Pak më pak se dy vjet pasi deklaroi se është homoseksual, Ralf Schumacher ka kurorëzuar dashurinë e tij me partnerin Étienne Bousquet-Cassagne, në një ceremoni luksoze në Saint-Tropez.

Kamerat e Sky (që po prodhon serialin dokumentar me katër pjesë për ta: “Ralf & Etienne: Wir sagen Ja”, “Ne themi po”) kanë filmuar ceremoninë dhe festën e së shtunës, por priten festime të tjera sot dhe nesër. Të veshur të dy me kostume blu të errët dhe kravata në një nuancë të butë blu, Ralf dhe Étienne u martuan në këtë qytet të bukur bregdetar francez mes shumë të afërmve të tyre.

Natyrisht që mungoi vëllai i tij Michael Schumacher, i cili u lëndua rëndë 13 vite më parë nga një aksident me ski në Méribel.

Schumacher, 50 vjeç, dhe partneri i tij, 36 vjeç, ish-kandidat i Front National dhe sot menaxher i kompanisë së verërave të ish-pilotit, zotërojnë një vilë në Rivierën Franceze, jo shumë larg nga Saint-Tropez.

Ish-piloti i F1 deklaroi orientimin e tij sesual 19 muaj më parë, pasi ishte ndarë nga ish-bashkëshortja Cora Schumacher, e cila fillimisht u befasua e më pas u zemërua “për mashtrimin”, duke djegur madje fustanin e dasmës së vitit 2001. Cora dhe Ralf ishin të martuar për 13 vite dhe kanë një djalë, David Schumacher, por pas ndarjes dhe pasi Schumacher zbuloi marrëdhënien e tij, ajo kërkoi që ish-bashkëshorti ta linte që të “shërohej” në paqe, duke thënë se kishte “humbur vitet e saj më të mira” me të.

Pas njoftimit të dasmës, Cora dhe partneri i saj i ri Steven Bo Bekendam u shprehën të lumtur për çiftin dhe këto ditë kanë dërguar një mesazh mbështetjeje dhe dashurie.

Pas ceremonisë në bashki, u zhvillua një banket në plazhin e njohur Plage de la Bouillabaisse deri në perëndim të diellit, e shoqëruar me fishekzjarre.