervantes u deklarua fajtor edhe për posedim të një arme zjarri në funksion të një komploti për trafik droge.

Ai u transferua nga Meksika në Shtetet e Bashkuara për t’u ndjekur penalisht në shkurt të vitit 2025. Ai kishte qenë anëtar i Kartelit Milenio përpara se vëllai i tij të bashkëthemelonte CJNG-në.

Këtë muaj, Shtetet e Bashkuara njoftuan një sërë sanksionesh kundër më shumë se 50 individëve dhe subjekteve meksikane, të cilët dyshohet se kanë lidhje me CJNG-në, përfshirë edhe drejtuesin e ri të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s, me dy nënshtetësi SHBA-Meksikë, Juan Carlos Gonzalez.