Vendet më të rrezikuara në BE nga varësia ndaj gazit rus

Vendet më të rrezikuara në BE nga varësia ndaj gazit rus

Furnizimi i rreth 10% të konsumit të përgjithshëm të energjisë do të rrezikohej në union nëse Bashkimi Europian vë në zbatim synimin e sapodeklaruar për t’u shkëputur nga varësia ndaj gazit natyror rus, si pjesë e sanksioneve kundër pushtimit të Ukrainës.

Euler Hermes, kompania e sigurimit të kredive me qendër në Francë ka bërë publik raportin për vendet më të rrezikuara në BE.

Rusia përbën 36% të importeve totale të gazit të BE-së, tha Euler Hermes në një raport një ditë pasi BE bëri publik REPowerEU, planin e saj për të rritur sigurinë energjetike dhe për të hequr gradualisht varësinë nga karburantet fosile ruse përpara vitit 2030.

Hungaria ishte shteti që do ta kishte më të vështirë nga të gjitha vendet e BE-së për të hequr dorë nga gazi rus, pasi 33% e konsumit të saj të energjisë do të ishte në rrezik, sipas raportit të kompanisë franceze për sigurimin e kredive. Sllovakia, Çekia, Letonia, Gjermania dhe Italia do të ndikoheshin gjithashtu nga këto masa, pasi konsumi fundor në secilin prej këtyre vendeve varet mbi 20% nga gazi natyror që importohet nga Rusia. Niveli mesatar i rrezikut për BE-në është 9%. Austria, Malta, Qiproja, Kroacia dhe Danimarka janë të vetmet vende ku rreziku vlerësohet të jetë zero.

Megjithatë, rreziku për Bullgarinë mund të shkojë në 18% nëse lind nevoja për të rregulluar pjesët nga importi dhe angazhimet e energjisë midis vendeve të BE-së, tha Euler Hermes.

Në këtë situatë, BE-së do t’i duhej të zgjeronte prodhimin e saj të energjisë së rinovueshme me 1 exajoule (278 TWh) në vit, në mënyrë që të kompensojë sasinë e importeve të gazit rus brenda gjashtë viteve. Kjo lëvizje e mundshme do të sillte nevojën për investime vjetore prej 170 miliardë euro (185.2 miliardë dollarë), një shumë që përbën 1.3% të PBB-së aktuale të BE-së. Kontributori më i madh pritet të jetë Gjermania, e cila do të duhet të shtojë 44 TWh të prodhimit të energjisë së rinovueshme në vit, tha Euler Hermes.

Kontributi i Bullgarisë është më i kufizuar, ose rreth 0,015 EJ në vit. Për të arritur këtë shifër, parqet e reja diellore ose me erë mund të kontribuojnë në mënyrë të barabartë me nga 40%, ndërsa pjesa e mbetur prej 20% do të gjenerohej nga biokarburantet.

Të mërkurën, BE-ja parashtroi hapat e përbashkët të propozuar për zbutjen e efekteve të rritjes së çmimeve të energjisë, për adresimin e nevojave të ruajtjes së gazit për dimrin e ardhshëm dhe për përshpejtimin e fillimit të projekteve të energjisë së rinovueshme dhe përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit, në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon të përkeqësojë krizën energjetike. / Monitor

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja